Sali Berisha akuzoi qeverinë se nuk po ndërmerr masa për të frenuar rritjen e çmimeve, ndërsa solli si shembull Greqinë. Kreu i PD-së tha se megjithëse pagat në vendin fqinj janë më të larta dhe çmimet më të ulëta, qeveria greke ka vendosur uljen e çmimeve për 1600 produkte, nga ushqimet bazë te mjetet shkollore dhe artikujt e përdorimit të përditshëm.

“Qeveria e vendit fqinj, Greqia, ka vendosur të ulë me koston nga 5 përqind në 30 përqind të çmimeve të 1600 artikujve. Çmimeve të ushqimeve bazë, çmimeve të të gjitha mjeteve shkollore për fëmijët, çmimeve me përdorim të gjerë nga konsumatorët në shtëpi. Pra, Greqia, ndonëse qytetarët e saj kanë një rrogë mesatare katër herë më të madhe se qytetarët shqiptarë dhe çmime qartësisht më të ulëta se në Shqipëri, përsëri konsideron çmimet tejet munduese për qytetarët dhe bën një ndërhyrje shumë të rëndësishme për lehtësimin e qytetarëve të saj.

Ndërkohë, çmimet në Shqipëri, sipas statistikave më të fundit, çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën këtë vit 5 herë më shumë se sa mesatarja e vendeve të BE. Dhe qeveria ka zero reagim. Çmimet pra janë rritur këtë vit krahasuar me rritjen mesataren të çmimeve të ushqimeve në BE, 5.2 herë më shumë. Dhe qeveria ndërmerr zero veprime”, tha Berisha.

Sipas Berishës, në Shqipëri çmimet e ushqimeve janë rritur këtë vit 5.2 herë më shumë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian. PD propozon heqjen e menjëhershme të TVSH-së për ushqimet, mbulimin e shpenzimeve shkollore dhe vendosjen e minimumit jetik.

“Për PD-në është jetike heqja e menjëhershme e TVSH-së për ushqimet. Subvencionimi i plotë i të gjitha shpenzimeve për shkollën bazuar në parimin e arsimit falas. Vendosja e menjëhershme e minimumit jetik. Këto masa ne i konsiderojmë masat më të domosdoshme për t’iu kundërvënë lakut të urisë, mjerimit dhe varfërisë që po shtrëngohet çdo ditë e më shumë në familjet shqiptare në nevojë.

Por natyrisht, përkundrejt këtyre masave, narkoqeveria ofroi njëherë Besën, dhe pasi i doli kallp Besa, tani Pasqyrën, një mashtrim të turpshëm të dytë duke dëshmuar se nuk jeton në këtë realitet, por jeton tërësisht në kullën e fildishtë të pushtetit të saj dhe nuk ka asnjë interes të përbashkët me qytetarët, përveç interesave të pasurimit të qytetarëve”, tha Berisha.


Lajmi kryesor:

Në shtator në SHBA për Konventën Republikane? Berisha ende në pritje të vizës: Pasaporta në Ambasadë, nuk do ‘shkel’ në DASH