Ish-kryeministri Berisha i pyetur se pse në formularin e tij të vetëdeklarimit rezulton se ai ka ndërruar ditëlindjen është shprehur se ka qënë gabim teknik pra thjesht "një teknikalitet".
"Eshtë thjesht teknikalitet sepse ka qenë një gabim për arsye teknike. Nuk e mbaj mend se kur ka ndodhur, por mund ta gjej se dokumentet aty janë. Ju s’duhet të bëni avokatinë e krimit"- u shpreh Berisha
Ja deklarata e Berishës pyetje-përgjigje
Gazetarja e Report TV: Datën e lindjes zoti Berisha...
Berisha: Atë që i bëra diktatorit ata s'e falin dot kurrë, unë bëj fjalë për ndryshime që fshehin dosje, Edi Rama... Ai është një teknikalitet pa asnjë vlerë
Gazetari: Mirë, emri Edvin nga Edi s'ka ndryshim...
Berisha: Jooo, ajo të shpëton nga dosja...
Gazetarja: A e keni ndryshuar datën e lindjes, s'e morëm përgjigjen?
Berisha: Është teknikalitet, është thjesht teknikalitet, tërësisht teknike dhe domethenë.. tërësisht teknike.
Gazetarja: Është një dëshmi e rremë?
Berisha: Jo.
Gazetari: A mund të jetë një arsye që mazhoranca të kërkojë heqjen e mandatit tuaj?
Berisha: Ditëlindja? Absolutisht jo. Me emrin është tjetër, me ditëlindjen tjetër. Unë i kam dokumentet, po desha aty e gjej, po tani s'e mbaj mend se kur ka ndodhur.
Ish kryeministri Berisha ftoi median që të marrin listat e deputetëve pasi sipas tij, në koalicionin e majtë, janë 23 deputetë me precedentë kriminale.
(Pyetja drejtuar Berishës për ndryshimin e ditëlindjes dhe përgjigja e ish-kryeministrit)
“Jam për të denoncuar se nuk ka më kriminelë se ai ose ajo që fut vrasësit në tempullin e demokracisë. Ç'janë dy vëllezërit Frroku, a nuk janë në një akuzë? Merrni listat e deputetëve a do u dalin 19 apo 24. Mos u ngutni për të bërë vlerësime sepse në rrafshin cilësor vrasësi është vrasës. Ne do merrni listat e aleancës së qelbësirave, aty do gjeni jo 19 por 23 kriminelë. E sfidoj këtu dhe para gjithë botës, gjej qoftë dhe një të vetëm, jo tani por nga ‘91 gjer më sot në listat e deputetëve të PD me precedentë e vrasje unë dorëzoj mandatin. Rama i tha ambasadorit se mori kriminelë nga veriu”, tha Berisha.
(Fjala e plotë e Sali Berishës jashtë sallës së kuvendit, prononcimi për mediat)
Ora 16:55 Blushi: Berisha thotë të vërtetën, po qeverisni me metodat e Saliut
Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi u shpreh sot në Kuvend se socialistët po qeverisin me metodat e Sali Berisha. Ai tha se e beson ish kryeministrin e demokratëve kur thotë se "jam larguar, por vazhdoj të qeveris". "Iku Saliu në vitin 2013-ë. Unë kam 20 vjet që nuk e besoj atë, por një gjë ama ja besoj kur thotë që unë u largova po unë vazhdoj të qeveris, sepse asgjë nuk ka ndryshuar që prej largimit tim. Saliu ka ikur po metoda e qeverisjes së Saliut vazhdon", u shpreh Blushi.
Ai theksoi gjithashtu se mes Berishës e Ramës ka një garë kush ka futur më shumë kriminelë në Kuvend. Sipas tij, ligji i dekriminalizimit nuk do të zbatohet për shkak se mes palëve ka një pakt për mbrojtjen e të inkriminuarve.
"Kush ka futur më pak njerëz me precedent penal? Kush nga ata që ligji i dekriminalizimit duhet t'i kapte por s'i kap për shkak të paktit partiak, ka shitur më pak drogë? Kjo do të thotë se gara e dëmeve ka për të vazhduar. Ishte një pikë që u fol për energjinë elektrike. Kush ua ka shitur më shtrenjtë shqiptarëve energjinë, PD apo Rilindja? Kush ka dy palët i ka dëmtuar më shumë konsumatorët? E vërteta në këtë Kuvend nuk po del", tha Blushi.
Deputeti socialist kritikoi edhe ligjin e qeverisë për tokat bujqësore. Sipas tij, ky ligj shtyn masakrën e trajtimit të pronës në Shqipëri.
"Edhe një pikë për trajtimin e tokave bujqësore, shtyn masakrën e trajtimit të pronës në Shqipëri. Shtyn datën e masakrës me afat të pacaktuar", shtoi Blushi.
