TIRANË - Nëse zgjedhjet do të mbaheshin aktualisht, Partia Socialistë do të blindonte fitoren në qarkun më të madh të vendit, Tiranën, me 7 mandate më shumë sesa Partia Demokratike. Të dhënat e publikuara në sondazhin e fundit për këtë vit të emisionit 'Repolitix' në bashkëpunim me analistin Eduard Zaloshnja, tregojnë se në Tiranë, PD bie ndjeshëm krahasuar me rezultatin e marrë në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Kështu, sipas anketimit, në të gjithë qarkun e Tiranës, PS merr 46% të votave dhe PD 26.6%. Suprizë janë partitë e reja, që në zgjedhje mund të marrin së bashku deri në 8 mandate, ose 24.1% të votave.

Në Shkodër PD e PS do të jenë në betejë kokë më kokë. Sondazhi tregon se me një diferencë shumë të ulët votash, PS mund të arrijë të thyejë rezultatin e zgjedhjeve të shkuara, e të marrë 33.6% të votave, ndërsa PD merr 33.5% . Këtu, partitë e reja nuk kalojnë 18.8% të votave.

Përkthyer në mandate, Shkodra i jep PS dhe PD nga 4 mandate, partive të vjetra të vogla 2 dhe 1 mandat partitë e reja.

Edhe në Dibër, Lezhë e Durrës sipas sondazhit, PD bie me 1 mandat dhe PS rritet me 1.

Konkretisht nëse votohet sot në Dibër, PS merr 42.6%, PD 41.6% dhe partitë e reja 15.8%, përkthyer në mandate, 3 i merr PS dhe 2 mandate PD. Në Lezhë, PS merr 44.6% të votave dhe PD 41.6% ose PS merr 4 mandate dhe PD 3 mandate.

Durrësi u jep socialistëve 9 mandate , 4 më shumë se PD me 48.2% të votave.

Sondazhi ka analizuar edhe votën e emigrantëve. Sipas të dhënave, në Tiranë, Durrës, Lezhë e Dibër emigrantët i japin fitoren PS, ndërsa vetëm në Shkodër PD dominon me pak vota më shumë të emigrantëve. 

Ndërsa të pyetur për debatin e hapur mbi Tik Tok, të anketuarit janë shprehur pro vendimit të qeverisë për ta mbyllur.

Sipas sondazhit, 81% e shqiptarëve duan që ky aplikacion të mbyllet, 12.3% janë kundër dhe 6.7% të dyzuar. Pro mbylljes së Tik Tok në Shqipëri janë edhe emigrantët.

Metodologjia që është ndjekur për kryerjen e këtij sondazhi të kryer në datat 21-22 dhjetor 2024:

Kampioni, 16,913 votues të vendosur për të votuar qysh sot:

–  11,328 në 10 qarqet më të mëdha të vendit, të kontaktuar me SMS krejt të rastësishme të shpërndara në përpjestim me madhësinë e qarkut

–  5,585 votues nga emigracioni të kontaktuar përmes miqve/të afërmve të këtushëm.

Kampioni u ripeshua statistikisht në secilin qark, për ta përfaqësuar elektoratin e qarkut sa më mirë demografikisht, gjeografikisht dhe politikisht.

Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor: Për qarkun me më shumë banorë (Tiranën) plus/minus 2.9%, për atë me më pak banorë (Lezhën) plus/minus 4.4%.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:46
Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

1735156449_mandatettirane.jpg

Sondazhi i Report Tv dhe Eduard Zaloshnjës sheh fituese Partinë Socialiste në qarkun e Tiranës me 18 mandate, krahas 11 mandate të demokratëve. Interesantja në sondazh janë 8 mandatet për partitë e reja, ndërsa asnjë mandat për partitë e tjera të vjetra.

Në krahasim me 2021, PS mbetet po aty me 18 mandate, ndërsa PD në atë kohë kishte 15 mandate.

Partitë e reja nuk kishin asnjë mandat, ndërsa parti të tjera të vjetra kishin 3 mandate: 1 PSD dhe 2 LSI, të cilat sondazhi i nxjerr pa asnjë deputet nëse zgjedhjet bëhen sot.

Ora 22:44
Sondazhi/ Nëse zgjedhjet bëhen sot, PS merr 46% të votave në Tiranë, thellohet avantazhi ndaj opozitës, rriten partitë e reja

1735156290_tiranesondazh.jpg

Sondazhi për qarkun e Tiranës i zhvilluar nga Report Tv dhe Eduard Zaloshnja do shikonte fitues PS me 46% nëse zgjedhjet do bëheshin sot.

