TIRANE-Ndryshe nga 2009-ta kur deklaronte se do nisnin negociatat me qeverinë indiane për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës në Shqipëri, Berisha tërhiqet e pranon se Nënë Tereza është e Kalkutës.

“Duhet të jemi të sinqetë. Ajo është Nënë Tereza e Kalkutës dhe nuk duhet të kemi xhelozi. Nënë Tereza u bë simbol i shpirtit shqiptar, por Zoti e çoi në Kalkuta për t’u përballë në vendin më të vështirë”- tha kryeministri në ceremoninë homazh që u zhvillua sot paradite në sallën e parlamentit. Ceremonia u zhvillua për nder të 15 vjetorit të ndarjes nga jeta të humanistes së madhe shqiptare.

Deklarata e kryeministrit Berisha në tetor të 2009 se do të nisnin negociata intensive me qeverinë indiane për të bërë të mundur kthimin e eshtrave të Nënë Terezës indinjoi së tepërmi shtetin indian. Qëllimi i kryeministrit u bë i ditur në një konferencë për shtyp në mes të tetorit 2009. Ndër të tjera kryeministri shpalosi qëllimin për ndërtimin e një muzeumi për Nënë Terezën dhe kthimin e eshtrave në gusht të 2010, kohë që përkonte dhe me 100- vjetorin e lindjes së saj. Në fakt zyrtarisht nuk është mësuar që qeveria t’i kishte kërkuar me shkresë zyrtare qeverisë indiane për këtë kërkesë. Atëherë, (tetor 2009) mediat indiane cituan zyrtarë të lartë të qeverisë së këtij vende, zyrtarë të Misionit bamirës të Nënë Terezës si dhe intelektualë e akademikë të cilët e quajnë të pandershme dhe të papërshtatshme kërkesën e shqiptarëve.

CEREMONIA HOMAZH
Seancë homazh për nder të 15 vjetorit të vdekjes së humanistes së madhe shqiptare Nënë Tereza po mbahet në këto momente në Parlamentin e Shqipërisë. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, në sallën e Kuvendit u shfaq një reportazh me fotografi të marra nga aktivitetet dhe takimet e humanistes shqiptare. “Nënë Tereza, Nëna e madhe e të gjithë shqiptarëve, nëna e të gjithë botës”- tha Topalli

“Nënë Tereza është një simbol i fuqishëm i moralit dhe përkushtimit njerëzor. Çdo shqiptar përulet para saj me nderimin më të madh, pasi kur hedh sytë në 100 vitet e fundit gjen dritën e saj dhe nderin që ajo i bëri nënës e motrës shqiptare por dhe njerëzimit në tërësi. Faleminderit Nënë Tereza”- tha kryeministri Berisha i pranishëm në ceremoni.

Duhet të jemi të sinqertë. Ajo është Nënë Tereza e Kalkutës dhe nuk duhet të kemi xhelozi. Nënë Tereza u bë simbol i shpirtit shqiptar, por Zoti e çoi në Kalkuta për t’u përballë në vendin më të vështirë”- tha kryeministri

Zemra e Nënë Terezës pushoi së rrahuri më 5 shtator 1997.  Varri i saj në Shtëpinë e Misionarëve të Bamirësisë,në Kallkutë të Indisë vizitohet nga shumë persona nga e gjithë bota, duke e respektuar veprën e madhe të saj.

(sg/shqiptarja.com)