Kryetari i PD, Sali Berisha mbërriti në SPAK në zbatim të masës “Detyrim paraqitjeje.” Përpara gazetarëve, ai vijoi me akuzat kundrejt ish-kreut të SPAK, Altin Dumanit duke e quajtur si “armik të egër të pluralizmit politik, mercenar i Edi Ramës dhe narkoregjimit të tij, drejtësia vonon, por nuk të harron”, tha Berisha.

Mes të tjerash, Berisha vijoi me akuzat për Irena Gjokën duke e quajtur “Irena me 5 mbiemra”. Sipas tij, gjyqtarja e ka qëndruar 3 herë pasaportën, por pranoi se ka ndodhur gjatë qeverisjes së tij. 

“Ndërrimin e mbiemrave dhe pasaportave e ka profesion", tha Berisha për gjyqtaren, por pak më vonë një pyetje e gazetarëve bëri që ai ta pranojnë se kjo ka ndodhur kur vetë Berisha ishte kryeministër. 

Sali Berisha: A e dini që Irena ka marrë 3 pasaporta nga 2004-2007? Ndërrimin e mbiemrave dhe pasaportave e ka profesion.

-E paska bërë në qeverinë tuaj.

Sali Berisha: Pse, pa mëkate fare ka qenë qeveria ime thua ti? Ka korruptuar.

Gjatë paraqitjes në SPAK ku shkëmbeu edhe një komunikim me gazetarët, Berisha nuk u tërhoq nga sulmet ndaj medias duke vijuar ta quante “mafia e fjalës së lirë.”

“Dhe për një gjë jam këtu, mos gaboni kurrë, se unë nuk konfondoj kurrë gazetarët me pronarët. Harrojeni këtë. Ju mos u mashtroni nga pronarët dhe të thoni që ja si po sulmon Berisha shtypin. Jo, jo, unë sulmoj mafien e fjalës së lirë si mafia më e rrezikshme e kokainës”, tha Berisha.

Më tej, iu bëri thirrje gazetarëve të “mos bëhen zëdhënës të pronarëve”, ndërsa përgjigjes së tyre se edhe ai ka gisht në ndërtimin e medias, i bëri ‘bisht’ duke hequr dorë nga përgjegjësia.

Sali Berisha: Pronarët e mediave jua fshehin. Gazetarët, mos u bëni zëdhënës të pronarëve.

Berisha tha se tashmë ka një betejë me mediat, paradoksalisht duke përjashtuar gazetarët të cilët janë pjesë e medias.

“Kjo do të jetë një betejë e vazhdueshme e Sali berishës jo me gazetarët, gazetarët janë të autorizuar në opinionet e tyre të thonë ç’të duan për Sali Berishën, asnjë kufizim”, tha Berisha duke shtuar: “E kam mision, unë vazhdoj me misionin tim dhe siç luftoj mafien më të rrezikshme, Edi Ramën shtetërore, do të luftoj edhe mafian e fjalës së lirë”, përmbylli ai.

Berisha u pyet edhe për dosjen e Belinda Ballukut, për të cilën ka pretenduar se gjenden informacione të papublikuara. Ai tha se s’mund ta publikojë pasi s’është palë dhe në të përfshihen bashkëpunëtorë të drejtësisë.

Në atë dosjen Balluku, po të ishte Sali Berisha paditësi, në mënyrë absolute do ta bëja sekrete. Te kjo dosje jam palë. Aty jam i detyruar, kolegëve, bashkëpunëtorëve nuk u kërkoj, pse, aty ka bashkëpunëtorë të drejtësisë dhe në asnjë rrethanë, nuk pranoj të tradhtohen. Për mua janë njerëz shumë të çmuar. Ata që kërkojnë që ne të nxjerrim në treg të penduarit dhe dëshmitarët e drejtësisë, ata gabohen dhe s’do ta gjejnë kurrë këtë”, tha kryetari i PD.

Lajm në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:20
‘Irena Gjoka ndërroi 3 herë pasaportën’, Berisha pranon gabimin: Qeveria ime s’ka qenë pa mëkate

Edhe pse me akuza për gjyqtaren Irena Gjoka që e quan “Irena me shumë mbiemra” duke thënë se ka ndërruar “3 herë pasaportën”, Sali Berisha pranoi se këto kanë ndodhur gjatë qeverisjes së tij. Ndërsa sot akuzon qeverinë se është e korruptuar, kryetari i PD tha se edhe në të tijën ka ndodhur e njëjta gjë.

Sali Berisha: A e dini që Irena ka marrë 3 pasaporta nga 2004-2007? Ndërrimin e mbiemrave dhe pasaportave e ka profesion.

-E paska bërë në qeverinë tuaj.

Sali Berisha: Pse, pa mëkate fare ka qenë qeveria ime thua ti? Ka korruptuar.