Besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe në mbarë botën kremtojnë lindjen e Krishtit, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin fetar. Në Tiranë mesha e ‘Vigjiljes së Krishtit’ u mbajt në Katedralen e Shën Palit. Mesha nisi në orën 23:00 (24 dhjetor) dhe u ndoq nga mijëra besimtarë. Ndërsa besimtarët ortodoksë kremtuan meshën paraditen e sotme në katedralen "Ngjallja e Krishti".
Kreu i kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës Arjan Dodaj që drejtoi meshën për besimtarët katolikë në Katedralen e Shën Palit përcolli edhe mesazhin e tij për Krishtlindje.
Duke theksuar se ky vit Jubile është cilësuar si vit i shpresës, Dodaj tha se shoqëria duhet të përqëndrohet te edukimi i brezave të tij.
“Kemi nevojë t’i edukojmë brezat e ri tek shpresa sepse janë të shpërqëndruar nga gjërat e kota, nuk dinë të shohin gjërat e bukura.
Kush nuk ka shpresë nuk ka familje, nuk jeton në rrjet, nuk është online me dashurinë me fenë e Zotin”,-tha ai.
Jo vetëm në Tiranë, lindja e Jezu Krishtit u kremtua me atmosferë festive e mesha në të gjitha qytetet e vendit. Qytetarët urojnë përmes Report Tv për më shumë shëndet , harmoni e mbarësi.
"Gëzuar Krishtlindjet për të gjithë, vetëm paqe dhe harmoni.
Gëzuar të gjithë shqiptarëve, sa më shumë mbarësi për të gjithë", thonë shqiptarët.
Festimet e Krishtlindjes përkojnë edhe me vitin jubile. Krishtlindja konsiderohet si një nga festat më të bukura, ku përkujtohet lindja e Jezu Krishtit, birit të Perëndisë, i cilësuar si shpëtimtari i njerëzimit. Simbol i saj është pema e Krishtlindjes, ndërsa në këtë ditë nuk mungojnë as dhuratat dhe gatimet tradicionale.
Redaksia e Report Tv dhe Shqiptarja.com urojnë të gjithë besimtarët Gëzuar Krishtlindjen!
Kisha Shën Jozefi në Fushë Arrëz u mbush si kurrë më parë në këtë vigjilje të lindjes së Krishtit. Teksa besimtarët u lutën për më shumë paqe dhe dashuri, famullitari Frat Andreas Valterman i ftoi ata që të shikonin Krishtlindjen si dritë shprese dhe jo thjesht si festë e dekoreve dhe dritave në qytete.
Qindra besimtarë pritën lindjen e Krishtit në dioqezën e Sapës. Në katedralen Nënë Tereza të Vaut të Dejës, Ipeshkvi Monsinjor Simon Kulli, teksa u lut për një botë më të mirë, ftoi besimtarët që të shikonin lindjen si shpresë për botën duke punuar për paqe dhe drejtësi.
Edhe këtë vit, qyteti i Korçës është mbushur me atmosferën magjike të Krishtlindjeve, një nga festat më të mëdha e më të pritura. Qytetarë vendas dhe vizitorë nga jashtë janë bërë bashkë për të festuar dhe për të kryer ritualet fetare në Katedralen “Ngjallja e Krishtit,” ku mesha e Krishtlindjeve u drejtua nga Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani. Mesazhet e përcjella për këtë ditë të veçantë theksojnë harmoninë, dashurinë dhe tolerancën midis njerëzve.
Pas përfundimit të meshës, qytetarët pritet të kthehen në shtëpitë e tyre për të vazhduar festimet në rrethin familjar. Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit është vënë re një rritje e ndjeshme e hyrjeve në doganën e Kapshticës, ku shumë bashkatdhetarë që jetojnë në Greqi kanë zgjedhur të festojnë Krishtlindjet në atdhe. Rekordi i hyrjeve është shënuar një ditë më parë, me 7,498 persona. Për të shmangur pritjet e gjata, autoritetet doganore kanë punuar me kapacitet të plotë, duke hapur të gjitha sportelet.
