TIRANE - E dini përse jemi të apasionuar pas ullirit? Sepse duam përjetësinë..." Kështu u shpreh paraditen e të shtunës, në një takim për bujqësinë me fermerë të Vlorës, Kryeministri Sali Berisha ndërsa është njohur me shumë probleme që i shqetëson ata rreth kultivimit të këtij varieteti. Kreu i qeverisë ka garantuar se do te mbështes kultivimin e ullirit.

“Shpreh kënaqësinë që do të diskutojmë së bashku për një projekt madhor kombëtar siç është projekti i ullirit. Vlora është djepi shekullor i ullirit dhe prodhimeve të tij. Qeveria ka vendosur të ndërmarrë një projekt kombëtar në të cilin të shumëfishojë rrënjët e ullirit në të gjithë territorin e vendit ku kjo pemë madhështore, mbret i drurëve frutorë, të shumëfishohet në Shqipëri. Në një hark kohor të shkurtër ne kemi arritur shumë sukses në të gjithë vendin. Projekti i ullirit është një investim afatgjatë ndër më të rëndësishmit në histori”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë ndërsa bashkëbisedonte me fermerët ka sulmuar programin e Partisë Socialiste për një Rilindje kombëtare për heqjen e tvsh, duke e cilësuar atë si politikë kokëposhtë.

“Ne tani hoqëm TVSH për çdo mjet dhe makineri bujqësore, për çdo imput bujqësor përveç atyre që dëmtojnë prodhimin e vendit. Ju i keni dëgjuar ata, do heqim TVSH për prodhimet bujqësore. Por po e bëre atë do tua kalbësh në fushë prodhimin fermerëve, se ne këtë tokë kemi. Pra hap një konkurim të pandershëm. Kurse ne heqim TVSH për çdo gjë që u nevojitet për makineritë që ju duhen, por jo për prodhimin, kjo është politika e tyre kokëposhtë si ajo e taksës progresive”, u shpreh nga Vlora shefi i mazhorancës.

Një premtim tjetër që ka dhënë kryeministri Berisha nga Vlora ishte dhe se në katër vitet e ardhshme do ti jepet vëmendje e veçantë do t’i dhe formimit profesional për sektorin e bujqësisë dhe atij të blegtorisë ndërsa ka garantuar luftën ndaj informalitetit.

Redaksia Online
(sg/Shqiptarja.com)