Sali Berisha ka marrë pjesë në pritjen për ngushëllim për babain e ndjerë të ish-presidentit Ilir Meta. Ky moment shënoi edhe kontaktin e tyre të parë që pas arrestimit të kryetarit të Partisë së Lirisë, në tetor 2024.
Krahas ngushëllimit, kryetari i PD ka shfrytëzuar momentin për të dhënë mesazhin se është i burgosur politik dhe duke akuzuar kryeministrin Rama se po vijon rrugën e të atit.
“Dënoj me forcën më të madhe burgosjen e tij politike nga një njeri që ka në shpirt trashëgiminë e babait të tij xhelat për kundërshtarin politik. Ilir Meta ka absolutisht gjithçka të montuar dhe politike, një farsë e turpshme, që mbahet gjallë nga një ish-xhelat i sigurimit të shtetit etj, me dokumente false dhe si zbatim i porosisë së Edvin Kristaq Ramës, njeriut, krimet familjare të të cilit e bëjnë atë më kriminel sesa etërit e tij”, tha Berisha.
I pyetur nga gazetarja e Report Tv për bisedën e tij me Metën, Berisha përsëriti sërish se burgosja politike ishte fokusi i bisedës së tyre.
“Biseda ime ishte në mjedis të hapur dhe natyrisht gjatë kësaj kohe biseduam për aktin e turpshëm, se të mbash të burgosur politik vetëm nga frika dhe tmerri siç bën Edi Rama, është një akt për të cilin nuk mund të them gjë tjetër veçse vazhdon me përpikmëri dhe besnikëri rrugën e babait të vet”, është shprehur Berisha.
Lajmi kryesor:
Ndarja nga jeta e të atit, Ilir Meta lë sërish qelinë dhe merr pjesë në pritjen për ngushëllime! Momenti kur mbërrin te hotel ‘Rogner’ (VIDEO)











