TIRANE - Kryeministri Berisha i dërgon një letër përshëndetëse, ish Sekretares së Shtetit të SHBA, Hilary Klinton, në të cilën shpreh gjithë respektin për letrën që ajo i dërgoi më parë. "Kam kënaqësinë e veçantë, që, me anë të kësaj letre, t'ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta e miqësore, si dhe t'ju falenderoj nga zemra për letrën që më dërguat me rastin e përfundimit të detyrës si Sekretare e Shtetit e SHBA.

Nën drejtimin Tuaj të Departamentit të Shtetit, marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë shënuan një intensifikim edhe më të madh e forcim të bashkëpunimit frytdhënës në shumë aspekte, si në kuadrin dypalësh, ashtu edhe në kontekstin rajonal e atë ndërkombëtar”, shkruan Berisha.

“Vizita Juaj historike dhe mesazhet thellësisht miqësore e inkurajuese gjatë fjalës Suaj mbresëlënëse në Kuvendin e Shqipërisë do të mbeten të pashlyera në kujtesën e të gjithë shqiptarëve dhe përbëjnë një kontribut tjetër të jashtëzakonshëm për konsolidimin e lidhjeve të ngushta ndërmjet të dy vendeve dhe popujve tanë miq e aleatë", përfundon Berisha në mesazhin përshëndetës.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.03.2013

Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)