Sali Berisha nuk tërhiqet nga vendimi për ta mbajtur jashtë partisë Ervin Salianjin në shenjë hakmarrje ndaj turit të nisur nga ish deputeti me demokratë. Këtë të premte ai ia kujtoi sërish se lëvizja e tij ka sjellë automatikisht vetë-përjashtimin.

Në mbrëmje, Berisha paralajmëroi të tjera spastrime masive për të ngjashmit e Salianjit, që thotë se kanë bashkëpunuar me kundërshtarin politik, që kreu i PD e konsideron parti të krimit.

“Individë të caktuar, të cilët për hir të bizneseve të tyre kanë bashkëpunuar me kundërshtarin tonë, ata nuk kanë vend në mënyrë absolute në Partinë Demokratike. Ata të shkojnë tek partia e tyre e krimit. Se të flirtosh me partinë e krimit është krim ndaj opozitës. S'janë të shumtë, aq sa janë”,- tha Berisha gjatë mbledhjes.

Ervin Salianji nuk e vonoi shumë përgjigjen dhe i kujtoi Berishës se statuti i PD nuk njeh vetë-përjashtime. Ndërsa ata që marrin pjesë në takimet e tij, Salianji tha se janë demokratë 24 karat.

"Askush nuk është mbi Kushtetutën e Partisë Demokratike, të miratuar nga anëtarësia me votë! Mungesa e seriozitetit ndaj demokratëve të shumtë që mendojnë ndryshe është një gafë e rëndë. Të gjithë pjesëmarrësit në takimet e mia janë demokrat 24 karat. Meritojnë vetëm respekt dhe mirënjohje.

Partia Demokratike ka nevojë për qartësi. Partia Demokratike ka nevojë të bëhet fituese.

Këtë ja u ka borxh demokratëve, pas 13 vitesh opozitë. Kjo është pritshmëria e të gjithë shqiptarëve që duan dhe presin rotacionin.

Bashkimi i demokratëve dhe i gjithë opozitës rreth saj duhet të jetë përpjekja më serioze për ta bërë Partinë Demokratike fituese.

Ky qëllim është i parashikuar qartë në statut dhe më përgjegjësi në rast humbjeje dhe privilegje në rast fitoreje. Kushtetuta e demokratëve nuk ka as “vetpërjashtime”.

Do vazhdoj të përfaqësoj pa ndalim dhe me gjithë sa kam shqetësimin real të demokratëve! Vullnetin e tyre për bashkim, për dinjitet dhe për një Parti Demokratike fituese",- shkruan Salianji.

Në fund të reagimit, Salianji njofton takimin e radhës së Foltores së tij. Ish-deputeti bën me dije se të dielën e 18 janarit do të takohet me demokratë të Lezhës.

Kategoria e dytë që do të preket nga vala e ndëshkimeve të parlajmëruara pasditen e kësaj të premteje nga Berisha, është ajo e atyre ata që nuk punuan në fushatë për shkak të pakënaqësisë se nuk u bënë pjesë e listave për deputetë.

"Nuk mund të themi që s’pati. I kemi të, janë të dokumentuar. Edhe këta të na falin, por të na falin, por në poste drejtuese nuk do mund të pretendojnë ata. Po ti je nënkryetar partie, ke qenë nënkryetar partie dhe tani më thua mua që thua që unë nuk punova në fushatë. Po si s’punove ti në fushatë? Apo pse s’e pate emrin tënd në listë, s’punove në fushatë ti? Në të mirën tuaj, nuk do zgjidhin në forume. Jo, nuk mund të zgjidhen”,- tha Berisha.

Berisha pranoi edhe problemet e hershme të PD me listat e anëtarësisë, detyrë të cilën ia ngarkon sërish bazës.