1- RAMA "ÇMENDET" JO PAS PIKTURAVE POR PAS IKONAVE
Të dashur miq, para më shumë se tre javësh, Edi Rama pothuaj në një kohë me Policinë e Shtetit njoftoi gjetjen e një thesari prej 1070 ikonash, 522 bronxesh te vjedhura si dhe arrestimin e dy “Arsen Lupenëve” të ikonave të Ballkanit. Mirëpo fill pas arrestimit të tyre u mësua nga mediat se Lupenët tanë ishin koleksionistë të liçensuar shumë vite më parë madje dhe për hapje të një muzeu privat.
Vetëm dy orë pasi lajmi pushtoi planetin për vjedhjen e shekullit të bërë nga shqiptarët, një qytetar, E. R., më drejton një mesazh në të cilin me shkruan: “Doktor! Kujdes Ikonat se Piktori dështak është i "çmëndur", jo pas pikturave por pas ikonave”. Po ky nga e di këtë, mendova me vete, pasi vetëtimithi më kishin ardhur në mendje dy momente të "çmëndurisë" së Ramës pas Ikonave dhe konkretisht: "TË SOLLA NGA PARISI TEK SHISJE IKONA TË VJEDHURA ".
Me këto fjalë do t’i drejtohej Fatos Nano, Edi Ramës, ish ministrit të tij të kulturës vite më parë. Rama këtë akuzë nuk e përgënjeshtroi kurrë. Që Rama jetonte në Paris duke shitur Ikona, këtë e kishin mërmëritur dhe disa nga miqtë e tij, madje thuhej se trafikun e bënte një zonjë me emër shpendi që bënte lëmsh emigrantët e rinj në Francë dhe jo vetëm aty.
Asokohe flitej rëndomë se prapa bunkerit në brigjet e Senës, në të cilin Rama jetonte si barbon (njerëz që jetojnë të braktisur dhe si të pangrënë e të palarë dhe që ndodh që mbartin dhe insekte), fshihet një tregti e majme ikonash të cilat ishin nga fondi i thesareve të kishave të rrënuara nga rregjimi Hoxhist në 1967. Dihet se ikonat dhe thesarët e kishave që u shkatërruan në vitin ’67, gjatë genocidit kulturor hoxhist, në një masë të madhe u përvetësuan asokohe nga nomenklatura e kuqe dhe soji e sorollopi i tyre. Madje thuhej se disa nga anëtarët e nomenklaturës komuniste, në shenjë urrejtje ndaj fesë dhe për t’i bërë qejfin Neronit, shumë nga ikonat dhe thesarët e kishave i kishin varur në paratualetet dhe tualetet e vilave dhe apartamenteve të tyre luksoze. Por duhet të jemi të sinqertë, zoti Nano heshti dhe nuk sqaroi kurrë ndonjëherë burimin e ikonave të vjedhura që Rama shiste në Paris. Një ish-bashkëpunëtor i imi, që më vonë u bë një ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Nanos, më rrëfen një ditë se Nano dinte çdo gjë për ikonat e vjedhura, që Rama i shiste në Paris, por nuk dëshironte të hapte probleme të vjetra.
2- "NGA GJERMANIA IKONAT I NISA NË PARIS"
Tek rilexoja mesazhin e E.R., në mendjen time po vegimthi më kishte ardhur një rast tjetër i lidhjes së Rames me ikonat. Kësaj here jo një akuzë e ndonjë kundershtari, por një dëshmi e vetë zotit Rama, që fakton një "çmenduri" tjetër të tij pas Ikonave. Kështu, një komision hetimor parlamentar në vitin 2003, ndër të tjera hetoi zhdukjen e 150 ikonave të përzgjedhura me shumë kujdes nga Rama dora vetë nga fondi i artit bizantin mesjetar, për t’u ekspozuar në një ekspozitë botërore në Gjermani. Komisioni hetimor konstatoi se ato ikona u zhdukën dhe nuk u kthyen ndonjëherë në Shqipëri. Pyetjes së kryetarit të komisionit, deputetit Sokol Olldashi, se çfarë dinte Rama - ish-ministër Kulture për fatin e ikonave që kishte dërguar në Gjermani, zoti Rama do t’i përgjigjej shkurt: “ikonat pas përfundimit të ekspozimit në Gjermani i nisa për në Paris”.
Në të vërtetë ato në Paris nuk u ekspozuan ndonjëherë, gojët e liga thonë se ato përfunduan në bunkerin buzë Senës, pikërisht aty ku Rama gatuante petulla dhe makarona, për të maskuar me varfërinë e skajshme tregtinë e ikonave të vjedhura, siç do shprehej z. Nano. Dy vetë dinë fatin e vërtetë të ikonave, që Rama thotë se nga Gjermania u dërguan në Francë; Rama vetë dhe Frau Rama (që kësaj radhe për koinidencë ishte një gjermane!)
3- E TRETA E VËRTETA!