26.6% të votave do jepeshin për PD-në, 3.3% për partitë të tjera të vjetra dhe 24.1% do jepeshin për partitë e reja.

Zgjedhësit që jetojnë në Shqipëri do votonin 45.3% për PS-në, 26.9% për PD-në, 4.1% për parti të tjera të vjetra dhe 23.7% për parti të reja.

Sa i përket zgjedhësve në emigracion 47.3% do votonin PS-në, 26.1% PD-në, 1.8% parti të tjera të vjetra dhe 24.8% për parti të reja.

Ora 22:30
Sondazhi për Durrësin/ PS thellon diferencën ndaj PD-së me 9 mandate deputetësh, kundër 5 të demokratëve

1735156518_mandatetdurres.jpg

Nëse zgjedhjet do bëheshin sot Partia Socialiste do thellonte rezultatin në mandate në qarkun e Durrësit, sipas sondazhit të Report Tv dhe Eduard Zaloshnjas.

9 mandate do merrte mazhoranca socialiste, kundër 5 të PD-së. Asnjë mandat për parti të tjera.

Në 2021 rezultati ishte 8 me 6 në favor të socialistëve.

Ora 22:29
Sondazhi/ PS merr Durrësin me diferencë të thellë në përqindje! Partitë e reja më të preferuara nga emigracioni

1735156326_durressondazh.jpg

Sondazhi i zhvilluar nga Report Tv dhe Eduard Zaloshnja për qarkun e Durrësit do shihte fitues Partinë Socialiste me një rezultat të thellë në pikë përqindje. PS do merrte 48.2% të votave, ndërsa PD 28.5%.

Partitë e vjetra të tjera 5% dhe partitë e reja 18.3%. sa i përket atyre zgjedhësve që do ishin të gatshëm të votonin sot dhe që jetojnë në Shqipëri, 47.8% do votonin PS-në, ndërsa PD-ja do votohej 29.1%, 5.6 % partitë e tjera të vjetra dhe 17.5% partitë e reja.

Zgjedhësit në emigracion do votonin 49% për PS-në dhe 27.3% për PD-në. 3.9% do votoheshin partitë e tjera të vjetra dhe 19.8% partitë e reja.

Ora 22:12
Sondazhi i Lezhës, PS përmbys rezultatin dhe merr 4 mandate deputetësh

1735156549_mandatetlezhe.jpg

Sa i përket sondazhit të Lezhës të zhvilluar nga Report Tv dhe Eduard Zaloshnja, PS do merrte 4 mandate deputeti dhe do përmbyste rezultatin e 2021.

3 mandate do merrte Partia Demokratike. Ndërsa parti të tjera qofshin të reja apo të vjetra do ishin pa ambasador.

Ndërsa në 2021 PD fitoi 4 mandate, ndërsa PS-ja mori 3.

Ora 22:11
Sondazhi për Lezhën, PS merr shumicën në këtë qark, diferencën e thellon emigracioni! Rriten partitë e reja

1735156350_lezhesondazh.jpg

Në sondazhin e zhvilluar nga Report Tv dhe Eduard Zaloshnja lidhur me zgjedhësit në qarkun e Lezhës, mazhoranca e PS-së do kishte një avantazh të ndjeshëm nëse zgjedhjet do kryheshin sot. 44.6% e zgjedhësve sot do votonin PS-së, ndërsa 41.6% do votonin PD-në e Berishës. 1.1% do votoheshin partitë e vjetra të tjera dhe 12.8% partitë e reja.

Sa i përket zgjedhësve që jetojnë në Shqipëri rezultati do ishte më i balancuar: 43.3% do votonin PS-në, 42.3% do votonin PD-në, 1.5% partitë e vjetra të tjera dhe 12.9% do vlerësoheshin partitë e reja.

Shqiptarët që jetojnë në emigracion do votonin më shumë për PS-në me 47.1%, krahas 40.1% që do votonin PD-në. 0.3% partitë e vjetra të tjera, ndërsa 12.5% partitë e reja.

Ora 21:51
Sondazhi i Dibrës, PS përmbys rezultatin merr 3 mandate deputetësh kundër 2-ve të PD-së

1735156572_mandatetdiber.jpg

Sa i përket sondazhit të qarkut të Dibrës të zhvilluar nga Report Tv dhe Eduard Zaloshnja, PS-ja do kapte 3 mandate deputeti nëse zgjedhjet do bëheshin sot, PD-ja 2, duke ndarë kështu të pesë mandatet në parlament që ofron ky qark.

