Nga Pogradeci, ku po mban 'Foltoren' e radhës, ish-kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka njoftuar mbështetësit e tij se ka mbledhur 4200 firma të anëtarëve të cilat do t'i dorëzohen nesër Kuvendit Kombëtar të PD-së. Berishës i mjaftonin vetëm 1500 firma, për të mbledhur Kuvendin Kombëtar, të cilin ai e ka thirrur me datën 11 dhjetor, dhe me firmat e anëtarëve kërkon të realizojë një referendum brenda PD, me të cilin shpreson të anulojë përjashtimin e tij nga grupi parlamentar, por edhe për të larguar Bashën nga drejtimi i PD. 

Berisha kërcënoi drejtpërdrejt, kreun e PD-së duke i kërkuar që të japë dorëheqjen, ose përndryshe atë do ta shkakrojnë anëtarët e PD-së. Berisha tha se në Kuvend, përpos firmave do të vijnë edhe mbi 10 mijë demokratë ku do të mbahet festa më e madhe e rikthimit të partisë.  

'Kam një lajm të keq për peng kryetarin. Nesër dorëzohen 4200 firma të Kuvendit Kombëtar. I them kryetarit pa parti përkulu para firmave të anëtarëve të PD se 4200 kanë firmosur. Do të vijnë në atë Kuvend 10 mijë të tjerë do të jetë festa më e madhe e PD në historinë e saj, do të jetë triumfi i saj, do të jetë rikthimi i saj i plotë dhe i sigurt në fitoren ndaj narko-shtetit. (...) Basha jep dorëheqjen ose do të të shkarkojmë'- tha Berisha.

Berisha nga “Foltorja” e Pogradecit i ka bërë një thirrje të hapur për debat televiziv kryeministrit Edi Rama, ku i tha se do t'i rreshtojë të gjitha mëkatet e krimet e këtyre tetë viteve në qeverisje.

“Së fundi dua ta mbyll me një mesazh për Edi Ramën. Edvin je i pashpresë, foltorja të ka kallur datën. E garantoj se me Sali Berishën do të bashkohet të gjithë burrat dhe gratë që besojnë në një dinjitet njerëzor dhe jetojnë me djersën e ballit. I thonë Shqipërisë, Shqipëri dhe atdhe. Të gjithë ata e konsiderojnë mafian një rrezik kombëtar. Para se të të japim duart, dua të të të tregoj, të t’i numëroj para këtyre burrave dhe grave, para mbarë shqiptarëve të gjitha mëkatet e krimet e këtyre tetë viteve dhe mbathja me vrap në Beograd,”- tha Berisha ndër të tjera. 

Faktin se është shpallur 'non grata' nga SHBA, Berisha pranoi se për të ky është një problem, por sipas tij pas kësaj fshihet George Soros.

'Nuk mohoj problemin që me 19 maj u shpalla non grata, por unë deklarova po me 19 maj se pas saj fshihet George Soros i cili është një armik i egër dhe kundër interesave shqiptare. Kjo është një beteje personale jo e partisë, dhe unë iu drejtova në Gjykatës.'-tha Berisha.

Pogradec, krah Berishës u pa edhe deputeti i PD-së Edmond Spaho , i cili ka qenë ndër të parët që ka mbështetur 'Foltoren' e tij dhe ka dalë kundër vendimit të Bashës. Po ashtu krah kreut të PD-së u pa edhe aktivistja e Evi Kokalari.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:40
Evi Kokalari: Në 11 dhjetor Berisha zgjidhet kryetar i PD, do të jetë kryeministër i Shqipërisë

 

Nga Foltorja e Pogradecit, aktivistja Evi Kokalari u shpreh se në Kuvendin e 11 dhjetorit, Berisha do të zgjidhet kryetar i PD.

"Në 11 dhjetor kryetar i ri i PD do të jetë Sali Berisha. Herën e fundit që isha në Shqipëri isha e vetmja që thoja se Berisha do të bëhet kryetar i PD dhe dua ta shoh Berishën kryeministër të Shqipërisë.

Gjëja e parë që duhet të bëjë Berisha është të shpallë George Soros, të birin, non grata. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe Kosova. Soros ka 5 zyra në Ballkan. Berisha ka qenë i vetmi që ka dalë kundër hapur. Ka kërkuar shpalljen e Soros non grata. Kur Soros mori kontrollin e DASH, e konsideruan Berishën person non grata”, tha ajo.

Ora 18:35
'Si t'ia bëj se më kërcënon'/ Berisha tregon bisedën me Bashën në zyrë: Thuaj ambasadores mos u bëj qesharake

 

Në ‘Foltoren’ e Pogradecit, Ish-kryeministri Sali Berisha ka treguar një bisedë me Lulzim Bashën, para se ky i fundit ta shpallte përjashtonte nga grupi parlamentar të PD-së.

“Nuk hyja dot në garë se do dilnin se hyri në garë se ndodhi këto, jo sepse unë e zgjidhja vetë. Pati një debat te sovranitetit dhe më vjen se ‘s’i t’ia bëj se ambasadorja kërcënon’. I thashë dëgjo Lulzim ‘thuaj mos u bëj qesharake me kërcënimet, nuk pyet Sali Berisha për kërcënimet e askujt, nuk kërcënoj njeri, s’më kërcënon dot njeri, mandati kurrë nuk do mundet ndonjëherë të mund të diktojë dikush përveç zgjedhësve të vendit”, tha Berisha.

Ora 18:30
Berisha: Isha në dijeni që Basha punonte me Ramën për projektin e George Soros

 

Sali Berisha nga Pogradeci është shprehur se ka qenë në dijeni që kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bashkëpunonte me kryeministrin Edi Rama për projektin e miliarderit amerikan George Soros, për të cilin fajëson se ka qenë ky i fundit që ka ndërhyrë për ta shpallur 'Non Grata'. 

Ai theksoi se pavarësisht këtij fakti, vazhdoi të punonte për fitoren e Partisë Demokratike dhe promovimin e Lulzim Bashës nga studio në studio.

“Lulzim Basha ishte njëri nga ata të cilët punonte së bashku me Edi Ramën në projektin e George Soros, unë këtë e kisha marrë vesh. Por kjo nuk më pengonte mua aspak që të bëja gjithçka për fitoren e Partisë Demokratike. Në qoftë se ai i kishte lejuar vetes të bashkëpunonte me kundërshtarët tanë kundër meje, unë nuk i lejoja vetes një gjë të tillë.Dhe 8 muajt e fundit jam përpjekur me të gjithë forcën time nga studio në studio për të promovuar kryetarin tonë në mënyrë që ne të fitonim, se për mua fitorja ishte kryesore”, u shpreh Sali Berisha.