Korça, përveç programit festiv dhe reshjeve të borës që zbardhën qytetin mbrëmjen e djeshme, ka tërhequr një numër të lartë vizitorësh. Ambientet akomoduese janë të rezervuara plotësisht, duke reflektuar fluksin e turistëve. Mbrëmjen e Krishtlindjeve, qyteti ofroi një program artistik të veçantë, ndërsa restorantet dhe hotelet u kujdesën të sjellin një atmosferë të ngrohtë dhe festive përmes muzikës live dhe mikpritjes së tyre.
Besimtarët ortodoksë të Vlorës kanë kremtuar me shumë devotshmëri dhe gëzim festën e Krishtlindjeve, një nga ngjarjet më të shenjta në kalendarin e kishës ortodokse. Në Kishën e Shën Theodhorit, besimtarët janë mbledhur për të marrë pjesë në liturgjinë e mbajtur nga prifti At Kostandini, i cili ka uruar të pranishmit për ditën e shenjtë të lindjes së Krishtit. Gjatë mesnatës, ai ka theksuar rëndësinë e kësaj feste për jetën shpirtërore të besimtarëve dhe ka apeluar për më shumë dashuri dhe solidaritet mes njerëzve në këtë periudhë të vitit.
Po ashtu, At Kostandini ka përcjellë urimet e tij për vitin e ri, duke iu lutur Perëndisë që të sjellë paqe, shëndet dhe prosperitet për çdo familje dhe për qytetin e Vlorës. Pjesëmarrësit kanë qenë të shumtë dhe kanë ndarë momente gëzimi dhe reflektimi, duke ruajtur traditat e lashta të Kishës Ortodokse, si dhe duke kremtuar së bashku me të afërmit e miqtë.
Kjo ditë e shenjtë, e cila simbolizon lindjen e Shpëtimtarit, është shoqëruar gjithashtu me urime dhe mesazhe dashurie dhe mirësie mes besimtarëve. Ata kanë shkëmbyer urime për një vit të mbarë dhe të bekuar, duke forcuar ndjenjat e bashkëpunimit dhe harmonisë në komunitetin e tyre. Festimet e Krishtlindjeve kanë shërbyer jo vetëm si një mundësi për të kremtuar lindjen e Krishtit, por edhe për të mbajtur gjallë traditat dhe vlerat shpirtërore që i kalojnë brezat.
Qindra besimtarë të krishterë morën pjesë në meshën e vigjiljes së Krishtlindjes, e cila u mbajt në Katedralen e Shkodrës. Mesha e Shenjtë u udhëhoq nga Arqipeshkvi Angelo Massafra, i cili këtë vit celebron Krishtlindjen e fundit në detyrën e tij si udhëheqës i komunitetit katolik në kete dioqezë….
Në mesazhin e tij përpara besimtarëve, Arqipeshkvi Massafra theksoi rëndësinë që Jezusi të shërbejë si model për çdo besimtar në botë, duke i ftuar të ndjekin shembullin e dashurisë dhe solidaritetit të Krishtit.
Ai gjithashtu u ndal te sfidat dhe problemet sociale që përballon vendi ynë, duke u bërë thirrje besimtarëve për më shumë angazhim në ndihmë të atyre që janë në nevojë.
Besimtarët ortodoksë kanë marrë pjesë në meshën e shenjtë të krishtlindjeve në kishën ortodokse të Shën Gjergjit në Lushnje.
Mesha është mbajtur mëngjesin e sotëm nga at Josifi i cili ka përshëndetur besimtarët dhe mbarë shqiptarët për festën e krishtlindjeve
Besimtarët janë lutur dhe kanë uruar njeri tjetrin për paqe e begati.
Në Durrës, besimtarët e krishterë u janë drejtuar objekteve të kultit për të marrë pjesë në shërbesat fetare të organizuara për Krishtlindje.
Në meshën kushtuar lindjes së Krishtit mbrëmjen e djeshme, merrnin pjesë besimtarë të të gjitha moshave, të cilët luten për të qenë sa më pranë Zotit të tyre në këtë datë të shënuar për kalendarin e besimit katolik.
Ndërsa mëngjesin e kësaj të hëne besimtarët ortodoksë morën pjesë në meshën e mbajtur në Kishën Ortodokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti”, Durrës.
Qytetarët luten për më shumë paqe dhe mirësi mes njerëzve, ndërsa në përfundim të meshës nuk kanë munguar urimet për njeri-tjetrin.
