"SHBA-të nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre". Deklarata është bërë sot nga Presidenti aktual i shqiptarëve për aleatin më të rëndësishëm të kombit shqiptar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në reagimin për të mbrojtur aleatin e tij Sali Berishën pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e futën në listën e tyre të zezë duke e shpallur 'non grata', Presidenti nuk është kujdesur fare për gjuhën diplomatike, duke mos lënë gjë pa thënë ndaj amerikanëve. Meta e quan aktin e shpalljes 'non grata' të Berishës të pabesë që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër .

"Të dashur qytetarë shqiptarë dhe bashkëkombas kudo në botë, Si President i Republikës së Shqipërisë ndjej përgjegjësinë e lartë të ndaj me Ju vlerësimin tim lidhur me "fletërrufenë" e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër z.Sali Berisha, Presidentit të parë demokratik të vendit. Kjo "fletërrufe" jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht dhe kur institucionet, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të shprehen lidhur me ankesat e shumta për manipulimet dhe krimet zgjedhore të denoncuara gjerësisht, që kanë cenuar rëndë standardet perëndimore të një procesi elektoral plotësisht të lirë, të ndershëm dhe demokratik", shkruan Meta në Facebook. 

Presidenti ka publikuar edhe mesazhin që i ka dërguar Berishës me këtë rast duke i shkruar se "ata që financuan për të shpallur hero Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi". Sipas tij kjo fletërrufe jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende s'është mbyllur.

"Duke u bërë thirrje të gjithëve të zbatojnë me rigorozitet ligjin, si dhe të gjitha kërkesat e Kodit Zgjedhor lidhur me procesin e 25 prillit, pasi kjo është dhe mbetet çështja më e rëndësishme aktualisht, ndjej përgjegjësinë të ndaj me secilin prej jush, mesazhin e solidaritetit, që i kam dërguar z.Sali Berisha dhe familjes së Tij ditën e enjte paradite, pas informacioneve, që mora nga burime të ndryshme dhe të besueshme: 'Përshëndetjet e mia më të sinqerta dhe solidaritet për Ju, Lilin dhe  amiljen tuaj pas këtij akti të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër. Ata që financuan për të shpallur hero të Reformës në Drejtësi Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi dhe nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre për respektin ndaj shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e Drejtësisë. Të fala!'", përfundon postimi i Metës në Facebook. 

Pasditen e 19 majit, përmes një njoftimi zyrtar, Sekretari amerikan i Shtetit njoftoi se  SHBA ka futur në 'listën e zezë' Sali Berishën dhe familjen e tij. Blinken firmosi kështu fundin e palavdishëm të një politikani kaq të rëndësishëm. Në argumentimin e DASH thuhej se ky vendim ndaj Berishës vjen pasi në funksionin e tij si kryeministër i Shqipërisë, Berisha është përfshirë në akte korruptive si keqpërdorimi fondeve publike dhe ndërhyrje me proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale, dhe pasurimin e aleatëve politik përfshi familjen në kurriz të konfidencës publike të qeverisë  shqiptare dhe institucioneve.Në reagimin e tij një ditë më vonë Sali Berisha, 2 herë i zgjedhur President i Republikës, 8 vite Kryeministër i vendit dhe për 30 vite lider i së djathtës, njoftoi se do ta mbyllë karrierën e tij në 'luftë' me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Berisha ka shpërthyer me akuza duke njoftuar se do ta padisë numrin 3 të administratës, Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Padinë ndaj Blinken, Sali Berisha e ka ngritur për shpifje përmes avokatit francez Jean-Yves Le Borgne, një ndër më të kushtueshmit dhe këtë padi e ka ngritur në gjykatën Korreksionale të Parisi, pasi Berisha e cilësoi Francën si një vend neutral në lidhje me këtë çështje.

Ndërkohë që ende nuk është i qartë qëndrimi i opozitës shqiptare për këto deklarata. Partia e Berishës, PD ende nuk ka një qëndrim zyrtar për faktin se ish-lideri historik dhe deputeti i saj është në gjyq me Aleatin më të madh dhe më të rëndësishëm të Shqipërisë. Ndërsa tashmë do të duhet të kemi një qëndrim të opozitës shqiptare edhe për këtë deklaratë të ardhur nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë, e paprecedentë në këto 30 vite demokraci.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:20
‘O Ilir ku je’! Presidenti reagoi për shpalljen ‘non-grata’ të Berishës nga DASH, Sali Lushaj i shkruan Metës: Me ju deri në vdekje

Presidenti Ilir Meta ‘theu’ sot heshtjen e tij për shpalljen ‘non-grata’ të ish-kryeministrit Sali Berisha nga DASH.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, presidenti Meta e ka cilësuar vendimin e shpallur nga ana e sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken, ‘si një fletërrufe e porositur nga regjimi kleptokratik’, duke nënkuptuar kryeministrin Edi Rama.

Pas këtij mesazhi në rrjetet sociale, në adresë të Metës ka ardhur edhe komenti i bodyguard i Berishes, Sali Lushajt dhe mbështetësi i PD-së, ku i shkruan se do ta mbështesë presidentin dhe Berishën.

“Ju përshëndesim e ju urojmë gjithë të mirat Zoti PRESIDENT. Jemi në mbështetjen tuaj e Zotit Berisha deri në vdekje. Deri në zhdukjen përfundimtare të antishqiptarëve Sorosian”, shkruan Lushaj

Kujtojmë se edhe djali i tij Arkimed Lushaj, këngëtari i njohur si “Stresi”, në protesta për Klodian Rashën i bënte thirrje Ilir Metës që te vinte pranë tyre. ‘O Ilir Meta ku je’,  ishin “thirrjet” e Stresit nga protesta për Presidentin.

Komenti i Sali Lushajt në facebook ne postimin e Ilir Metes
Ora 11:33
Deklarata e Metës për shpalljen e Berishës 'non grata' nga SHBA, Braçe reagon me ironi: S'duhet ulur standardi i vendosur për sharjen, të shtohet 'kokëpalarë'

Me një gjuhë të papërshtatshme, duke mos lënë akuzat e ofendimet ndaj SHBA ishte reagimi i Presidenti Ilir Meta pas shpalljes së ish-kryeministrit Sali Berisha 'non grata' nga SHBA.

Zv.kryeministri Erion Braçe ka reaguar me ironi pas deklaratave të Metës, që nuk la gjë pa thënë ndaj amerikanëve, ku thekson se 'nuk duhet ulur standardi i vendosur për sharjen'.

Në Twitter, Braçe shkruan se duhet shtuar edhe 'kokëpalarë', referuara deklaratave që Meta bënte ndaj protestuesve të 21 janarit.

"Po 'kokëpalarë' pse jo? Nuk duhet ulur standardi i vendosur për sharjen; Duhet shtuar edhe 'kokëpalarë'", shkruan Braçe.