Avokati Përparim Caca është shprehur se deklaratat e prokurorëve të SPAK janë të mjaftueshme si indicie për deputetët që të marrin një vendim për imunitetin e Belinda Ballukut në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.
Komentet Caca i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku tha se provat janë të mbuluara nga sekreti hetimor, ndërsa ajo që prokurorët kanë paraqitur për Ballukun në Kuvend sipas tij, janë informacione që mund t’u shërbejnë deputetëve si indicie për të marrë një vendim për imunitetin e ish-zv.kryeministres.
“Kur themi provat, madje ka qenë shumë e saktë gazetarja Danjela Maloku në raportim, kur tha ‘deklaratat e prokurorëve’. Madje janë cituar vetëm deklaratat e prokurorëve. Madje janë cituar vetëm deklarimet që kanë bërë prokurorët. Sepse provat janë të mbuluara nga sekreti hetimor. Nuk i kemi hyrë provave. Nuk mundemi dot t’i hyjmë provave. Nuk mundet dot që ta zëvendësojë Parlamenti Gjykatën. Këtu është thjeshtë për t’i dhënë aq informacion sa duhet deputetë që të kenë të paktën indiciet minimale. Absolutisht po, këto indicie janë të mjaftueshme për deputetët”, tha mes të tjerash avokati Përparim Caca.
Nga ana tjetër, avokati Edmond Petraj ka deklaruar se PD po e përdor çështjen ‘Balluku’ për kapital politik dhe për destabilizimin e PS-së.
“Nëse do kapemi te raporti i PD, të cilin nxitoi për ta nxjerrë përpara. E ka nxjerrë sepse kërkoi të krijojë një performancë teatrale në vetëvete, që atë gjasme provë ta përdorë si instrument politik. Pra në këtë moment që ne po shohim këtë shfaqe, që opozita kërkon të përdorë drejtësinë për destabilizimin e kundërshtarit në këtë rast. Kërkon t’i përdorë këto elementë dhe kjo është brenda lojës politike. PD kërkon të krijojë teatrin politik të saj, për të kërkuar destabilizimin dhe çoroditjen e mazhorancës që gjasme po mbron gabimisht një person për të cilin ka prova konkrete.
Pra kjo është një lojë politike. Prandaj ka nxituar që e ka bërë. Një avokat do ta zbërthente deklaratën e prokurorit, nëse kemi të bëjmë vërtetë me intimidim të prokurorit ose jo. Po them se këtu kemi të bëjmë më shumë me një tentativë e opozitës për të krijuar një destabilizim te mazhoranca. Kjo është një luftë psikologjike dhe mediatike e opozitës. Nuk është e drejtë. Ne kemi 35 vite që dëgjojmë të njëjtin teatër, të njëjtën manovër që bëjnë këta dhe nuk mbajnë përgjegjësi për atë që thonë. Një deputet aty shantazhon, përmend emra dhe nuk mban përgjegjësi për asgjë”, tha mes të tjerash avokati Edmond Petraj.
Kujtojmë se SPAK ka kërkuar arrestimin e Belinda Ballukut, të cilën e akuzon për korrupsion, ndërkohë që pritet të merret një vendim në Këshillin e Mandateve për imunitetin e saj.
Komente











