TIRANË - Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar qeverinë se po ndryshon buxhetin e viti 2014 për të parapaguar kompanitë kliente të mazhorancës për fushatën elektorale të vitit 2015. Berisha tha se opozita do të ngrejë një komision hetimor mbi këtë cështje, teksa këmbeu replika me Ministrin e Financave Shkëlqim Cani.

Por Ministri i Financave, Shkëlqim Cani akuzoi sot opozitën se, e la arkën e shtetit me 720 milionë dollarë borxhe. Duke folur në Kuvend, gjatë debatit për aktin normativ të buxhetit 2014, Cani tha se, "opozita është kundër miratimit të këtij akti, pasi është kundër interesit të qytetarëve". Sipas tij, "shumë shpejt do të shlyhen edhe 1 miliard lekë ose 10 milionë dollarë shpronësime të qeverisjes së mëparshme, që i përkasin 5 viteve më parë".

"Qeveria ka avulluar tërësisht. U nisën për Malaga po ku janë?" tha Berisha

"1.5 miliardë lekë ose 15 milionë dollarë iu dhanë KESH-it hua në mënyrë që KESH të shlyente detyrimet ndaj HEC-ve të vegjël, detyrime tuajat që nuk i keni shlyer. 1.5 miliard lekë të tjera u dhanë për shpronësimet në mënyrë që 2015-a të mos ketë të njëjtat probeleme me investimet, por të paraprihen me shpronësimet.Nga gjithë diskutimi i opozitës u kuptua që ajo është kundër këtij akti normativ, sepse opozita është kundër interesit të qytetarëve. Këtu u hodh shumë tym dhe baltë për veprimtari armiqësore, shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve, ndërkohë që ka 6 akte normative të të njëjtit tip, por më keq akoma, të shpërdoruara nga opozita e sotme. Populli ju dënoi sepse nuk ju dha votën dhe ne do të vazhdojmë përpara duke shlyer borxhet tuaja dhe duke i dhënë të drejtën, atij që i takon", tha Ministri Cani

"Folësi është një sharës i neveritshëm, pasi është dërrasë nga financat, doli këtu me pamjen e një krimineli të pashembullt ndaj financave. Si mund të votohet këtu pagesa paradhënie për 20 kompani? Atyre që iu keni zgjedhur lirisht kompanitë e arta për të paguar për fushata. Jua bëni dhuratë!" akuzoi Berisha

Opozita akuzoi qeverinë se akti normativ është anktikshtetues dhe paratë që do të rialokohen do të shkojnë në xhepat e klientelës së mazhorancës. Akti normative kaloi me 79 vota pro dhe 39 kundër.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)