Krishtlindja një prej festave më të rëndësishme për katoliket u kremtua edhe në Lezhë. Qindra besimtar ju bashkuan ritualit fetar të lindjes së Jezu Krishtit në katedralen e Shën Nikollit, ndërsa mesha e shenjte e mbrëmjes të së martës u drejtua nga Ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës Monsinjor Otavio Vitale.
Në fjalën e tij para besimtarëve, ipeshkvi Vitale foli për rëndësinë që ka krishtlindja, duke vene theksin tek dashuria mes njëri tjetrit në këtë situatë të vështirë që po kalon njerëzimi nga luftërat në disa vende të botës. Një mesazh pati edhe për qeveritarët, duke iu kërkuar që mos të ndjehen zotërinj, por shërbëtor, pasi ata po sundojnë mbi njerëzit.
Mesha e shenjtë e Krishtlindjes në Lezhë zgjati deri pas mesnate e më pas besimtaret u shpërndanë duke uruar njëri-tjetrin për më shumë paqe e begati. Ajo çfarë u vu re këtë vit ishte prezenca e lartë e qytetareve në kishë dhe jashtë saj të cilët ndjekin ritualin fetar, ndërsa për të shmangur kaosin në lëvizje rruga përballë katedrales u bllokua nga policia.
Besimtarët ortodoksë kremtuan sot në mëngjes meshën e Krishtlindjeve në Katedralen Ortodokse "Ngjallja e Krishtit".
Qindra besimtarë morën pjesë në meshë. Ndërkohë mbrëmjen e djeshme u mbajt mesha edhe në Katedralen Katolike të Shën Palit në Tiranë.
Shqiptarët urojnë Krishtlindjet, duke i uruar mbarësi, fat dhe shëndet të gjithëve. Për Report Tv, shqiptarët thonë se shpresojnë për më shumë solidaritet e harmoni.
“Gëzuar për shumë vjet.
Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve, mbarësi, fat shëndet të gjithëve.
Gëzuar Krishtlindjet për të gjithë, vetëm paqe dhe harmoni.
Gëzuar të gjithë shqiptarëve, sa më shumë mbarësi për të gjithë.
Gëzuar Krishtlindjet të gjithë besimtarëve katolikë.
Fat, shpresë bekim për të gjithë shqiptarët. Një vit me sa më shumë solidaritet”, thonë shqiptarët.
Mesha e Krishtlindjeve, sot në Kishën Katolike 'Pjetri dhe Pali' në Lushnjë
Mesha e shenjtë e Krishtlindjeve u mbajt mbrëmjen e sotme edhe në Kishën Katolike të shenjtëve Pjetri dhe Pali, në Lushnjë.
Besimtarët të shumtë katolikë kanë marrë pjesë. Meshën e drejtoi Dom Gjoni, i cili ju drejtua besimtarëve me fjalët e paqes dhe begatisë.
Në kishën "Pjetri dhe Pali", mesha e shenjtë u mbajt në orën 21:00, mes dekoreve shumëngjyrëshe dhe tingujve të kambanave për festën e lindjes së Jezu Krishtit.
Krishtlindja në nga festat më të rëndësishme për besimtarët katolik, u kremtua në kishën e “Shna Ndout”. Ky vend i shenjtë mblodhi qindra besimtarë gjatë mbrëmjes të kësaj të marte, ndërsa mesha e shenjtë u mbaj brenda ambienteve të kishës.
Rituali fetar u kremtua nga Pader Kastriot Demaj, i cili përcolli mesazhin e tij për festën e Krishtlindjes. Kisha e Shna Ndout në Laç është kthyer në epiqendrën e qindrave qytetarëve të besimeve të ndryshme fetare nga e gjithë Shqipëria në këto ditë festash të fundviti.
Ata adresojnë lutjet e tyre në këtë vend të shenjtë i cili ka bërë mrekulli të shumta.
Prifti Patër Kastriot Demaj i cili kremtoi meshën përcolli mesazhe mirësie dhe vllazërie në këtë ditë të shënuar për të krishterët në gjithë botën.
Sipas Ungjillit të Lukës dhe Mateut, Jezusi lindi nga Mëria në Betlehem, ku ajo dhe i shoqi i saj Jozefi po pushonin rrugës për në vendlindjen e tyre, Nazaret, për të marrë pjesë në numërimin e mbarë popullsisë urdhëruar nga perandori August.