'Ballkani i Hapur' në Ohër, merr pjesë Mali i Zi e Bosnja, mungon vetëm Kosova! Firmosen 4 marrëveshjet! Rama: Lufta në Ukrainë e bën nismën domosdoshmëri! SHBA: E mbështesim

Në Ohër nisma Ballkani i Hapur mori mbështetjen më të madhe deri tani. Në samitin që po zhvillohet në Maqedoninë e Veriut, përveç shteteve themeluese Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, të pranishme ishin për herë të parë edhe Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina. Kosova nuk mori pjesë në samit, ndërsa në fjalët e tyre liderët pjesëmarrës, i bënë ftesë që t’i bashkohet Ballkanit të Hapur.

Mbështetje nisma e vendeve të Ballkanit Perëndimor mori edhe nga BE e SHBA. I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i pranishëm përmes një video mesazhi në samit, kërkoi që edhe Kosova të bëhet pjesë e kësaj nisme. Escobar tha se kjo nismë që të mbështetet nga SHBA duhet t’i përfshijë të 6 shtetet. Nga ana tjetër në fjalën e tij, komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi tha se e mbështet nismën dhe se kjo mund të sjellë zhvillim ekonomik, sidomos në situatën ku ndodhemi prej luftës në Ukrainë.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama tha se kjo nismë është shumë e rëndësishëm për njerëzit tanë. Duke ju referuar mungesës së Kosovës në samit, kreu i qeverisë risolli në kujtesë përplasjen mes SHBA-së e Japonisë, vite më parë. Rama tha se SHBA ka hedhur dy bomba atomike në Japoni, por sot ajo është një aleate e ngushtë me SHBA, kjo për faktin se po sheh nga e ardhmja. Problemet nënvizoi kreu i qeverisë mund t’i zgjidhim vetëm përmes afrimit. ”Lufta në Ukrainë e bën samitin domosdoshmëri përpara se kjo luftë të shpërthejë” tha kryeminstri Rama duke nënvizuar se Ballkani i Hapur nuk ka për të vdekur dhe se vendet e rajonit nuk kanë luksin t’i mbajnë qëndrim njëri tjetrit.

Për herë të parë, morën pjesë edhe Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina. Mesazhi i kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ishte i qartë. Ai vlerësoi nismën, dhe theksoi se sjell zhvillim ekonomik për vendet dhe lëmë pas të kaluarën, por duhet dialog ndërmjet shteteve në mënyrë që të krijohet një besim i ndërsjellë. Ai ftoi liderët pjesëmarrës si dhe Kosovën që të zhvillojnë një takim në Malin e Zi.

Edhe kreu i Këshillit të Ministrave të Bosnjë Hercegovinës Zoran Tegeltija, tha se shumë shpejt edhe Bosnja do të bëhet pjesë e kësaj nisme. Tegeltija u shpreh se kjo nismë mbështetet nga komuniteti i biznesit, ku nënvizoi se kjo nisme mund të iniciojë një potencial të rëndësishëm ekonomik për Rajonin.

Sa i përket marrëveshjeve, Kovaçevski, Rama dhe Vuçiç ranë dakord që Shkupi, Tirana dhe Beogradi të njohin reciprokisht diplomat dhe titujt shkencor të lëshuara në institucionet e larta arsimore dhe institucionet e tjera të autorizuara në të tre vendet, gjë që sipas tyre do të përshpejtojë procedurën për krijimin e një tregu të vetëm të përbashkët të punës. Me Memorandumim për mirëkuptim për bashkëpunim në fushën e turizmit do të promovojë së bashku rajonin si një destinacion tërheqës turistik. Një nga qëllimet e Memorandumit për bashkëpunim në kulturë është krijimi i një Kalendari të përbashkët të ngjarjeve kulturore që do të sjellë mobilitet të publikut dhe do të nxis turizmin kulturor ndërkaq, Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunimin e administratave tatimore ndërmjet vendeve të rajonit krijon një mundësi të re për lëvizjen më të lehtë ndërkufitare të njerëzve, mallrave apo shërbimeve.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:15
Nënshkruhen marrëveshjet dhe memorandumet nga liderët e Ballkanit të Hapur

 

 Në Samitin e Ballkanit të hapur u firmosën disa marrëveshje bashkëpunimi mes vendeve, në fushën e arsimit, kulturës, turizmit dhe administratës tatimore.

