Kreu i qeverisë, Sali Berisha nga qyteti i Librazhdit ripërsëriti edhe një herë premtimet e tij elektorale për programin politik të bujqësisë në vend. “Kemi investuar në Shqipërinë rurale në shkolla, ujësjellësa, kanalizime. Sëbashku do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo rrugë të komunës tuaj.

Në këtë hark kohor nga 2007 deri sot, me skemën e granteve kemi financuar projektet e 42 mijë fermerëve. Zotohemi se gjatë 4 viteve që vijnë do të trefishojmë grantet për projektet tuaja. Në mënyrë që ju të prosperoni, të ndërtoni kopshtet, serat, bahçet tuaja dhe të ecim të sigurt drejt një mirëqenieje të mirë që të zhvilloni të gjitha potencialet turistike të zonave tuaj të mrekullueshme”, tha Berisha.

Ndër të tjera, duke iu referuar inagurimit të rrugës Hotolisht – Frarë, kryeministri u shpreh se, "me rrugën e re, kjo zonë fiton një dalje të shpejtë, të pamundimshme në rrugën kombëtare dhe afrohet me Librazhdin, Elbasanin dhe Tiranën. Kjo rrugë i shtohet dhe 100 kilometra rrugëve të tjera që kemi ndërtuar dhe rindërtuar në këtë rreth.

Për ne, që në ditën e parë të ardhjes në pushtet e deri sot, Shqipëria rurale e zhvilluar, fshati shqiptar i zhvilluar, përbën kushtin themelor për një Shqipëri të zhvilluar”, tha ai. Berisha gjithashtu nuk nguroi as të lëshojë akuza për kreun e PS. “Bllokove vetëm për ligësinë e shpirtit tënd, sepse mendove se nëse merrej statusi Berisha do të merrte kredi të mëdha.

Berisha dhe qeveria e tij bëri çdo gjë dhe statusi u rekomandua për Shqipërinë nga KE, me kushtin për të votuar këto 3 ligje. Janë me dhjetëra mijëra emigrantë shqiptarë që vetëm për shkak të mos marrjes së stautusit nuk u njihet pensioni në vendet ku punojnë. Po të merrej stautsi do t'u njihej pensioni dhe koha e pensionit siç u takon”, tha ai.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)