TIRANË - Vështirë të jetë krijuar ndonjëherë më parë figurë më negative për Gardën e Republikës, se ajo që u krijua më 21 janar 2011, pas urdhërave për të hapur zjarr mbi turmën që rrethonte Kryeministrinë, në një protestë paqësore.Qytetarët shqiptarë nuk kishin parë skena të tilla, dhe aq më pak vrasje, kur u pushtua Kryeministria më 14 shtator 1998.

Sipas ligjit nr. 8869, datë 21.3.2002 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, Garda është strukturë me status të veçantë në Ministrinë e Rendit Publik, që ka për mision ruajtjen dhe mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe të rezidencave, të përcaktuara në këtë ligj. Ajo varet nga Ministri i Rendit Publik. Misioni dhe statusi i Gardës nuk ndryshojnë në gjendje të jashtëzakonshme apo në gjendje lufte.

Pikërisht statusi i veçantë synohet t’i hiqet Gardës këtej e tutje. Ajo do të konsiderohet si një drejtori pranë Policisë së Shtetit dhe nuk do të ketë misione të veçanta apo status ndryshe nga punonjësit e tjerë të Policisë.

Gjithnjë sipas ligjit, komandanti i Gardës së Republikës emërohej nga kryeministri, me propozimin e ministrit të Rendit Publik. Ai përzgjidhej nga radhët e oficerëve madhorë të karrierës të Gardës, të Ushtrisë dhe të Policisë së Shtetit. Me reformimin, kreu i Gardës mund të emërohet nga ministri me propozim të drejtorit të përgjithshëm të Policisë, apo direkt nga kreu i uniformave blu.

Shkrimi u publikua sot (28.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)