(Ben Blushi)
Ora 14:40 Berisha-Ruçit: Më nderon me një vendim të tillë që të më dënosh
Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha i është kundërpërgjigjur deklaratës dhe propozimit të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, për përjashtimin e tij për 10 ditë nga parlamenti.
Berisha ka deklaruar se me këtë vendim, ai nderohet.
“Më nderon me një vendim të tillë që të më dënosh. Ju keni fobi nga shqiptarët”, tha Berisha.
Ai shtoi se, u acarua në fjalën e tij pasi prej shumë vitesh qëndron në një Kuvend me trafikantë droge, trafikantë femrash, vrasës, kriminelë e hajdutë.
“U acarova pasi 2 vite me radhë jam ulur me vrasës, trafikantë vajzash e grash shqiptare, trafikantë droge, kriminelë të shëmtuar që nuk meritojnë kurrë të ulen në Kuvend, jam ulur në këtë parlament duke duruar presione të klaneve të drogës. Ligji tregoi se kush është ulur në këtë parlament. Këto i solli Rama në Parlament. Ai justifikohet para diplomatëve se ata janë kriminelë, por në ato zona vetëm me ta fitohej. Ja mora Berishës se ai i përdorte përpara”, tha ai.
Ai ka sfiduar kolegët socialistë që të gjejë një deputet në radhët e PD-së që ëhstë vrasës, kriminel, trafikantë droge apo prostitucioni.
“Ligji erdhi, ky grup parlamentar i PD-së është firmë e Sali Berishës në zgjedhjet e vitit 2013. Asnjë prej tyre nuk ka një penalitet më të voglin për asnjërën nga veprat e cituar në ligj. Unë sfidoj të marrim listën e 140 deputetëve, përgjegjësia ime është e njëjtë si për secilin prej këtu. Nëse gjendet ndonjë për vrasje, trafik droge e prostitucioni. Gjeni një deputet që nga viti 1991 të dënuar, nga çdo vend. Në listat e deputetëve të PD-së, asnjë i inkriminuar’ tha ai.
Ora 14:40 Ruçi: Të përjashtohet 10 ditë Berisha
Kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi ka kërkuar përjashtimin me 10 ditë nga Kuvendi të Sali Berishës dhe kjo lidhur me akuzat që i bëri Ramës
"Kërkoj mbledhjen e Byrosë që të marrë masat përkatëse për ta përjashtuar Berishën 10 ditë nga Parlamenti"- tha Ruçi.
(Fjala e Ruçit nga foltorja)
Ora 14:20 Berisha: Rama të japë llogari pse i quan veriorët kriminelë
Nga foltorja e Kuvendit ish kryeminsitri Berisha ka vijuar me akuzat ndaj kryeministri Rama e këtë herë për formularët e vetëdeklarimit. Në fjalën e tij Berisha tha se Rama duhet të japë llogari edhe për atë që ka thënë se në veri të vendit ka kriminelë. Situata u tensionua në Kuvend kur Berisha i kërkoi kryeministrit Rama në foltore të japë llogari për këtë ndryshim. Deputeti socialist Taulant Balla nga vendi u ngrit duke i'u drejtuar me tone të ashpra ish kryeministrit i cili e ka quajtur edhe atë kriminel
"Rama me një racizëm të ulët të ndryrë anti shqiptarë paraqet veriun si kullë kriminelësh, dhe dijeni të dashur qytetarë nga veriu se ky është koncepti anti-shqiptarë për ju. dëgjoja në TV njeriun ëm të afërm të tij që thonin nga Laçi Vermosh e Tropojë ka vetëm kriminel. Ai i thotë të huajve se veriu ka kriminelë"- tha Berisha.
Ai tha se është akuzuar se i ka ndërruar emrin kryeminsitrit Rama po tani rezulton se e ka ndërruar vetë sipas formularit e për këtë duhet të japë llogari. Berisha tha se Rama e ka ndërruar emrin pasi akuzohet në hotelet e Spanjës për një krim të tmerrshmë
"Ligji i Dekriminalizimit zbuloi fytyrën e vërtetë të krimit, vrasësit, trafikantët dhe ujo vetëm dhe njerëzit me dy emra dy fytyra katër emra dhe jo ata që e ndërrojnë me dëshirën e tyre. Them për ata që kanë gjetur të mbulojnë krimet me ndërrimin e emrit. Për Ramën jam akuzuar se po i ndërroj emrin po ja që doli që s'ja kam ndërruar unë emrin po e ka ndërruar ai. I kam thirrur në emin e vërtetë, të vijë të tregojë këtu se për shkak të dosjes spanjolle e Katrovskit nga edvin u bë Edi. Në një kohë kur mediat e kanë akuzuar për krim në hotelet spanjolle. Janë në media kur e akuzonin"- tha ish kryeministri.