TIRANE- Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta për qeverinë e re për kontaktimin e kompanisë së auditimit. Në një reagimin në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, Berisha thotë se “qeveria Rama-Meta kontraktuan kompaninë e auditit “Deloitte and Touche” për të mbushur baulet e tyre me paratë e qytetarëve shqiptarë.

“Qeveria Rama-Meta, për të mbushur sa më shpejt jo xhepat apo qeset, por baulet e saj me paratë e qytetarëve, dekretoi kontraktimin e një kompanie auditi për të shumuar të gjithë borxhin e shtetit ndaj bizneseve private, qytetarëve dhe sipërmarrjeve publike. Në këtë kompani është e punësuar e gjithë familja e Erion Xhanit (Velisë). Sipas dekretit, bizneset private, ndërmarrjet publike dhe qytetarët, veçanërisht militantët e PS, do paraqesin pusullat, faturat dhe çdo gjë tjetër për të kërkuar pagesa nga shteti. Ky është një mekanizëm i ri vjedhjeje e pasurisë publike.

Qytetarët duhet të dinë se në Shqipëri pagesat, jo vetëm në dogana dhe tatime, por dhe të gjitha pagesat e tjera, përfshi këtu rrogat dhe pensionet, bëhen vetëm nëpërmjet bankave. Por meqënëse transaksionet bankare, me saktësinë e tyre, nuk lënë hapësirë për shtesa dhe pazare për të ndarë paratë, duhet gjetur sekseri. Ndaj me urgjencë u votua dekreti i sekserit "Deloitte and Touche" dhe mbi bazën e faturave (thuhet se është hapur pranë PS një punishte faturash) dhe shumave që do të paraqiten, deti do të bëhet jo kos, por flori. Institucionet ndërkombëtare më serioze kanë kundërshtuar dekretin e sekserit.

Me këtë rast dua të sjell në kujtesën e qytetarëve rastin e gjigandit të energjisë "Enron" me njëshin e botës në auditim, Artur Andersen. Ky i fundit bënte auditin e "Enron" dhe doli se me fatura dhe bilance fallco ata, së bashku, vidhnin miliarda. Ata shpërndanin në drejtimet dhe personat që donin qindra e qindra milionë dollarë. Pikërisht ky mekanizëm i mega kleptokracisë do bëjë detin flori për qeveritarët dhe sojin e tyre në Shqipëri”, shkruan Berisha.

berisha fb

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)