-Marrëveshje për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor në fushën e njohjes reciproke të diplomave dhe gradave shkencore të lëshuara në institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera të autorizuara.

-Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunimin kulturor në Ballkanin Perëndimor.

-Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunimin në fushën e turizmit në Ballkanin Perëndimor.

-Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunimin e administratave tatimore në Ballkanin Perëndimor.

Ora 15:10
Abazoviç: Së bashku me Ramën prezantuam projektin e përbashkët për ndërtimin e urës mbi Bojanë

1654694044_abazovicrama.JPG

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe kryeministri Edi Rama kanë prezantuar një projekt të përbashkët  për ndërtimin e një ure mbi Bojanë. Këtë e ka bërë me dije Abazoviç përmes një postimi në Twitter duke thënë se do të reduktonte distancën dhe pasuronte ofertën turistike.

"Sot, unë dhe Edi Rama prezantuam një projekt të përbashkët për të ndërtuar një urë mbi Bojanë. Kjo jo vetëm do të reduktonte distancën midis qyteteve dhe vendeve, por do të pasuronte edhe ofertën turistike të atyre zonave. I afrojmë qytetarët, forcojmë ekonominë! Qëllimi është zhvillimi i vendit nga veriu në det", shkroi Abazovic.

Ora 12:35
Pas fjalëve hapëse të samitit, liderët e vendeve të Ballkanit të Hapur ulen për një kafe (VIDEO)

 

Pas hapjes së samitit të Ballkanit të Hapur, ku liderët thanë fjalën e tyre, janë ulur në tavolinë duke konsumuar kafe gjatë një pushimi të shkurtër. Mes liderëve mungon vetëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ora 11:40
Varhelyi: Ballkani i Hapur është arritje e rëndësishme! Shfrytëzoni strukturat, është iniciativë pozitive! Ne do të jemi këtu me planin e investimeve ekonomike

1654681087_Screenshot5.jpg

Komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi foli për Ballkanin e Hapur duke thënë se e mbështet dhe mund të sjellë zhvillim ekonomik, sidomos në situatën ku ndodhemi prej luftës në Ukrainë. Në fund të fjalës së tij në Ballkanin e Hapur, Varhelyi dha mesazhin e qartë që të shfrytëzohen strukturat e shteteve sepse është iniciativë pozitive.

"Ky është integrimi i vërtetë që fillon me ekonominë dhe shoqërinë, prandaj isha i kënaqur për idenë që vjen nga rajoni dhe është arritje e rëndësishme sepse rajoni e bëri këtë ide, nuk e bëmë ne, as SHBA, por vetë rajoni. Ata e shpikën këtë ide dhe filluan ta shfrytëzojnë sepse kur për herë të parë në tavolinë kishim një plan të madh të investimeve në këtë rajon për zgjidhjen e sfidave më të mëdha në rajon.

Sipas vlerësimeve tona, rajoni mund të krijojë 1/3 vetëm përmes integrimit ekonomik. Rajoni e ka këtë dhe vetëm ajo mund ta bëjë. Mund të ndihmojmë me planin e investimeve ekonomike se kjo është mënyra ynë për Ballkanin e Hapur që duhet të vazhdojë. Sot shohim si nënshkruhen marrëveshjet. Kjo është shumë e rëndësishme në situatën ku gjendemi për shhkak të luftës. Të punojmë bashkë e të ndihmojmë njëri-tjetrin. Përsa kohë që Ballkani i Hapur bazohet në përshpejtim të normave të BE-së në katër liritë themelore, ne do jemi këtu me planin e investimeve ekonomike që këto rezultate të kapin nivele më të larta.  Mendoj se kjo është shumë iniciativë pozitive, është e ardhmja që mund të krijohet që sot", tha Varhelyi.

