TIRANË- 32 vjetori i rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, e gjen Partinë Demokratike në përpjekje për të çuar në fund një tjetër revolucion, që thotë se e nisi për të shpëtuar pluralizmin politik. 

Sali Berisha, përmes një deklarate para mediave, u shpreh se 20 shkurti i vitit 1991 është frymëzimi për betejën e nisur ndaj kryeministrit Edi Rama.

 “20 shkurti frymëzon më shumë se çdo gjë tjetër, shqiptarët të ngrihen në një revolucion. Se vetëm nga një revolucion do mund të përmbyset ky regjim që shkelmon votën, që shkelmon liritë, që vjedh pasuritë, vjedh buxhetin, që nuk njeh normë, moral e ligj, Kushtetutë”, tha Berisha.

Duke e quajtur kreun e qeverisë fatkeqësi kombëtare, Berisha heq një paralele mes tij dhe diktatorit Enver Hoxha.

 “Ky pasardhës i denjë i bllokmenëve hoxhistë, është sot, pa diskutim njeriu që ka vjedhur shqiptarët më shumë se kushdo në historinë e tyre. Me politikat që ka ndjekur ka tejkaluar suksesin e platformës së Çubrilloviçit për shuarjen e kombit shqiptar. Shuarjen e këtij kombi. Edi Rama përbën rrezik madhor ekzistencial”, tha ai.

Pas fjalës së tij, Berisha ka mbledhur sot drejtuesit politikë të qarqeve ku iu dha porosi që të organizohen për atë që quan “revolucion paqësor”.

 “Nuk kanë përjetuar dhe nuk kanë asgjë në memorie për një revolucion paqësor. Të tjerë me të drejtë e dëgjojnë me skepticizëm këtë fjalë, por e vërteta është se në kushtet e këtij monizmi ka dhunuar Kushtetutën, shtetin ligjor pa një elektroshok të fuqishëm të këtij sistemi. Unë nuk di se si mund të ketë zgjidhje tjetër. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë një punë të jashtëzakonshme për të bindur shqiptarët për t’i tërhequr shqiptarët në këtë lëvizje. Mendoj se jemi në fillim e tij.”, tha Berisha.

Në fund, ai i ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e 3 shkurtit të cilën do e mbajë në orën 12:00.