Afati prej 100 ditësh dhe porosia e veçantë e Edi Ramës ndaj kryepolicit Muhamet Rrumbullaku lidhur me zhdukjen e Ervis Martinaj ka nxitur reagimin e kryetarit të Rithemelimit, Sali Berisha. Gjatë një takimi me ekspertë, Berisha u ndal te porosia e Ramës ndaj drejtorit të ri të policisë së shtetit ku tha një tjetër version për zhdukjen e të shumëkërkuarit të drejtësisë të cilin e lidhi me ligjin për lojërat e fatit, ku përfshin edhe vëllain e kreut të qeverisë, Olsi Rama. Sipas tij, Rama po qeveris me krimin, ndërsa Martinajn, të cilit Berisha i drejtohet me shkurtimin “Visi” i kërkon ta gjejë te lojërat e fatit, jo te policia.

“Sot Edi Rama porositi Muhamet Rrumbullakun për Ervis Martinajn. Ja u tregoj unë ku është Vis Martini. Martini është te lojërat e fatit. Shko pyet Olsin dhe ta thotë Olsi. Njerëzit e kanë të qartë si drita e diellit. Ai ishte njëshi i lojërave të fatit, i vëllai i tij është hija e tyre. Sa ishte ai ishin ilegale, iku ai askush se di se ku iku, por dimë që lojërat u bënë të ligjshme tani. Gjithçka lëviz nga një trajektore që vjen nga kupola dhe shkon drejt poshtë“, tha Berisha

Berisha ka folur sërish edhe për Ballkanin e Hapur të cilin e ka cilësuar projekt i cili i hap edhe më shumë rrugën krimit të organizuar.  I mbledhur me një grup ekspertësh ish kreu i qeverisë e nisi deklaratën e tij duke akuzuar kryeministrin Rama për marrëdhëniet me Serbinë, të cilën ende e konsideron si ‘Rusia e Vogël

“Në të gjitha problemet e një shoqërie, të një vendi dhe kombi, problemi kryesor mbetet problemi i sigurisë. I sigurisë kombëtare, sigurisë ligjore dhe asaj të rendit, jetës, pronës, veprimtarisë, të qytetarëve dhe shoqërisë në tërësi. Në shumë aspekte ajo që është dëmtuar më rëndë që rrokullis më shumë, që është shndërruar në një rrezik madhor për qytetarin shqiptar, për shoqërinë dhe kombin tonë lidhet direkt me çështjet e sigurisë. Sot ne jemi një vend anëtar i NATO-s për definicion ne nuk mund të kemi kërcënime për sigurinë kombëtare sepse aleanca ka traktatin, nenet e saj por edhe zotimin sëfundmi të presidentit Jo Biden që një inç po u prek në territorin e vendeve anëtare të NATO-s aleanca do të reagojë si një e tërë. Me gjithë këtë ajo që është tejet shqetësuese është një përpjekje e hapur e Edi Ramës për të rreshtuar Shqipërinë, vend anëtar i NATO-s me Serbinë, e cila në të gjitha kohërat qëkur është bërë e pavarur deri më sot është e njohur si Rusia e vogël dhe në këtë kontekst më duhet të them se përsëri shqiptarët, nëse duhet të ishte Shqipëria që duhet ta kundërshtonte atë, por fatmirësisht është Kosova që është shndërruar në një faktor kryes të përgjysmimit të këtij projekti. Kjo aleancë aq sa përbën një problem për sigurinë kombëtare, aq përmban problem për rendin, sigurinë dhe luftën kundër krimit. Pasi në këtë aks operojnë bandat më të fuqishme të Ballkanit. Atje ishte Biellivuku këtu janë Biellivukët e tjerë. Ballkani i Hapur është një Ballkan i hapur për krimin për drogën për pasigurinë”, tha Berisha.

Kujtojmë se Rama në takimin me Drejtuesit e Lartë të Policisë së Shtetit, preku çështjen e kronikës së zezë që ka pushtuar të gjithë vëmendjen e opinionit publik javët e fundit, atë të zhdukjes së Ervis Martinajt. Rama tha se është e papranueshme ajo që ka ndodhur me këtë histori që ende nuk dihet nëse ky person i rrezikshëm është gjallë apo ka ndërruar jetë.