Ora 11:34
Varhelyi i përgjigjet Ramës: Nuk është interesante të flasim për martesa! Këtu jemi për procese, njerëzit duan të dinë kur do jetojnë si në Europë

1654680221_Screenshot2.jpg

Komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi është i pranishëm në samitin e Ballkanit të Hapur që po mbahet në Ohër. Një përgjigje e kishte për kryeministrin Edi Rama që sa herë bëhet fjalë për integrimin europian, thotë se nuk do të përgatiten për dasëm kur të vijë martesa. Sipas Varhelyi, nuk është interesante të flitet për një gjë të tillë, por për procese ndërsa njerëzit duan të dinë kur do të jetojnë si në Evropë.

"Ajo është mundësi me të cilën përballet rajoni dekada të tëra. Normalisht mund të jetë edhe mundësi për përshpejtimin e rrugës drejt BE dhe integrimin real të rajonit në BE. E them këtë sepse kur flasim për martesa apo simbole të tjera, më shumë flasim për procese, flasim për korniza negociouese, për non-paper e kështu me radhë. Të jem i sinqertë me ju, kjo nuk është interesante për njerëzit tanë sepse vlerësoj se pyetja e tyre kyce është kur do të jetojmë si në Evropë, kur do të kemi mundësitë e njëjta si në BE dhe kur do të përjetojmë që të gjithë barrierat të eliminohen", tha Varhelyi.

Ora 11:21
Kreu i Këshillit të Ministrave të Bosnjë Hercegovinës, Zoran Tegeltija: Shumë shpejt do të jemi pjesë e Ballkanit të Hapur

 

Kreu i Këshillit të Ministrave të Bosnjë Hercegovinës Zoran Tegeltija, i cili mori pjesë për herë të parë në Samitin e Ballkanit të Hapur që po mbahet në Ohër tha se shumë shpejt edhe Bosnja do të bëhet pjesë e kësaj nisme. Tegeltija u shpreh se kjo nismë mbështetet nga komuniteti i biznesit, ndërsa e tha se Ballkani i Hapur mund të iniciojë një potencial të rëndësishëm ekonomik për Rajonin.

‘Bosnje-Hercegovina nuk ka konsensus për Ballkanin e Hapur dhe nuk e di pse. Sipas meje shkaqet janë për shkak të së kaluarës. Kush e propozon këtë nismë. Ka pasur edhe grupime politike që vlerësonin se do të ishte mos sukses. Në Bosnjë ka ndikime nga individë dhe ambasada që vlerësojnë që Bosnje Hercegovina nuk do të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur. Jemi dëshmitar, të atyre që janë kundër adër

Jam këtu sepse e di që komuniteti i biznesit e mbështet projektin e Ballkanit të Hapur. Këtu jam sepse e di që numri më i madh i qytetarëve mbështet këtë projekt. Përfaqësues të Bosnje Hercegovinës marrin pjesë. Jam i sigurt të Ballkani i Hapur mund të inciojë një potencial të rëndësishëm ekonomik të Rajonit. Jam i sigurt se Bosnjë Hercegovina do të bëhet anëtare e Ballkanit të Hapur. Fakti që u mbështet nga SHBA më jep mundësi të besoj se do të jetë shumë shpejt pjesë e Ballkanit të hapur. Po përballemi me rritjen e papërballueshme të çmimeve dhe mendoj se situata është e ngjashme.’- tha Zoran Tegeltija.

Ora 11:12
‘Open Balkan’, Abazoviç: Pranojmë çdo nismë që sjell progres, por duhet dialog! Ju pres në Malin e Zi, aty pres edhe Kosovën që të diskutojmë së bashku

 

Kryeministri i Malit të Zi në samitin e Ballkanit të Hapur në Ohër, tha se kjo nismë është e mirë për biznesin dhe ekonominë. Por për Abazoviç, duhet një dialog i hapur ndërmjet shteteve që të krijohet edhe besimi i ndërsjellë. Abazoviç po ashtu u bëri ftesë 6 liderëve të Ballkanit Perëndimor, që të zhvillojnë një takim në Malin e Zi, duke ftuar edhe kryeministrin e Kosovës.

