TIRANË- Pjesa më e madhe e deputetëve të Partisë Demokratike, vijojnë që të refuzojnë të bashkohen me Sali Berishën. Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Rithemelimit, e cila u drejtou nga Luciano Boçi, ishin të pranishëm deputetët që mbështesin Berishën, ndërsa mbledhjes ju bashkua për herë të parë deputeti Zef Hila. Në fjalën e tij Sali Berisha, deklaroi se qeveria dhe kryeministri Edi Rama kanë dijeni për fatin e Ervis Martinajt. Berisha tha se prokuroria kontrollohet nga Rama, ndërsa mban një trup të ndarë më 6 copash, por nuk bën asnjë përgënjeshtrim.

'Po Prokuroria? Çfarë prokurorie është kjo për të cilën thuhet se mban një kufomë të ndarë në 6 copa e nuk bën një përgënjeshtrim? Se është e kontrolluar tërësisht nga Edi Rama.'- tha Berisha.

Berisha dha garancinë se aksioni opozitar do të shtrihet në rrugë e sheshe, ndonëse vjeshta e zjarrtë e protestave që kishte paralajmëruar, ende nuk ka ardhur. 

‘Ne do vazhdojmë betejën tonë në parlament, në salla, në rrugë, në sheshe. Do bëjmë gjithçka për të justifikuar pritshmëritë e shqiptarëve ndaj Partisë Demokratike dhe opozitës.’- u shpreh Berisha.

Ngjarjet e fundit të ndodhura në vend, Berisha i risolli në vëmendje përmes akuzave për qeverinë, për të cilën tha se ka shpërbërë shtetin ligjor. Berisha tha se sot në pikat kufitare qarkullojnë lirshëm, hyjnë dhe dalin të kërkuar e të pakërkuar pasi sistemet nuk funksionojnë.

'Në zhvillimet e fundit në vend, gjithçka dhe çdo sekret, çdo e dhënë e fshehtë, që ka ekzistuar në arkivën e vendit tonë për banda dhe kriminelë, sot është në treg. Kjo përbën një zhvillim në pamje të parë shumë tronditës. Por kur mendohesh, dhe arsyeton, konstaton se banditët më të mëdhenj të këtij vendi, shefat e bandave të vendit, janë në parlament, janë në qeveri, janë në institucione, atëherë është e kotë të dramatizosh një diçka që në një vend normal është me të vërtetë dramatike. Sot, në pikat kufitare qarkullojnë lirshëm të kërkuar dhe të pakërkuar, pasi sistemet nuk funksionojnë. Por përsëri, sot, ortakët e tyre, hyjnë në parlament, hyjnë në qeveri, hyjnë në institucione. Po të krahasosh se pasuritë e krijuara nga ata, me akte malavite, krahasuar me ministrat dhe kryeministrat me firma e dokumente zyrtare, ato janë thërrime. Nuk është e rastit që ndodhi këto. Është e vërtetë që ishte një sulm i një fuqie armike, por këto kanë ndodhur siç e dinë të gjithë shqiptarët, rëndom nga vetë qeveria dhe bandat e saj. Ajo që po ndodh në Shqipëri, është shpërbërja e plotë e shtetit ligjor. Shpërbërja totale.'- u shpreh Berisha.

Të pranishëm në mbledhje ishin deputetët Edi Paloka, Belind Këlliçi, Bujar leskaj, Agron Çela, Kasëm Mahmutaj, Edmond Spaho, Agron Shehaj, Albana Vokshi, Luçiano Boçi, Luan Baçi, Ina Zhupa, Sorina Koti, Flamur Noka, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti dhe Zef Hila.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:01
Berisha: 3400 qytetarë u burgosën për ndërtimet pa leje

 

Duke folur për ligjin e konfiskimeve të ndërtimeve pa leje, Sali Berisha deklaroi sot se 3400 qytetarë u burgosën për ndërtimet pa leje. Sipas Berishës, Rama me firmosjen e një akti të tillë, po shkelmon kushtetutën.

‘Qytetarët flasin se Edi Rama është aksioner në çdo kullë. Unë nuk mund të them, por një kryeministër që firmos një akt të tillë, që shkelmon Kushtetutën dhe Kodin Penal, një kryeministër që bllokon, që nuk ka asnjë të drejtë, në Shqipëri as presidenti nuk e ka të drejtën e faljes për ata që janë në proces gjyqësor. Pas procesit ekziston ky atribut i presidentit.

Një njeri, që kontrollon çdo pushtet, dhe që ka interes vetëm pasurimin e tij dhe të familjes së tij, i lejon vetes një akt të tillë të pashembullt.

Çfarë do u themi ne 3400 qytetarëve që hynë në burgje dhe vdiqën prej tyre? Çfarë shteti është ky? Ky është antishtet. Ky është shtet pa asnjë siguri ligjore, juridike.

Këto i realizon njeriu që ka futur në dorë të gjitha pushtetet. Po çfarë janë bandat në krahasim me këto akte? A mund të më thoni ju mua?’- tha Berisha.

Ora 13:50
Berisha flet për zhdukjen e Ervis Martinajt: Prokuroria ka një kufomë të ndarë më 6 copa, por nuk bën asnjë përgënjeshtrim

 

Sali Berisha në mbledhjen e deputetëve të Rithemelimit, ka folur edhe për zhdukjen e Ervis Martinajt. Berisha tha se prokuroria kontrollohet nga Rama, ndërsa mban një trup të ndarë më 6 copash, por nuk bën asnjë përgënjeshtrim.

‘Nuk ka sektor që ky nuk ka shtrirë tentakulat e veta. Tani na flet për, ‘ia morën lojërat e fatit Ervis Martinajt dhe tani thotë ku është. E di vetë ai ku është. Ai ishte biznesmeni i lojërave të fatit. Olsi Rama është përfolur si njeriu në hije i këtyre lojërave të fatit.

Shko dhe pyet Batonin se ata e dinë. A nuk shkruajtën ata është në 6 copa në prokurori?! Një njeri i zhdukur dhe një shtet bandit që thotë se është në 6 copa në prokurori. Nuk e tha Fuga por ata që janë Fugat e tij. A nuk ishte Baton Haxhiu që para dy tre muajsh që thoshte Linda është për presidente. Tani shkruan është në 6 pjesë.

Po Prokuroria? Çfarë prokurorie është kjo për të cilën thuhet se mban një kufomë të ndarë në 6 copa e nuk bën një përgënjeshtrim? Se është e kontrolluar tërësisht nga Edi Rama.

Po njeriu çfarëdo që ti ketë ndodhur nuk mund të trajtohet kurrë në këtë mënyrë, familja njoftohet nëse është në 6 copa dhe është kod shekullor. Pastaj pyet po e gjejmë po s’kemi prova. Çfarë prova? Provat i ke nxjerrë me Batonin me dy njerëzit më të besuar pas Fugës. U ndala për të theksuar shkallën ekstreme të degradimit të kësaj qeverisje”, u shpreh ai.

Ora 13:44
FOTOLAJM/ Nga SPAK te Berisha, Zef Hila i bashkohet për herë të parë mbledhjes së ‘Rithemelimit’

1663760699_5b56b1e6dbe24519a3ffbb7779edb24a.jpg

Ish-kryebashkiaku i Vaut të Dejës dhe aktualisht deputet i Partisë Demokratike, është paraqitur ditën e sotme në SPAK dhe më pas është paraqitur te mbledhja e Rithemelimit të Berishës, për herë të parë.