Duke i quajtur heronj të revoltës militantët e tij që hodhën bomba molotov në drejtim të kryeministrisë, parlamentit e Xhamisë së Namazgjasë, Sali Berisha paralajmëron se protesta e ardhme e opozitës do të jetë më e dhunshme.

"Do të jetë një revoltë, një kryengritje do të thosha më e fuqishmja që ka njohur vendi. Nuk do jetë e llojit të atyre që keni parë. Tani, kryengritja kalon në fazën e diversifikimit të aksioneve dhe veprimtarive të saj", tha Berisha. 

Berisha ka kërcënuar sërish për sulme ndaj selive të PS në të gjithë vendin. Në konferencën për media me gazetarët, Berisha paralajmëroi kryeministrin Edi Rama, që të ndalë sulmet ndaj selisë së tij.

“Atëherë, të përshëndes heronjtë e revoltës. Dënoj me forcën më të madhe keqtrajtimin policor që u bë ndaj të rinjve, të cilët ishin energjia, guximi dhe fytyra e vërtetë e protestës. Dënoj me forcën më të madhe sulmin ndaj selisë së PD dhe e paralajmëroj Edi Ramën të ndërpresë çdo sulm ndaj selisë sepse përgjigja mund të jetë ajo që nuk ia pret mendja atij”, tha kryedemokrati.

Berisha nënvizoi se degët e PD kanë marrë porosi për të vëzhguar të gjitha selitë e PS në qarqe e rrethe.

“Degët e PD kanë marrë porosi të bëjnë rikonjicion për të gjitha selitë e PS në qarqe dhe rrethe dhe unë e paralajmëroj edhe njëherë sepse ju e keni parë, sulmi në mënyrën më absurde u përqendrua tek selia”, deklaroi ai.

SPAK deri më tani nuk ka nisur asnjë hetim kryesisht për deputetin kryetar të PD-së, për nxitje dhune, pavarësisht se kjo thirrje për sule asgjësuese ndaj selive të PS-së, përsëritet prej tij, që pas protestës së 20 shkurtit.

Sali Berisha u pyet në një konferencë për mediat, edhe për kontrastin e thellë, se teksa proteston kundër korrupsionit qeveritar, nuk i bashkohet banorëve të Rrjollit  kundër biznesmenit dhe botuesit Bashkim Ulaj që po ngre resort në tokat e pretenduara prej tyre në Velipojë.