‘Këtë e shikoj që të kemi një të ardhme të mirë në biznesin ekonomik, në mundësi më të mira që të kemi bashkëpunim më të mirë. Kjo për mua është ideja e Ballkanit të Hapur. Çdo nisme që shtyn drejt progresit do mbështet nga Mali i Zi. Për mua ne duhet të kemi dialog dhe kjo do të na shpie në besimin e ndërsjellë dhe së bashku të ndërveprojmë me aktivitete që shtynë drejt regresit në rajon. Politikat e mosrespektimit e theksimit ët politikave të mosvazhdueshme na ka mbajtur deri këtu. Unë kam kënaqësi që edhe administrata e mbështet këtë nisme.

Askush nuk dëshiron që të importojë probleme. Ne që ulemi këtu dhe shpresojmë të jemi së bashku, ne duhet të ulemi 6 persona dhe të flasim për nevojat e qytetarëve. Mesazhi për BE-në më pas do të jetë i qartë. Te jemi anëtarë të familjes së BE-së duhet të ndryshojmë sjelljen tonë. Ideja është të nxisim diçka të re të bëjmë ribrandim të Ballkanit Perëndimor, të përçojmë mesazhe optimiste.

Na duhet dialog i hapur, të krijojmë politika të reja. Në Ballkanin Perëndimor meritojmë një histori që të tregojë të gjitha të mirat tona. Ne duhet të ndryshojmë mentalitetin tonë. Po ne jemi të interesuar edhe për sezonet e zjarreve, të ndihmojmë njeri tjetrin. Jeni të mirëseradhur në Malin e Zi, pres që të vij edhe kryeministri i Kosovës.’- tha Abazoviç.

Ora 11:03
Parashikimi i Ramës për krizën energjetike: Në dimër, problemi nuk do të jetë çmimi! Nuk do të ketë energji për të blerë

 

Kryeministri Edi Rama bëri një parashikim aspak të mirë për krizën energjetike duke thënë se me ardhjen e dimrit, problemi do të jetë që nuk do të ketë energji për të blerë.

"Sot jemi në teh thike, por jemi shumë më vulnerabël se shumë të tjerë, ndërkohë që në horizont është një dimër ku problemi nuk do të jetë çmimi i energjisë, por nuk do të ketë energjinë për ta blerë. Nuk kemi luksin të qëndrojmë me kurriz dhe të hapim defterët e konfliktit, ndërkohë që njerëzit duan energji", tha Rama.

Kryeministr foli edhe për fermerët duke thënë se Ballkani i Hapur është mekanizëm që të gjithë të përballojnë sa më mirë krizat që vijnë për të tjerëve, duke iu referuar këtu edhe luftës në Ukrainë.

"Përsëri si me grurin do të provohet sa e vërtetë është që Ballkani i Hapur është i njerëzve, i familjeve shqiptare, i fermerëve shqiptare. 56.7 milionë euro është sot volumi i eksporteve mes 3 vendeve dhe këtu kam parasysh volumin e fermerëve shqiptarë në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut. Vjet ishte 33.9. Dyfish, ose pothuajse. Pse? Në një kohë problematike kur vetëm çmimi i naftës për fermerët ka pësuar rritje të frikshme, pavarësisht se çfarë kemi bërë për ta subvencionuar, i thyen të gjitha që ngrihen kundër Ballkanit të Hapur që është edhe një mekanizëm për të përballuar më mirë krizat që vijnë prej më të mëdhenjve që kanë arsyen e tyre të mosarsyes për të hyrë në luftëra barbare si kjo e Rusisë në Ukrainë.

Eksportet e dini sa janë rritur mes Shqipërisë dhe Serbisë? 63% plus. Çfarë do të thotë kjo? Fermerët tanë po shesin dhe po fitojnë. Serbia nuk ka hyrë në Ballkanin e Hapur për të humbur, por jemi të gjithë për të fituar me punë, bashkëpunim dhe liri lëvizje", tha Rama.

Ora 10:59
Gabriel Escobar: SHBA-të mbështesin ‘Ballkanin e Hapur’, na keni në krah! Të gjitha shtetet të bëhen pjesë

 

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i pranishëm përmes një video mesazhi në samitin e sotëm të Ballkanit Perëndimor, kërkoi që edhe Kosova të bëhet pjesë e kësaj nisme. Escobar tha se kjo nismë që mbështetet nga SHBA duhet t’i përfshijë të gjashta shtetet.

