Sali Berisha deklaroi sot se ka zhvilluar takime në parlamentin belg me zëvendëskryetaren e Komisionit të Jashtëm dhe anëtarë të këtij Komisioni, të cilëve thotë se u paraqiti “situatën dramatike në Shqipëri”.
Edhe kësaj radhe, duke mos u shqetësuar për imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, krydemokrati thotë se ngriti shqetësime edhe për krimin e organizuar dhe korrupsionin. Gjithashtu, ai tha se u shpalosi zyrtarëve belg idenë e Partisë Demokratike për krijimin e një qeverie teknike si zgjidhje për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Zhvilluam këtu pas takimit që patëm në parlamentin e kryeqytetit të Belgjikës, që është njëkohësisht kryeqyteti i Europës dhe unë kam lidhje tradicionale me parlamentin e këtij qyteti të bekuar. Erdhëm këtu në parlamentin federal dhe u takuam me zëvendëskryetaren e Komisionit të Jashtëm të parlamentit dhe anëtarë të Komisionit të Jashtëm të parlamentit ku paraqitëm gjendjen në Shqipëri, situatën dramatike në të cilën ndodhet dhe krizën që po e gllabëron Shqipërinë me shtylla kryesore përqendrimin e të gjitha pushteteve në dorë të një njeriu dhe shndërrimin e procesit zgjedhor në farsë elektorale. Drogën si një fuqi e jashtëzakonshme me rrezikshmëri të lartë për Shqipërinë, por edhe për Belgjikën, Holandën dhe rajonin e më gjerë si dhe qëndrimet e fundit ndaj korrupsionit, bllokimin e heqjes së imunitetit të Edi Ramës për shkak të dosjeve të veta dhe vendimin e tij për të votuar një paketë ligjesh si mburojë për vjedhjet e veta dhe vjedhjet e qeveritarëve”,- tha Berisha.
Vizita e Berishës në Bruksel po ndodh në kuadër të 50-vjetorit të krijimit Partisë Popullore Europiane, ku Partia Demokratike aderon. Pas samitit të 50-vjetorit të PPE, Berisha tha se “Çështja Belinda Balluku është çështja Rama. Marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe më shqiptarët të Edi Ramës janë përmbysur për shkak se dosja Balluku është dosja Rama. Dosja AKSHI është dosja familjare e Edi Ramës. Në këtë aspekt, Edi Rama është në rrethin e kuq dhe i pashpresë.”
Ia vlen të theksohet fakti që në kohën kur është krijuar PPE, “dashnori” i demokracisë Berisha, shënonte të paktën 9 vite si anëtar i Partisë së Punës gjatë diktaturës enveriste, e cila rendit si një ndër regjimet më të egra që ka patur Europa dhe jo vetëm.
Komente












