Në këtë ceremoni kryeministri Sali Berisha ishte i ftuar nderi dhe u shoqërua nga bashkëshortja etij, zonja Liri Berisha ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu. Festimet përkojnë edhe me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë kujtoi me mirënjohje themeluesit e saj, të cilët në një kohë përcaktuese për fatet e kombit u bashkuan dhe themeluan organizatën e vlerave të mëdha kombëtare.
“Ne nderojmë sot Fan Nolin dhe Faik Konicën, Paskal Aleksin dhe Lambi Çikozin, Elio Tromarën, Kosta Vasilin, Koço Kota e shumë të tjerë, të cilët në një kohë përcaktuese për fatet e kombit u bashkuan këtu dhe themeluan organizatën, të cilën gjeniu i mendimit shqiptar Fan Noli do ta pagëzonte dhe do të përzgjidhte për të midis të gjithë emrave, më të bukurin, më kuptimplotin, “Vatrën”. Ne nderojmë sot këtu përpjekjet dhe kontributin e madh historik që kjo organizatë ka dhënë në pavarësinë e Shqipërisë. Nderojmë kontributin e madh dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që vatranët dhe diaspora në këtë vend dha, për themelimin e Kishës Autoqefale shqiptare, si bastion i fuqishëm i besimit të shqiptarëve, atdhetarisë së tyre. “Ky 100 vjetor, është një homazh i madh për ata burra që 100 vjet më parë themeluan këtu në atdheun e lirisë në vendin e madh të lirisë, “Vatrën” , si vatër të lirisë së kombit shqiptar"- tha Berisha.
Kryeministri vlerësoi shqiptarët që jetojnë në SHBA për ndihmën që kanë dhënë që cështje të rëndësishme shqiptare të qendrorin në vëmendje të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
"Pas lufte ne përjetuam një nga diktaturat më të mëdha, por nuk është e rastit aspak vendimi i presidentit Truman për të ndihmuar shqiptarët, për tu çliruar nga diktatura komuniste. Ky burrë i madh i kombit amerikan përzgjodhi shqiptarët që ti ndihmonte që të dilnin nga diktatura. Në vitet ‘90 për fat të keq jo të paktë ishin ata të cilët mendoni se Shqipëria duhet të qëndrojë si “Kuba e Adriatikut” , eksperimenti më tragjik i socializmit, por këtë nuk mendonin shqiptarët, këtë nuk e mendonte qeveria e SHBA , e cila me valët e Zërit të Amerikës, u shndërrua në kushtrimin, zërin e fuqishëm, apelin e madh të shqiptarëve, që të ngrihen për liri dhe dinjitet. Qeveria e SHBA ndihmoi Shqipërinë dhe shqiptarët të ndërtojnë demokracinë e tyre. Presidenti George Bush i vendosi linjën e kuqe kasapit të Ballkanit në Kosovë, linjë të cilën do ta mbante Klinton. Presidenti Bill Klinton udhëhoqi Aleancën e Atlantikut të Veriut në luftën për çlirimin e Kosovës.” – nënvizoi Berisha.
Kryeministri e mbylli fjalën e tij me një rrëfim: “Nuk ka gjë më të dhimbshme kur sheh bashkatdhetarët e tu, që largohen nga vendi i tyre, por asnjëherë nuk ndien dhimbje për ata që vijnë në SHBA, sepse në këtë vend të madh ata mbeten ndër shqiptarët më të mirë, sepse në këtë vend të madh, ata i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve kontributin dhe ndihmesën më të madhe, sepse në këtë vend të madh, ata faktojnë atë miqësi dhe bashkëpunim me SHBA që ka pasur dhe ka një rëndësi jetike për Shqipërinë, shqiptarët dhe Kosovën , sepse në këtë vend të madh ata kanë të gjitha mundësitë që të shpalosin gjeninë e tyre në të gjitha fushat. Këto ditë janë dy shqiptarë që garojnë këtu në metropolin e botës për parlamentarë Ken Biberaj dhe Mark Gjonaj.”
VATRA 100 VJET
E krijuar më 28 prill të vitit 1912 në Boston, por me qendër dje në New York, Vatra festoi ditën e djeshme 100 vjetorin e themelimit të saj. Me këtë rast u mbajt Konferenca Shkencore ”Federata Pan-shqiptare e Amerikës ”VATRA, 100 vjet në shërbim të Kombit” ku studiues të njohur të botës akademike shqiptare, paraqitën kumtesa, në të cilat ritheksohej roli i kësaj federate që nga arritja e saj thelbësore, themelimi i shtetit shqiptar, deri në këtë 100 vjetor. Në aktivitet morën pjesë dhe kKryetari zoti Gjon Bucaj, Zëvëndës Kryeministrja e Maqedonisë zonja Teuta Arifi, ministri i Kosovës për diasporën Ibrahim Makolli, krerët e të katër komuniteteve fetare, të atij mysliman, katolik, ortodoks dhe komunitetit bektashian, anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të Vatrës si dhe një numër shumë i madh shqiptarësh të diasporës nga SHBA, por edhe Kosova, Maqedonia, Mal i Zi e Lugina e Preshevës, përfaqësues të arbëreshëve të Italisë, studiues, historianë, intelektualë, personalitete të kulturës, artit, shkencës, si dhe shumë të ardhur enkas nga Shqipëria për të festuar 1 shekull të Vatrës.
ne foto Kryeministri Berisha në ceremoninë e festimeve të 100 vjetorit të Federatës Pan Shqiptare "Vatra")
(sg/shqiptarja.com)