Përplasja me Ervin Salianjin duket se është në krye të agjendës politike për kreun e PD, Sali Berisha, i cili nuk kurseu akuzat ndaj tij edhe në daljen e sotme. Në bashkëbisedimin online me qytetarët, Berisha tha se Salianji mbron interesa private dhe këtë e ka faktuar me dokumenta.
Kreu i PD nuk harroi të i përsërisë ish-deputetit të PD nenin 24 të statutit, që sipas tij justifikon përjashtimin e Salianjit. Ndonëse statuti përcakton që për marrjen e një vendimi të tillë duhet të mblidhen forumet përkatëse, përfshirë edhe kryesinë e degës.
Sali Berisha: Salianjit t’i përgjigjeni si një njeri që ka përjashtuar veten nga PD. I dashur Arbër, as ti, as unë dhe asnjë njeri, asnjë njeri, nuk është përgjegjës për aktet e paligjshme ndaj atyre që janë përgjegjës për aktet e tyre të paligjshme. Ndaj atyre që mbrojnë interesa të paligjshme. Nuk ka asnjë përgjegjësi. Ndaj dhe u garantoj që ai ka vetëm interesa private, strikt private, të faktuara me dokumente, ndaj dhe i është thënë anëtarësisë se ai zotëria ka përjashtuar veten nga PD. Kemi një nen ne, neni 24 i statutit, kur kapesh në shkelje flagrante të tij, dhe të detyrojnë pastaj të shëtisësh poshtë e përpjetë, ajo është veprimtari private e jotja, nuk ka asnjë lidhje me PD-në. Kjo është përgjigjia ime për ju dhe çdo demokrat. Mos harroni një gjë, opozitarizmi është i vështirë, nuk është i thjeshtë, dhe të mos mendojë kush se ndarja me këta njerëz, e dëmton PD-në. U garantoj se e forcon. A e patë tjetrin? Disa vrapojnë drejtora, disa vrapojnë andej, nuk na duhen ne ëkta Arbër, ata janë mish i huaj në opozitë. Ata nuk janë opozitarë, janë pseudoopozitarë. Ne duhet të qëndrojmë parti e hapur pa asnjë mëdyshje, por kurë ndaj atyre që interesave të tyre personale përpiqen të shfrytëzojnë partinë për të avancuar interesa të paligjshme apo veprimtari në shkelje të rënda të ligjeve. Jo, atë nuk e bëjmë ne. Nuk jemi ne avoketër. Ne jemi parti e shtetit ligjor dhe i qëndrojmë asaj.”, tha Berisha.
Dje Salianji i kujtoi Berishës se statuti i PD nuk njeh vetë-përjashtime. Ndërsa ata që marrin pjesë në takimet e tij, Salianji tha se janë demokratë 24 karat.
Komente











