Kreu i PD-së Sali Berisha ka komentuar raportin e Avokatit të Popullit në Kuvend, teksa tha se paraburgimet masive, tregojnë dështimin e drejtësisë.

Po ashtu Berisha ka deklaruar se vrasja e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja tregon se vjen mungesa e drejtësisë.

“Sot diskutojmë raportin e Avokatit të Popullit në Kuvend, në një vend Kushtetuta është një letër e vdekur dhe të drejtat themelore të njeriu janë të humbura dhe inekzistente. Sot janë trajtuar paraburgimet masive. Një dëshmi e shëmtuar e dështimit të drejtësisë, një dhunim masiv i të drejtave të qytetarëve, një mohim i vërtetë për një proces të ligjshëm. Natyrisht në këtë dramë të madhe, Avokatit i Popullit ndodhet në pozicionin ‘bir Selman i nënës, cilin të qaj më të parin’. Një situatë dramatike si kjo nuk ekziston në asnjë diktaturë në botë. Qytetarët e një vendi kanë të drejta themelore, sic është procesi gjyqësor i drejtë.

Si në asnjë vend tjetër, presin 16 vite për drejtësi. Kur unë mendoj se kreu KLD, deklaron se nga një vitin në tjetrin, afati 16 vjetor, është shkurtuar me 16 ditë. Ju garantoj që edhe në diktaturë, qytetarët e vendeve të tjera janë më të përfillur sesa në Shqipëri. Drejtësi e munguar. Drejtësi që shkakton shpërthime. Ne e pamë vrasjen e gjykatësit, që kurrë nuk pranohet. Pra kemi të bëjmë me mohimin e një të drejte,  që shqiptarët janë ndarë nga shoqëria parashtetërore. Edhe në perandorinë osmane dhe në diktaturë e kanë gëzuar. Sot ligjin e gëzojnë vetëm qeveritarët”, tha Berisha.

Më tej kryedemokrati tha se drejtësia e munguar po i çon shqiptarët në vetëgjyqësi.

“Çfarë drejtësie bëhet fjalë, sipas kreut të KLGJ, zbardhja e vendimeve kërkon 1200 ditë. Shkoni në burgje dhe shihni sesi djemtë e ri janë aty. Në këtë kontekst dhe duke vlerësuar të gjitha qëndrimet e Avokatit të Popullit, i cili është edhe në kushte pamundësie që të iu lexojë ligjin atyre që s’kanë as ligj dhe as moral. Përsëri mendoj që ky institucion duhet të jetë zëdhënës i fuqishëm i gjendjes dramatike të qytetarëve shqiptar dhe e kësaj reforme që i shtyu shqiptarët vetëgjyqësi”, tha Berisha.


Lajmi kryesor:

Avokati Popullit në Kuvend, raporton Erinda Ballanca: Duhet mbështetje financiare! Vetëm 23% e rekomandimeve janë zbatuar