Më së fundi, dhe ne shqiptarët nuk themi kot e treta e vërteta! Ikonat nga Rama apo Rama nga ikonat nuk ndahen dot kurrë! Aq sa flitet se vete Koçua ka zgjatur flokët dhe mjekrën që t'i duket Rames si ikonë. Shkurt siç ndjek hija dritën, e ndjekin Ramën këto 23 vite ikonat dhe jo pikturat, sepse me këto të fundit ai ndjehet i lënduar, mbasi në tërësi nuk ia blene njëri. Një gjë është e sigurt, pasioni i tij i sëmurë për ikonat nuk ka asnjë lidhje me adhurimin apo besimin e tij fetar të ritit bizantin që kishte para konvertimit në katolik që ai bëri në prag të themelimit të KIS (Partisë Kristiano-Islamike që themeloi me avokatin në dimrin e vitit ‘91). Jo, pasioni i tij për ikonat pra, nuk lidhet me vlerën e tyre hyjnore, por vetëm me vlerën e tyre monetare, të cilën nuk e patën kurrë pikturat e tij.
Kështu në ditët e para të qeverisë së tij, shpërtheu me bujë botërore mega afera tjetër e ikonave të Edi Ramës. Koleksionisti i liçensuar i ikonave që në vitin 1996 zoti Gj.K. i njohur gjërësisht si i tillë nga personalitete të artit dhe kulturës dhe nga vetë Rama, Koço Kokëdhima dhe plushkini i ekipit të tyre Lame, arrestohet dhe paraqitet si një Arsen Lupen dhe trafikant ikonash. Pas vetëm dy orësh, Rama përsëriti njoftimin e Policisë se u gjetën 1070 ikona të vjedhura në Shqipëri dhe Maqedoni dhe 522 enë bronxi të shekujve dhe mijëvjeçarëve të shkuar. Policia pa treguar asnjë autorizim apo urdhër nga autoritetet kompetente, njëlloj si në vitin ’45, i kishte kontrolluar banesën dhe konfiskuar ikonat. Në një akt të paprecedent, vetë Rama, urdhëron organizimin në Galerinë e Arteve të një ekspozite me veprat e "vjedhura" që do kishte për vizitor kryesor Ramën kryeministër. Për të justifikuar këtë parodi të shëmtuar, Ministrja e Kulturës njofton se për hapjen e ekspozitës, jemi në lidhje të vazhdueshme me gjykatësit dhe prokurorinë dhe se kemi marrë leje te gjykatësi dhe prokurori, paçka se as njëri as tjetri nuk kanë autoritet dhe nuk munden të thyejnë ligjin e procedurës penale. Disa ditë pasi ikonat dhe objektet e bronxit u dërguan dhe u ekspozuan në Galerinë e Arteve, befas Policia njofton se nuk janë gjetur 1070 por 407 ikona, të tjerat natën avulluan apo u numëruan gabim, po kështu enët e bronxit nga 522 u katandisën në 8. Disa ditë pasi 1070 ikonat dhe 522 bronxet ishin dorëzuar në Galerinë e Arteve, çuditërisht, Policia dhe jo Prokuroria, njoftoi se nuk janë gjetur 1070 por vetëm 407 ikona si dhe nuk janë gjetur 522 bronxe por vetëm 8 bronxe. Pra, brenda 4-5 netëve, megjithë rojet e forta të Ramës, 663 ikona dhe 514 bronxe u arratisën kësaj rradhe pa viza nga Galeria e Arteve, me sa duket për në bunkerin buzë Senës, që e administron një barbon tjetër, mik konfident i Ramës dhe Frau Rama ( jo aktuales ).
Kjo është aferë tjetër në vete dhe për t’a mbuluar këtë arratisje, Rama dha lajmin se në fshatin Fratar u arrestua fshatari D.S. i cili kishte vjedhur në Bylis dhe Apolloni 18 objekte arkeologjike shekullore. Në të vërtetë ky një mashtrim tjetër i radhës mbasi ato ishin skulptura në dru ulliri të blera në studion e skulptorit të drurit M.K.
Por fill pas lajmit të zhdukjes së 663 ikonave dhe 514 enëve të bronxit, sërish qytetari E.R. më kujtoi me një mesazh tjetër ku më shkruante se "Doktor unë ju paralajmërova. Kujdes Ikonat!". Rama implikohet dhe më thellë në këtë mega aferë mbasi mesohet se z. Gj. K. kishte kërkuar disa herë ndihmë nga Bashkia e Tiranës dhe vetë kryetari Rama për të hapur një muze me veprat e tij për të cilat natyrisht duhet të sqarohet një për një origjina. Gosipi i qytetit thotë se arrestimi i Gj.K. erdhi pasi Koço Kokëdhima i kishte kërkuar koleksionistit një ikonë të Onufrit, për t’ia dhuruar për ditëlindje Edi Ramës. Edhe mundet, sepse dora të shkrumbohet sa herë t’a vesh në zjarr për Koçon. Por e vërteta e kësaj afere, me Koçon ose pa Koçon, është se ajo ka në themel pasionin e çmendur të Ramës jo për pikturat por për Ikonat. Fatmirësisht ato u harruan. Kolekisionisti dergjet në burg deri sa të pranojë se nuk ishin 1070 por vetëm 407 dhe se bronxet ishin 8 dhe jo 522. Ndofta për pikturat dinë më shumë dhe disa të tjerë! sb".
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)