TIRANE - Kryeministri Sali Berisha ka inauguruar rikontruksionin e Shtëpisë së të Moshuarve në Tiranë dhe ka shprehur mbështetjen e plotë për këtë shtresë shoqërore, duke theksuar se përmirësimi i jetesës së të moshuarve është përparësi e qeverisë. Pasi i ka uruar edhe për festat e fundvitit, Berisha theksoi se e  rëndësishme është që të sjellim në këto shërbime atë ngrohtësi, njerëzi e dashuri që kemi në familjet tona

"Ju uroj gëzuar Vitin e Ri! Uroj të gjithë të moshuarit e Shqipërisë kudo që janë. Ju siguroj se për ne, shtëpitë e të moshuarve, përmirësimi i tyre, përmirësimi i cilësisë së shërbimit do të jetë gjithnjë një përparësi madhore. Me interes mora vesh se kjo shtëpi funksion edhe si shërbim ditor. Kjo është shumë pozitive. Ndaj edhe këto shërbime do të shkojnë duke u zgjeruar. Vetë jeta është e tillë, saqë i bën ato, të domosdoshme për shoqërinë. Zhvillimi i shoqërisë është i tillë, lëvizja e njerëzve është e tillë. Këto shërbime janë edhe në vendet më të pasura, edhe në vendet më të zhvilluara. Ato janë një zhvillim i pashmangshëm. E rëndësishme është që të sjellim në këto shërbime atë ngrohtësi, njerëzi e dashuri që kemi në familjet tona. Kjo të karakterizojë shërbimin ndaj jush”, u shpreh Berisha.

Duke folur përpara të moshuarve të pranishëm në ceremony, Kryeministri i bëri thirrje biznesmenëve shqiptarë që me bujari të mbështesin shtëpitë e kujdesit social duke treguar solidaritet njerëzor.

“Është një rast i veçantë për t’i bërë thirrje biznesmenëve shqiptarë që me bujarinë e ndjenjat e tyre të mbështesin sa më shumë shtëpitë e kujdesit social për të moshuarit, fëmijët, gratë me probleme të dhunës në familje etj. Kjo, jo se qeveria nuk ka mundësitë për mbështetjen e tyre të plotë, por në radhë të parë si një akt solidariteti njerëzor ndaj këtyre grupeve të popullatës sonë që janë më në nevojë. Ata kanë nevojë të ndjejnë bujarinë direkte të qytetarëve, biznesmenëve dhe të shoqërisë në tërësi”, theksoi Berisha.

Në ceremoninë e inagurimit të rikontruksionit të Shtëpisë së të moshuarve Kryeministri shoqërohej nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha dhe ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)