“Ne kishim një dialog të suksesshëm dhe do të bëjmë çdo gjë për stabilizimin e rajonit dhe të krijojmë mundësi të reja për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.  SHBA nuk e sheh BP nga një pikë e problemeve që kanë ndodhur shekullin e kaluar por nga pritshmëritë e shekullit që jemi. Ballkani Perëndimor ka mundësi të mëdha, me të gjitha pasuritë dhe resurset e mahnitshme.

Në do t’ju ndihmojmë që ju ta ndërtoni të Ardhmen. Rajoni ka potencial që të jetë qendër e energjisë, që do të ndihmojë të luftojmë ndryshimet klimatike. Ka kapacitet të jetë qendër e gazit natyror. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës që ka rritjen më të madhe. Ne do t’i lehtësojmë punët. SHBA-të e përkrahin këtë nismë të ‘Ballkanit të Hapur’.  Ne i përkrahim të gjitha incentivat ekonomike që afrojnë vendet dhe promovojnë paqe dhe zhvillim. Secila iniciativë për një integrim ekonomik duhet të përfshijë të 6 shtetet”, tha ai.

Ora 10:58
Batuta e Ramës në samitin e Ohrit për integrimin: BE është ‘nusja’ Ballkani është ‘burri’, ne jemi gati, kur ata të duan të bëjnë dasmën

 

Kryeministri Edi Rama në samitin që po mbahet në Ohër në kuadër të Ballkanit të Hapur është ndalur edhe tek integrimi i vendit në BE. Kreu i qeverisë përsëriti edhe një herë metaforën me ‘nuse’ dhe ‘dhëndrin’, ku tha se Ballkani është gati për dasëm, ndërsa theksoi se është koha t’i japin fund këtij stresi u hapën su hapën negociatat. Për kreun e qeverisë diçka është e qartë se ne do të ndërtojmë Europën këtu në Ballkan. Rama tha se ndihem mirë kur shkon tani në Bruksel pasi i duket sikur u jep kurajo.

‘Në këtë rast Ballkani i Hapur është burrë dhe Europa e bashkuar është nusja. Kjo është keq për ne, do të ishte më mirë të ishim ne nusja pasi do të na merrnin më shpejt. Duke qenë burri, ke qenë atje, kë vrarë këtë, është problem i madh, por ne e kemi të qartë ne do të ndërtojmë Europën këtu. Pastaj kur ato të duan të bëjnë dasëm do të jemi gati. Nuk ju marrin. Ka dalë Bullgaria, që Bullgaria është burrë për vete. Edhe Bullgaria është një burrë me probleme ne shqiptarët jemi në rregull. Nëse do të duan të bëjnë dasmën ne këtu jemi. Nëse jo. Është koha t’i japim fund këtij stresi na u hapën s’na u hapëm. Rëndësi ka t’i bëjmë këtu gjëra. Edhe Bullgaria kur të lodhet duke lozur me këtë kukull do e hedhë tutje. Këtu bëhet fjala për të hapur bisedën dhe jo për të mbyllur bisedën. Ne do të vazhdojmë bisedën mes nesh. Por një gjë dua të them. Dikur kur shkoja në Bruksel shkoja dhe merrja kurajo nga ata. Tani kur shkoj në Bruksel më duket sikur u jap kurajo. Më vjen keq kur i shoh atje. Shkojmë atje dhe u japim energji atyre. Ballkani nuk vdes, ky i hapur aq më pak vdes. Jemi këtu në mes të Europës BE na bëjnë ato po E, europianë e kemi.’- tha Rama.

Ora 10:57
Rama: Më mirë të digjen pyjet se të na ndihmojë shkjau? Kemi ndërtuar mekanizëm për zjarret, njerëzit do shohin provat këtë verë

 

Në fjalën e tij gjatë samitit të Ballkanit të Hapur, kryeministri Rama u ndal edhe tek zjarret duke thënë se këtë verë, njerëzit do të shohin provat e shuarjes së flakëve me mjete nga ajri.

