TIRANË- Molotovët në protestat e Sali Berishës, që të shtunën e kaluar nuk kursyen as artistët e huaj në Tiranë duke iu rrezikuar jeta, këtë herë kanë nxitur edhe reagimin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Një zyrtar i ambasadës përmendi termin “dhunë politike” kur i tha Report Tv se SHBA-të nxitin aktorët politikë ta refuzojnë atë dhe përplasjet t’i zgjidhin përmes veprimeve të ligjshme.

“Ne nxisim të gjithë aktorët politikë të refuzojnë dhunën politike dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre përmes angazhimit konstruktiv dhe mjeteve paqësore, të ligjshme”, thuhet në reagim. 

Ky qëndrim i fortë i ambasadës së Shteteve të Bashkuara vjen në një kohë kur reagimi ndërkombëtar ishte i ashpër pas protestës të 28 shkurtit, edhe pse ishte e pesta e opozitës vetëm këtë vit.

Dhuna e shtuar, por sidomos me sulmin me molotovë në vilën 31, ish rezidenca e diktatorit Enver Hoxha, prej një viti e shndërruar në një rezidencë për artistë, duket se Berisha e kaloi “vijën e kuqe”

10 artistë të huaj të “Art Explora” dhe 3 anëtarë të stafit kanë qenë të pranishëm brenda në vilë në momentin e hedhjes së dhjetëra bombave molotovë. Të alarmuar ata u dukën të vraponin brenda godinës, ndërsa një ditë më vonë u shprehën të traumatizuar për të dhënë një qëndrim publik.

Përveç vizitës së Kryeministrit Rama që i shprehu solidaritetin dhe ndjesën për ngjarjen e paprecedentë artistëve, qëndrime të forta ishin edhe ato të ambasadës franceze në Tiranë,  delegacionit të Bashkimit Evropian por edhe përfaqësi të tjerra diplomatike. Dhunë të një niveli të papranueshëm që vuri në rrezik jetët e artistëve e quajti Franca që i kërkoi organizatorëve të mbanin përgjegjësi, ndërsa rrezikimin e jetës së njerëzve edhe theksoi edhe Bashkimi Evropian që kërkoi vetëpërmbajte. Ambasada gjermane e quajti të papranueshme dhunën.