Edhe pse tryeza e Komisionit të Reformës Zgjedhore thuajse nuk ka startuar diskutimin për një draft konkret për një kod të ri elektoral, opozita është e sigurt se me çfarë propozimi do të shkojë për sistemin që duhet të implementohet. Sali Berisha thotë se grupet e opozitës kanë rënë dakord mbi një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura.

“Qëllimi ynë më i parë dhe më kryesor duhet të jetë t’u garantojmë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe me Edi Ramën, vetëm puthadorët e Edi Ramës mund të imagjinojnë diçka të tillë. Ne, po në zgjedhje, kemi ofruar listën e hapur proporcionale të pastër kombëtare me një prag të përcaktuar jo nga ne si PD, por parti tjetër.

Në sistemin zgjedhor pra, me qëllimin më të mirë për një bashkim të opozitës, gjykoj se kemi bërë lëshimin maksimal dhe të drejtë. Pse? Sepse ky bashkim duhet të jetë mbi bazën e kontributeve reale të secilës parti. Dhe kjo shumë shpejt do konkretizohet. Ky propozim i tyre është shqyrtuar nga koalicioni ynë dhe është pranuar nga koalicioni. Urojmë që çdo forcë politike opozitare, e cila gjen aty të ndershmen dhe të drejtën, bashkimin mbi bazën e kontributit real”, tha Berisha.

Kjo, tha Berisha do të kënaqte çdo forcë opozitare për t’ju bashkuar një fronti të gjerë kundër Edi Ramës, të cilin deri më sot nuk ka mundur ta bëjë me partitë e reja që morën edhe mandate në zgjedhjet e fundit.

"Të bashkohemi, të krijojmë një front të gjerë të përbashkët kundër kësaj qeverie për të kthyer votën e lirë dhe për të larguar nga pushteti Edi Ramën", tha Berisha. 

Kryedemokrati u ndal edhe te protestat, që sipas tij, do të vijojnë të jenë kryefjalë e aksionit opozitar.