"Zjarret, kemi ndërtuar mekanizëm dhe jam i bindur që këtë verë, njerëzit do të shohin provat për të ndihmuar njëri-tjetrin me logjistikë, me mjete nga ajri. Mos duhet të lëmë të digjen pyjet sesa të na ndihmojë shkjau? Nuk i besoj këto", tha Rama.

Ora 10:50
Rama: Sa më shumë afrohemi, aq më shumë arrihet paqja përfundimtare mes Shqipërisë dhe Kosovës! Nuk kam asnjë dakordësi me Vuçiç

 

Kryeministri Edi Rama foli për konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë  duke thënë se nuk ka asnjë dakordësi me Vucic por dha mesazhin e qartë se e ardhmja është më e rëndësishme se e shkuara.

"Besoj fort se sa më shumë afrohemi, aq më shumë shanse ka të zgjidhen konfliktet, aq më shumë ka të bëhet paqja përfundimtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, një temë të cilën nuk kam asnjë dakordësi me presidentin e Serbisë, por zgjidhja është shumë e thjeshtë. Ose kjo mosdakordësi të kthehet në konflikt permanent me të gjitha ato boshllëqe që pastaj mbeten në ekonominë tonë, në sigurinë tonë, ose e kundërta mund të ndodhë, afrohemi sa më shumë që të kuptojmë njëri-tjetrin dhe në fund vetë njerëzit të jenë të vetëdijshëm se e ardhmja është më e rëndësishme se e shkuara", tha Rama.

Ora 10:45
Kosova nuk merr pjesë në Samitin e Ballkaniit të Hapur, Rama: SHBA hodhi 2 bomba atomike në Japoni, por sot kanë miqësinë më të fortë

 

Kryeministri Edi Rama tha nga Ohri ku po mbahet samiti i Ballkanit të Hapur se kjo nismë është shumë e rëndësishëm për njerëzit tanë. Duke ju referuar mungesës së Kosovës në samit, kreu I qeverisë risolli në kujtesë përplasjen mes SHBA-së e Japonisë, vite më parë. Rama tha se SHBA ka hedhur dy bomba atomike në Japoni, por sot ajo është një aleate e ngushtë me SHBA, kjo për faktin se po sheh nga e ardhmja.

Ballkani i Hapur ësh të i rëndësishëm për njerëzit tanë, për hapësirën e përbashkët në të cilën lindin fëmijët tanë dhe nesër do të marrin në duar fatet e vendeve tona. Në Këshillimin Kombëtar qytetarët mbështetën Ballkanin e Hapur. Ne e dimë shumë mirë, nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për të ditur marrëdhënien speciale që Serbia ka me Rusinë. Nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për të ditur që mes Serbisë dhe Kosovës ka një konflikt të pazgjidhur, por midis të qëndruarit me kurriz nga e ardhmja dhe kthimit të syve nga e ardhmja ne kemi zgjedhur të dytën. Jemi këtu sepse duam të vazhdojmë drejt të ardhmes.

Problemet e pazgjidhura mund të zgjidhen vetëm nëse ne afrohemi. Vetëm nëse ne kuptojmë se sa të rëndësishëm jemi për njëri tjetrin. SHBA ka hedhur dy bomba në Japoni dhe një nga miqësitë më të ngushta sot në arenën ndërkombëtare është aleanca mes Japonisë dhe SHBA-së. Nëse do të vazhdonte edhe sot e gjithë ditën të qëndronte me kurriz nga SHBA nuk do të ishte aty ku është. Gjermania me Francën janë sot bashkë për të përfituar reciprocikisht. Serbia në Ballkanin e Hapur është një partner që ka marrë përsipër një angazhim dhe solidaritet për të ardhmen. Çfarë do të ndodhte nëse nuk do të merrnim dot një sasi gruri. Me retorikën e konfliktit apo me frikën për tu futur në luftë.’- tha Rama.

