Një kryengritje paqësore e quan kreu i PD-së protestën e shtatë kombëtare, e cila mbahet sot në orën 19:00 para kryeministrisë. Sipas Berishës, qytetarët ngrihen në protestë kundër regjimit, po ashtu ende ndaj vendimit të mazhorancës që nuk lëshoi imunitetin e ish-zv/kryeministres të pandehur, Belinda Balluku.

Në mesazhet politike para protestës, të bëra publike në një konferencë për mediat, kreu i PD-së tha se pasojat e krizës në Lindjen e Mesme po reflektohen ndjeshëm në çmimin e naftës për shkak të taksave. Sipas tij, qytetarët shqiptarë kanë sot 1001 motive për të dalë nga guaska e konformizmit dhe e frikës.

Një arsye pse duhet protestuar, Berisha sheh edhe sulmet e mazhorancës ndaj opozitës që sipas tij po mbron interesit e shqiptarë e po garanton procesin e integrimit në BE.

"Qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë ngrihen në kryengritjen e tyre paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria. Ngrihen mbi dhunën, terrorin e regjimit, e klaneve të drogës, e policisë politike të patronazhistëve, kërcënimeve të tyre. Ngrihen për të mbrojtur interesat më jetike të vetat, të qytetarëve shqiptarë. Ngrihen për të mbrojtur dinjitetin, nderin e çdo shqiptari ndaj një agresioni të rëndë të një organizate kriminale të kryesuar nga Edi Rama, që më së fundi, duke hequr çdo maskë, përdori 83 mandatet e krimit për të mbrojtur vjedhjet e tij të pallogaritshme, dhe të Lubi Ballukut.

Akti i fundit i Edi Ramës është akti më armiqësor që ai ka ndërmarrë në serinë e akteve armiqësore ndaj shtetit ligjor, demokracisë në Shqipëri. Bllokimi i heqjes së imunitetit dhe arrestimit të Lubi Ballukut nga Edi Rama ishte një mburojë për veten e tij, pasi në dosjen Balluku, Edi Rama është aksioner të paktën me 60 përqind të veprave kriminale që mban ajo dosje në total 1.2 miliardë euro. Qytetarët shqiptarë kanë sot 1001 motive për të dalë nga guaska e konformizmit dhe e frikës, për t’u bashkuar me ne në kryengritjen tonë paqësore", tha Berisha. 


Lajmi kryesor:

Sot protesta e PD/ Berisha rikthen fjalimet pasi shëtitjet nëpër kryeqytet i dështuan! Bllokohen rrugët rreth Kryeministrisë, kryepolici Hita dhe 1500 efektivë në terren