Në takimin me Drejtuesit e Lartë të Policisë së Shtetit, Kryeministri Rama preku edhe çështjen e kronikës së zezë që ka pushtuar të gjithë vëmendjen e opinionit publik javët e fundit, atë të zhdukjes së Ervis Martinajt. Rama tha se është e papranueshme ajo që ka ndodhur me këtë histori. 

“Si është e mundur që policia e shtetit ende nuk e ka një përgjigje për fatin e njërit prej figurave më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri. Është e papranueshme që mediat çdo natë janë bërë si Big Brother, jo u vra, jo nuk u vra ai që ishte shumë i kërkuar nga policia. Lajme me luanë, me bamirësa, me oligarkë, si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit Shqipëri. Policia nuk di ende ta thotë ‘ore u vra apo nuk u vra’. Kush e ka penguar ta thotë? Kjo dilemë duhet tëg marrë fund sa më parë”, tha Rama.

Nëse i kërkuari është vrarë duhet t’i thuhet publikut nëse jo t’i dorëzohet policisë, kështu porositi Rama drejtorin e ri të policisë lidhur me zhdukjen e Ervis Martinaj

‘Drejtori i policisë së shteti që merr sot detyrën si një ndër oficeret më jetëgjate, duhet të sigurohet që kjo dilemë të marrë fund. Nëse i kërkuari është vrarë ti thuhet publikut nëse jo të gjendet të kapet ti dorëzohet policisë.’- tha Rama.  

Zhdukja pa lënë gjurmë e Martinajt ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani gjatë muajit maj në kuadër të operacioni Plumbi i Artë, kohë kur Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK. Një efektiv policie Jeton Lami, u la në në burg me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe dekonspirimit të operacioneve policore. Teksa po hetonte për zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt, policia zbuloi se për t’u arratisur, Martinaj ishte ndihmuar edhe agjent i forcave operacionale në Policinë e Shtetit, Jeton Lami, i cili u prangos më 23 gusht nga policia e Lezhës. Efektivi Lame është zbuluar pas hetimeve që po kryejnë pas denoncimit që ka bërë familjari se Ervis Martinaj është zhdukur. Rreth dy javë më parë, xhaxhai, Faik Martinaj, ka denoncuar në Komisariatin e Policisë Lezhë se ka humbur kontaktet me nipin. Policia Shqiptare dhe Shërbimi Informativ janë përfshirë në një hetim të përbashkët për gjetjen e Ervis Martinaj

Kujtojmë se në korrik të vitit 2021, teksa përfundoi hetimet për vrasjen e Santiago Malkos, SPAK nënvizonte se plani ishte ekzekutimi edhe i Ervis Martinajt por s'kanë mundur ta gjejnë atë edhe pse kishin informacion se kishte udhëtuar në Spanjë apo Turqi.

Ervis Martinaj është në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani i cili ka thënë se Martinaj e kishte paguar për të vrarë Indrit Doklen. Ai ka thënë se 500 mijë euro do paguante Ervis Martinaj për këtë vrasje. Vetë Nuredin Dumani ka thënë se ka marrë porosi nga Ervis Martinaj për ta vrarë, ka rënë dakord që Ervisi të jepte për vrasjen e Indritit shumën prej 500 000 Euro dhe se ka marrë paradhënie shumën prej 100 000 Euro. Kujtojmë se Indri Dokle ka qenë numri 2 i Bandës së Durrësit dhe është i dënuar për “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale. Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.