 

Ora 10:35
Kryeministri Rama: Nuk duhet të flasim si jemi mësuar në Bruksel! Lufta në Ukrainë e bën të domosdoshme nismën e Ballkanit të Hapur

 

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se duhet të flasin hapur në samitin e Ballkanit të Hapur ndërsa thekson se mblidhen për herë të parë në kohë lufte, ndaj nisma është shumë e rëndësishme.

"Disa shënime jashtë fjalimit të përgatitur sepse besoj që ky është një rast për të folur për Ballkanin e Hapur si në Ballkanin e Hapur. Ne nuk mund të vijmë në një takim dhe të flasim sic jemi mësuar kur shkojmë në Bruksel. Ne do të flasim shumë hapur dhe duhet ta ruajmë dhe ta fuqizojmë këtë karakteristikë të këtij rajoni pa pasur frikë se nga e folura hapur mund të kemi më shumë probleme sesa arsyeja për tu bashkuar dhe unë dua të kujtoj se ne mblidhemi sot për herë të parë në një samit të Ballkanit të Hapur pasi ka filluar lufta në Ukrainë.

Lufta e bën Ballkanin e Hapur një domosdoshmëri edhe më të madhe sesa ishte para se kjo luftë që i befasoi të gjithë të fillonte. Mbrëmë kam pasur kënaqësinë të takoj këtu në vigjilje të samitit të Ballkanit të Hapur ambasadorin, një ndër veteranët e diplomacisë amerikane dhe njohës i rajonit, i cili ka shërbyer në Tiranë në kohët dramatike të transformimit nga diktatura në demokraci dhe sot shërben në Beograd. Ambasadori është një nga dëshmitarët e domosdoshmërisë së BH. Ai është këtu për ta mbështetur Ballkanit të Hapur dhe kjo për mua është shumë inkurajuese. Ndërkohë që jam shumë i lumtur që me ne janë edhe kryeministri i Malit të Zi si dhe Zorani nga Bosnja, ashtu sic jam i lumtur që sot këtu janë dhe 2 miq të rëndësishëm, partnerë të pazëvendësueshëm, komisioneri Varhelyi dhe miku im Escobar. Përtej miqve dhe partnerëve, BH është i rëndësishëm për njerëzit tanë", tha Rama.

Ora 10:32
Samiti i Ballkanit të Hapur në Ohër, Vuçiç: Kjo nismë nuk mund të ndalet, takimi i ardhshëm do të jetë në fund të verës në Beograd

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç në samitin e Ohrit, në kuadër të Ballkanit të Hapur tha se kjo nismë nuk mund te ndalet. Vuçiç tha ndër të tjerë së takimi i radhës do të mbahet në Beograd në fund të verës.

‘Kjo është iniciativë e njerëve nga Ballkani e atyre që  e kanë kuotuar se duhet të lidhen dhe se mund të zgjidhin vetë problemet e tyre. Çdo gjë që kemi bërë në ekonomi ekziston diçka që shihet në marrëdhëniet me Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kemi arritur të zgjidhim disa probleme bilatreale. Ne nuk kemi asnjë kërkesë ndaj askujt përveçse të jemi miq dhe të punojmë për qytetarët tanë. Falenderoj Varhelyin që është këtu. Kjo iniciativë është diçka që nuk mund të ndalet. Çdo vit të ardhshëm të ketë sa më shumë bashkëpunime. Është me rëndësi të them që duhet të formojmë grupe punuese dhe propozojmë që të jetë në Serbinë jugore, para samitit të madh që kemi, në fund të verës në Beograd.

Duhet të diskutojmë se çfarë do të diskutojnë njerëzit. Duhet të diskutojmë se çfarë mund të bëjmë për turizmin. Njerëzit nga Serbia po shkojnë në bregdetin shqiptar. Ne t’i ftojmë miqtë tanë që të vizitojnë Serbinë tonë të bukur. Jam krenar që nga iniciativa që e bëmë, këtë nuk mund të ndalojë askush. A do na hapen negociatat varen nga të tjerë jo nga ne.  Ne presim helikopterë plotësuar të specializuar për fikjen e zjarreve sepse presim verë të nxehtë dhe më pas të ndihmojmë miqtë tanë Maqedoninë dhe Shqipërinë.’- tha Vuçiç.