Ndërkohë asnjë mandat nuk do rezervohej për partitë e tjera të vjetra dhe të reja. Rezultati do ishte përmbysje i asaj që ndodhi në zgjedhjet e fundit 2021, ku PD-ja doli fituese me 3 mandate, kundër 2 mandateve të PS-së.

Ora 21:49
Sondazhi për Dibrën, garë e ngushtë mes PS dhe PD, bojkotohen partitë e vjetra të tjera! Të rejat shohin ngjitje

1735156414_dibersondazh.jpg

Në sondazhin e Report Tv dhe Eduard Zaloshnjas u pyetën zgjedhësit e qarkut të Dibrës për kë do votonin nëse zgjedhjet do bëheshin sot. Shumica do i shkonte Partisë Socialiste me diferencë të ngushtë nga Partia Demokratike.

PS do merrte 42.6% të votave, PD-ja 41.6%. Partitë e reja do vlerësoheshin nga elektorati me 15.8% të votave, ndërsa parti të tjera të vjetra me 0%.

Sa i përket vetëm votuesve që jetojnë në Shqipëri që votojnë në Dibër, gara është më e ngushtë, me 41.8% PS-ja, kurse 41.7% PD-ja. Partitë e vjetra  të tjera 0%, kurse të rejat me 16.5%.

Shqiptarët që janë në emigracion do votonin në shumicë për PS-në me 44.2%, ndërsa PD-në me 41.5%. Partitë e vjetra të reja 0%, kurse të rejat me 14.3%.

Ora 21:24
Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

1735156614_mandatetshkoder.jpg

Në sondazhin e Report Tv në bashkëpunim me Eduard Zaloshnjan u pasqyrua si do ndaheshin mandatet në qarkun e Shkodrës nëse do votohej sot. PS do siguronte 4 mandate deputetësh, gjithashtu dhe PD-ja 4.

Partitë të tjera të vjetra do ndanin mes tyre 2 mandate, ndërsa të rejat 1 mandat deputeti.

Krahasim me 2021, ka një rënie të PD e cila në atë kohë mori 5 deputetë, ndërsa PS-ja 3.

Ora 21:22
Sondazhi/ Rezultati në Shkodër nëse do votohej sot, garë e fortë PD-PS, socialistët më të preferuar në Shqipëri, demokratët në emigracion

1735156376_shkodersondazh.jpg

Në sondazhin e sotëm të paraqitur nga Report Tv në bashkëpunim me Eduard Zaloshnjan zgjedhësit e qarkut të Shkodrës u pyetën se për kë do votonin nëse zgjedhjet do ishin sot.

Rezultati mes PS dhe PD është pothuaj i barabartë. 33.6% e zgjedhësve të Shkodrës janë për PS-në, ndërsa 33.5% janë për PD-në. 14.1% do votonin për partitë e vjetra të tjera, ndërsa 18.8% për partitë e reja.

Sa i përket zgjedhësve të Shkodrës që jetojnë në Shqipëri, rezultati është disi në favor të PS-së me 34% krahasim me 33.6% që do votonin për PD-në. 15% e zgjedhësve do votonin për partitë e tjera të vjetra, ndërsa 17.4% për partitë e reja.

Sa i përket atyre që jetojnë në emigracion PD-ja është disi në avantazh, me 33.2% të votave krahasim me 32.7% që do votonin PS-në.

Partitë e vjetra të tjera do votoheshin me 12.4%, ndërsa partitë e reja me 21.7%.

Ora 21:08
Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë

1735156265_sondazhtiktok.jpg

Në sondazhin e paraqitur sot nga Report Tv të zhvilluar në bashkëpunim me Eduard Zaloshnjan, shqiptarët u pyetën nëse janë dakord me vendimin e qeverisë për mbylljen e TikTok. 81 % e tyre janë dakord me këtë vendim. 12.3% mendojnë se nuk duhet mbyllur, ndërsa 6.7% janë të dyzuar. 

Sa i përket shqiptarëve që jetojnë brenda Shqipërisë, 80.5% e tyre janë dakord me mbylljen e TikTok, 12.7% kundër dhe 6.8% të dyzuar.

Ndërkohë vihet një pikë përqindje më e lartë pro mbylljes tek ata që jetojnë në emigracion, teksa 82% janë dakord, 11.6% kundër dhe 6.4% të dyzuar.