TIRANË- Në një takim të zhvilluar në Elbasan me simpatizantët e tij, Sali Berisha ka komentuar samitin e Open Balkan në Ohër. Berisha tha se mesazhet e përcjella nga Ohri ishin skandaloze, ndërsa sipas tij Rama refuzon të njohë gjenocidin në Kosovë.
“Takimi i Ohrit, cilat ishin mesazhet? Mesazhet ishin katastrofë. Në një anë i dilej zot atij që nuk e njeh gjenocidin. Ai që nuk e njeh gjenocidin është kriminel për definicion, i gatshëm për ta kryer atë sa herë të ketë mundësi. Sepse ai e quan gjë të mirë atë, ai e quan krim të dobishëm. Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë, kurrë, njeri që në një samit, duke pasur aty si padron Vuçiçin të thoshte se të merremi tani se ke vrarë këtë, ke therur atë sikur të ishin njerëzit, më falni berra dhe jo njerëz për një kasaphanë njerëzore. Ky ishte një moment, shumë i rëndë. Nuk mund të flasësh në këtë mënyrë për viktimat e gjenocidit. Ti je një fatkeqësi njerëzore, jo kombëtare që flet në këtë mënyrë", tha Berisha.
Berisha u shpreh se në 9 muajt e fundit PD kaloi në një proces rithemelimi, duke ringritur në këmbë partinë. Berisha tha mes të tjerash se sot më shumë se kurrë, interesi kombëtar është vënë në rrezik, si asnjëherë më parë.
“Në një hark kohor 9 mujor, ndoshta dhe të zgjatur më shumë se duhej, PD kaloi një proces rithemelimi. Vendosi disa rregulla, ndryshime thelbësore statutore, sot të gjithë drejtuesit tuaj janë tuajit, i keni zgjedhur vetë dhe nuk do caktohen më nga ne. Kjo ka një vlerë të madhe sepse zhdërvjelltëson format e përfaqësimit. Të zgjedhurit do t’u shërbejnë ju, dhe ky është hapi i parë i rëndësishëm, por ama, po ta marrim në realitet ne në këtë periudhë kemi ringrit në këmbë PD, se kishte kaluar nga disfata në disfatë, dhe në fund në mënyrën më të padenjë po shndërrohej në një shtojcë të PS.
Këto arritje kërkojnë me etje të madhe, hapjen e PD drejt vlerave, njerëzit që kanë ideale, të ndershëm, që e kuptojnë se dashuria për këtë vend është kusht elementar. Sot më shumë se kurrë ky interes është në kërcenim, kjo është një e vërtetë absolute. Në memorien time nuk di një moment në të cilin interesi kombëtar, i qytetarëve, biznesmenëve, e me radhë, të jetë përkeqësuar, rrokullisur sinkronisht në këtë mënyrë”, tha ai.
Punimet e nismës “Open Balkan” në Ohër, kulmuan me nënshkrimin e 4 marrëveshjeve të rëndësishme mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja e parë konsiston në njohjen reciproke të diplomave dhe gradave shkencore të lëshuara në institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera të autorizuara. Marrëveshja e dytë ka të bëjë me një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e turizmit, ndërsa dy marrëveshjet e tjera lidhen me bashkëpunimin kulturor dhe atë administrative tatimore në Ballkanin Perëndimor.
Të komentosh Saliun, është si të komentosh një të vdekur.
Përgjigju