Ish-presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro ka humbur ndjeshëm në peshë gjatë qëndrimit në burgun e Brooklynit, në SHBA, ku po pret gjykimin për akuzat që rëndojnë ndaj tij. Sipas një artikulli të publikuar nga The New York Times, ish-lideri venezuelian po e kalon pjesën më të madhe të kohës duke lexuar tekste fetare dhe filozofike, përfshirë Biblën dhe Kuranin, ndërsa është takuar edhe me përfaqësues të klerit, mes tyre një prift katolik dhe një rabin.
Sipas personave të njohur me rrethanat e qëndrimit të tij në burg, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti, humbja e peshës së Maduros është bërë e dukshme. Ata kanë bërë të ditur se cilësia e dobët e ushqimit në institucionin e vuajtjes së dënimit mund të ketë ndikuar në rënien e tij në peshë.
Artikulli thekson se Maduro 63 vjeç, kishte ndjekur një dietë të veçantë edhe përpara arrestimit, konkretisht dietën Paleo, por ndryshimi i kushteve ushqimore në burg duket se ka përshpejtuar dobësimin e tij. Sipas të njëjtave burime, ai është ankuar edhe për ushqimin që i shërbehet në qeli.
Gjatë qëndrimit në Qendrën e Paraburgimit Metropolitan në Brooklyn, Maduro ka shfaqur gjithashtu një interes të shtuar për çështjet fetare. Ai ka zhvilluar takime me kapelanë të burgut, përfshirë një prift dhe një rabin. Ish-presidenti ka deklaruar më herët publikisht se ka prejardhje hebraike sefardike, por persona pranë tij thonë se përpara arrestimit nuk kishte shfaqur interes të veçantë për judaizmin.
Maduro ndodhet në këtë institucion që prej kapjes së tij nga forcat amerikane më 3 janar, së bashku me bashkëshorten Cilia Flores. Të dy përballen me akuza në Shtetet e Bashkuara, përfshirë akuza për përfshirje në trafikimin e sasive të mëdha të kokainës drejt këtij vendi. Ata i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Sipas raportimit të The New York Times, Maduro pritet të dalë përpara gjykatës vitin e ardhshëm, ndërsa vazhdon qëndrimin në burgun e Brooklynit.








Komente
Komento