Pas Kuvendit Kombëtar të zhvilluar nga Sali Berisha, ish-Kryeministri ka dhënë një mesazh ku paralajmërohet një tjetër aksion. Përmes një postimi në Facebook, Berisha iu bën thirrje demokratëve që është koha për të vepruar duke shkruar se i pret në shtëpinë e kontributeve, duke nënkuptuar selinë e PD-së.

“Të dashur demokrate dhe demokratë! Kohët e fundit kanë qenë të mendueshme dhe të vështira për Partinë Demokratike. E di që shumë prej jush kanë dyshuar, ndoshta edhe janë trembur për shkak të fushatës së fuqishme linçuese që është mbajtur kundër personit tim dhe lëvizjes se Foltores. Megjithatë, ne të gjithe se bashku, Delegatë dhe militantë u dhamë përgjigjen më dinjitoze, më të bukur dhe më madhështore dje nëpërmjet mbledhjes historike të Kuvendit Kombëtar të Rithemelimit të Partisë Demokratike thirrur nga Delegatët.

Sot nuk është me koha e dyshimit, sot është koha e veprimit. Ju pres të gjithëve në shtëpinë e kontributeve, sakrificave dhe idealeve tona të përbashkëta, Partinë Demokratike, për të vazhduar betejën kundër të keqes që ka mbërthyer Shqipërinë tonë të dashur. Me nderim të veçantë për kontributin e secilit prej jush”, shkruan Berisha.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të PD. Lulzim Basha ka dhënë mesazhin e qartë se "PD nuk do të mbahet peng nga askush dhe se Sali Berisha nuk mund t'i kërcënojë demokratët në shtëpinë e tyre".  Sipas tij PD nuk do të tërhiqet zvarrë as nga ai po rrezikon të ardhmen e demokratëve për interesin e tij personal. 

Teksa Berisha ka përfunduar Kuvendin e tij dhe ka krijuar struktura paralele në PD dhe PD-ja zyrtare nuk pranon asgjë, ajo që ishte e paqartë ishte se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të punimeve të këtij Kuvendi?

Që dje Sali Berisha, i pyetur nga gazetari i Report Tv Arsen Rusta nëse do të shkonte në seli sot është përgjigjur se ajo është e Partisë Demokratike dhe jo e Bashës, duke mos e përjashtuar një marshim drejt Selisë.  Po ashtu edhe Kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka u shpreh se ata nuk do të marrin asgjë me dhunë dhe se "është fundi" nëse në selinë e PD kanë frikë nga demokratët. Të njëjtin qëndrim pati edhe Luçiano Boçi, i cili opsionin e marshimit drejt selisë së PD, e quajti 'skenar imagjinar'. Megjithatë, pavarësisht këtyre deklaratave, PD u blindua nga forca të shumta policie. 

Por në Partinë Demokratike i druheshin trazirave që dje. Forca të shumta policie kanë rrethuar në një perimetër të gjerë Selinë e PD. Shtatë furgona policie u vendosën në hapësirën e sallës së seancave plenare, që është ngjitur me godinën e PD.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:45
Basha: S'e lejoj Sali Berishën të kërcënojë demokratët në shtëpinë e tyre

1639255977_basha.jpg

"PD nuk do të mbahet peng nga askush". Mesazhi nga kreu i PD-së Lulzim Basha është i qartë për mbështetësit e Sali Berishës.  Sipas tij PD nuk do të tërhiqet zvarrë as nga ai po rrezikon të ardhmen e demokratëve për interesin e tij personal

"Të nderuar anëtare të Këshillit Kombëtar, sot Këshilli Kombëtar mblidhet ne ora 15:00 për të marre vendime të rëndësishme për të ardhmen e Partisë Demokratike. PD nuk do të mbahet peng dhe nuk do të tërhiqet zvarre nga askush! As nga ai që sot po rrezikon të ardhmen e demokratëve për interesin e tij personal, ne lufte te hapur me SHBA. Askush, përfshirë Sali Berishën, nuk do të ketë shansin te kërcënoje demokratet ne shtëpinë e tyre. PD qe u themelua si shtëpia e lirisë, nuk do të shndërrohet ne bunker për askënd, as sot as kurrë.  Ne do vazhdojmë të çliruar dhe te vendosur betejën tone kundër regjimit te Edi Rames për ta sjelle ne pushtet Partine Demokratike, qe është shpresa e vetme e shqiptareve për te ardhmen dhe për ndryshim", thuhet në mesazhin e  Bashës.