Ora 10:27
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut: Porosia jonë është integrimi i Ballkanit të Hapur në BE! Zotimi për kontrollet e kamionëve të mallrave në dogana

 

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski hapi samitin e Ballkanit Perëndimor në Ohër duke treguar se cilat do të jenë marrëveshjet që do të firmosen.

"Mirëserdhët në Ohër, në nismën e Ballkanit të Hapur. Është kohë e sfidave që kërkojnë vendime të përbashkëta dhe kjo nismë është përkushtimi ynë për paqe, ky është përkushtimi ynë për një jetë më të mirë, është një nismë për evropianizim të rajonit. Po ashtu edhe shiriti i gjelbërt në kufi lejon lëvizje më të shpejtë të kamionëve që transportojnë produkte. Institucionet tona janë në komunikim të vazhdueshëm që shiritat t'i heqim, së bashku me barrierat.Për këtë zotohemi më shumë të zvogëlojmë kontrollin e kamionëve. Përfitimet e Ballkanit të Hapur i vërejtëm edhe këtë verë si rezultat i marrëveshjes për veprim të përbashkët me katastrofa natyrore. E gjithë Europa dhe rajoni po përballemi me pasoja të mëdha të luftës dhe krizës energjitike. Në këto kushte ne varemi nga njëri-tjetri.

Ne jemi kryesisht për përmirësimin e konkurrencës, investimet e reja dhe zhvillim të bizneseve, për standard më të mirë të jetës nga i gjithë Ballkani. Ballkani i Hapur është një platformë që i duhet rajonit. Ky samit na con edhe më tej në bashkëpunimin tonë, në heqjen e barrierave dhe përafrimin e popujve tanë. Sot firmosim memorandume dhe marrëveshja të reja bashkëpunimi. Do ta lehtësojmë procesin për të krijuar një treg të vetëm të punës. Së pari duhet ta bëjmë që të rinjtë të qëndrojnë këtu, të mos ikin në botë. Sot hapim kapitull të ri në fushën e turizmin, Ballkani i Hapur të ofrohet si destinacion turistik me detet shumë të bukura falë Shqipërisë dhe liqenet e Maqedonisë e malet shumë të bukura. Sot kemi bashkëpunim edhe në fushën e kulturës për aktivitete që do të përmirësojë shkëmbimin kulturor. Shpresojmë të rriten festivalet. Shpresoj që më shumë serb dhe maqedonas ta vizitojnë Tiranën për vitin 2022.

Në këtë samit do të nënshkruhet edhe marrëveshja për bashkëpunimin mes vendeve për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve. Duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin në mënyrë Europiane, jo të ngecemi dhe të bllokojmë njëri-tjetrin. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përgatitur. Ne jemi në një hapësirë gjeostrategjike në vendin tonë. Ne duhet të plotësojmë zbrazëtinë, prandaj ekziston Ballkani i Hapur. Ne sot përcjellim një porosi: Ka rëndësi të vecantë edhe BE e vendet anëtare duhet të pyeten se anëtarësimi ynë në BE është strategjike. Vizioni ynë është integrimi në BE. Ne lëvizim në mënyrë pragmatike e ekonomike, ndaj do të kemi dhe rroga më të mira për njerëzit tanë. Të gjithë ne jemi të bindur se kjo nismë do të bëhet gjithnjë e më atraktive", tha Kovaçevski.

Ora 10:09
Nisin punimet e samitit të Ballkanit të Hapur në Ohër! I pranishëm edhe Varhelyi

 

Kanë nisur punimet në samitin e Ballkanit të Hapur që po zhvillohet në Ohër. Në samitin e Open Balkan merr pjesë për herë të parë Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovin, ndërsa krerët e shteteve pjesëmarrëse janë takuar së bashku. I pranishëm në takim është edhe Komisioneri i Bashkimi Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Luis: 08/06/2022 11:43

    Nje samit i rendesishem. Marredheniet e mira qe keni mbajtur me shtetet e tjera kane sjelle sot qe te kemi keto projekte te rendesishme. Shpresoj qe me keto projekte te arrijme te futemi edhe ne BE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja