Berisha: Rama ju bunkerizoi
Ruçi: Ke hall se s'na përgjove

Berisha: Rama ju bunkerizoi<br />Ruçi: Ke hall se s'na përgjove
TIRANE - Seanca e sotme parlamentare u përfshi në akuza dhe kundër akuza mes kryeministrit Berisha dhe deputetëve të opozitës. Debatet në Kuvend mes kryeministrit Berisha dhe kreut të grupit PS-së u përqëndruan në ndalimin e  valëve të celularit në Asamblenë e PS. Berisha tha se opozita u ankua për muaj të tërë se ministri i Mbrojtjes kishte përgjuar telefonatat e deputetëve, në një kohë që vetë kreu i PS-së u ndaloi telefonat në Asamble. "Rama i futi në bunker" - tha Berisha. Në replikë Ruçi u përgjigj: Strategjia jonë funksionoi. Se përgjove dot strategjinë dhe vendimmarrjen e forcës kundërshtare.

Më pas replika vazhdoi me praninë e Ruçit në PS.Sipas Berishës: Ruçi kishte 8 muaj që nuk shkelte në PS. Por Grupi i PS-se u kundërpërgjigj: Të kanë keqinformuar o Lumzi, shkarkoji.

Debati u zhvilluan teksa po diskutohej projekt/ligjin për ratifikimin e kontratës për blerjen e aksioneve të shoqërisë "Hec Lana Bregas"Berisha akuzoi opozitën se cdo veprim që bëhet për të zbutur tarifat qytetarëve e konvertojnë në votë dhe e kundërshtojnë. Gjatë seancës Kryeministri akuzoi Arben Ahmetaj se si president i kompanisë "Hermes" i ka grabitur 15 milionë euro Telekomit.

SEANCA E SOTME ORE PAS ORE

RUÇI: MAZHORANCA PO PENGON REFORMAT

Ora 14:19
Në replikë të Astrit Patozi, Ruçi akuzoi se është mazhoranca që po pengon reformat e kërkuara nga KE. “Këto pr/ligje duhej të ishin zgjidhur që në komision dhe jo në mënyrë të njëanshme pa ne. Ne jemi ca numërëra që kur ju duhen ju japim. Jo mor zotëri, nëse doni të votojmë pr/ligjin ëpr Gjykatën e Lartë hajde ta rregullojmë, dëgjoni opozitën dhe mos na nënvlerësoni. Kërkoni qëndrimin e opozitës në Komision. Zbatoni vendimet e Gjykatës së lartë. Nëse ju dhimbset statusi i nëpunësit civil zbatojeni. Thirreni opozitën në komision dhe mos e kaloni pa miratimin dhe pa kontributin e opozitës”

PATOZI-OPOZITES: PO BLLOKONI INTEGRIMIN E VENDIT
Ora 14:00 Në fjalën e tij në Kuvend, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike tha se Partia Socialiste vazhdon të bllokojë dhe të zvarrisë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit dhe marrjen e statusit kandidat.
“Duhet të bëjmë mirë detyrat e shtëpisë, duhet të votojmë ligjet me 3/5 sipas standardeve të BE-së. Partia Socialiste është gati të bllokojë dhe ligjet më të thjeshta. Javën e kaluar hoqët kartat dhe thatë që nuk ishit këtu. Ju lutem më thoni keni parë dhe dëgjuar që një forcë politike të sillet kështu? se thoni pastaj që keni në axhendën tuaj integrimin drejt BE-së. Kjo është përgjigja e Ramës për integrimin. Partia Socialiste duhet t’i largohet filozofisë së bojkotit. Dua të di a di të bëjë gjë tjetër kjo opozitë përveç se të bllokojë integrimin e vendit?”- tha Patozi.
Ai akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama se është ai që me greva përpiqet të ndalë zhvillimin e vendit, në fillim me grevën e PS-së dhe tani me grevën e ish-të përndjekurve politikë.
“Dështuat me grevën e disa individëve se u përdoren keq, njësoj si greva juaj para Kryeministrisë që doli Rama para tha do rrimë deri në pikën e fundit dhe më pas e mbylli grevën. Njësoj si Skënder Tufa me grevën e ish-të përndjekurve politikë.

Si ka mundësi që këto greva ndodhi kur Shqipëria do të kalojë stacione të rëndësishme? Ne këtu na keni, gati për të bashkëpunuar dhe votuar. Ju thoni na jep Fierin t’ju japim Brukselin, bëjeni Ramën Kryeministër t’ju japim statusin. Mund të dilni edhe nga salla, kjo është zgjedhja juaj, por duhet të dini që duke fshehur kokën në rënë nuk bëhesh kurrë shumicë. I vetmi dëm përmes bllokimit është zvarritja e progresit por zhvillimi nuk do ndalet se qeveria ka një mazhorancë përgjegjëse”.

Patozi akuzon opozitën se po përdor çështjen e Këshillit të Qarkut të Fierit si shkak për të penguar integrimin e vendit.

BERISHA: KE 8 MUAJ QE S'SHKON NE PS. RUÇI: UNE HAP E MBYLL SELINE
Ora 13:30
Në vazhdim të debatit mes Kryeministrit dhe kryetarit të Grupit PS, Berisha tha se Gramoz Ruçi nuk shkel në PS që prej zgjedhjeve të 8 majit, ndërkohë që Ruçi i tha se e kanë gënjyer informatorët e tij dhe duhej t'i shkarkonte.

Berisha:
“Sipas kësaj teze opozita do të kthehet pa celularë. Zoti ju mbrojtë. Zoti Ruçi pse nuk shkon më në selinë e PS-së që pas zgjedhjeve të 8 majit kur të akuzuan, se për disa rrethana të caktuara njerëzit e tuaj bënë konkluzion me disa anëtarë të stafit. Madje më thonë gojët e liga ke 8 muaj që nuk shkel as në lokalin e Shefikatit. Shkoj unë e nuk shkon ti. Këto janë të vërteta. (qesh)
Topalli:
Po ndoshta shkon te lokali i Shefikatit por s’ka gjë.
Ruçi:
Nuk ia vlen t'i përgjigjem por të kanë dizinformuar o lumzi, aq keq sa selia e PS hapet dhe mbyllet me Gramoz Ruçin. Aq keq mor Lumzi sa dhe për kafen e Shefikat, ku është i vetmi lokal që unë pi kafen. Të gjithë ata që ke vënë të më ruajnë mua ku pij kafen e kur shkoj unë në PS të kanë dezinformuar. Shkarkoji.

RUÇI- BERISHES: S'NA PERGJOVE DOT
Ora 13:15
Menjëherë pas debatit Berisha-Ahmetaj, kryetari i grupit PS kërkoi të merrte fjalën. Ndërsa Topalli i kujtoi se “nuk kemi ndryshuar akoma rregulloren” Berisha kërkoi t’i jepej fjala duke shtuar “të flasë madje të marrë dhe Skënder Tufën me vete” Në fjalën e tij kryetari i grupit PS-së Gramoz Ruçi i kujtoi Kryeministrit se qëndrimi i Berishës në seancën e sotme kishte lidhje me faktin se ky i fundit nuk kishte mundur të përgjonte bisedat telefonike.  Berisha tha se opozita u ankua për muaj të tërë se ministri i Mbrojtjes kishte përjuar telefonatat e deputetëve, në një kohë që vetë kreu i PS-së u ndaloi telefonat në Asamble. Në replikë Ruçi u përgjigj:  Strategjia jonë funksionoi. Se përgjove dot strategjinë dhe vendimmarrjen e forcës kundërshtare

JA DEBATI I ZBARDHUR
Berisha:Ju futi në bunker. U qatë se ju ka bërë Arben Imami përgjim, ja ku doli i juaji. Atëherë do i bëni mocion Ramës ju? Nuk ja bëni dot, vazhdoni me Imamin. Kjo është kupola.
Ruçi: Kryeministër kini durimin të na dëgjoni dhe ne. Forumi i gruas ju paska djegur shumë, se vajte 2 vjet e gjysëm që ke bërë kongresin dhe nuk dihet kur ke mbledhur forumin, kemi parë vetëm 1 herë kryesinë e PD-së për Presidentin, sot ka vetëm kryetar dhe nënkryetar, të paska djegur shumë
Topalli:
U mblodh Këshilli i Gruas në Sarandë. As ju nuk keni nënkryetar.
Ruçi:
Erdhe tani në fund për votim, unë fola në diskutimin e ligjeve.
Topalli
(ndërhyn): Nuk e kemi mbyllur diskutimin.
Ruçi:
Zoti Kryeministër erdhe dhe ishte i çoroditur aq shumë sa nuk e di çfarë ka në axhendën e Kuvendit. Përmend aktin normativ, i cili ka kaluar të enjten e kaluar. Të hutoi aq shumë sa u drejtohesh deputetëve se nuk u punonin celularët. Ata vinë për mbledhje dhe jo për të folur në celular. Është shumë qesharake ku është katandisur funksionimi i jetës politike në vend. Ti zoti Kryeministër nuk ndiqje dhe përgjoje dot vendimmarrjen e kundërshtarit tënd prandaj reagon kështu.
Topalli
(ndërhyn): Herën e parë ju hoqi valët, tani do ju heqi dritat, juve ju ka hequr fare.
Ruçi:
Zoti Kryeministër të paktën në parlament, kur flet me nxënësit e shkollave mund të tregosh përralla me mbret, por për këtë shitje sepse nuk është privatizim, mos trego përralla. Ke caktuar ekspertë, ta kanë vlerësuar 5 milion, pastaj u the bëni rivlerësim dhe vajti 8 milionë, pastaj në 13 milion. Tani ti ua shet qytetarëve të Tiranës 15 milionë dhe t’i që na qake për qytetarët e Tiranës na flet se këtë e bën për hatër të qytetarëve të Tiranës. Në 2005 e ke marrë një metër kub ujë me 200 lekë, kurse tani është 450 lekë. Kjo është e vërtet për qytetarët e Tiranës. Deputetët janë këtu se ti nuk ua jep qytetarëve të Tiranës, ata nuk do paguajnë më atë kosto uji por dhe 15 milionë për të larë kredinë tënde. Këtu mos hajde të tregosh përralla, as t’i hedhësh hi syve qytetarëve të Tiranës.

BERISHA- AHMETAJT I KE GRABITUR 15 MILIONE EURO TELECOMIT
Ora: 13:00
Kryeministri akuzoi Arben Ahmetaj se si president i kompanisë "Hermes" i ka grabitur 15 milionë euro Telekomit. Debati ndodhi teksa po fliste për pr/ligji për ratifikimin e kontratës për blerjen e aksioneve të shoqërisë "Hec Lana Bregas”. Ndërsa kryeministri ftonte opozitën të votonte pr/ligjin, në të mirë të qytetarëve, në sallë dëgjohej zëri i Arben Ahmetajt.
(Ja debati i zbardhur)
Berisha (duke iu drejtuar Ahmetajt): Prit një minutë se unë kam disa gjëra me ty. Ti si po flet si deputet apo si president i Hermesit që i grabitën 15 milionë euro impulse e biseda mbi Telekomin shqiptar. Ti do të përgjigjesh për këto. Të lutem mos i ngatërro gjërat. E shikoni si u transformua. Merr një gotë ujë se po i bie të fikët.
Topalli: Merre për komplimet.
Berisha:Sytë pasqyrë e shpirtit
Berisha Topallit: Jepja fjalën, s’ka gjë
Topalli: Hermes asht komplimet, vishesh bukur, po të jap 2 minuta për replikë
Arben Ahmetaj: Ti duhet të kesh frikë nga unë, Unë nuk kam frikë nga ty ti ke frikë nga unë dhe për këtë betohem në zot. ... ti vrave të pafajshmit në Gërdec, në bulevard më 21 janar
Topalli: Ne dridhena, shikon
Ahmetaj: Në ditët e sotme vetëm 3 veta kanë vrarë ti, Çaves, Lukashenko.
Topalli(ndërhyn) : Ja po dridhemi
Ahmetaj: Drejtësia s’ka folur mbi ty foli për mua. Ti nuk ndryshon dot, ti ke vrarë 4 veta, ke ndihmuar Millosheviçin në ‘94, ti ke vrarë në ’97. Ti ke vrarë në Gërdec. ..E di cfarë është Hermesi lajmëtar i perëndimi
Topalli (ndërhyn): Ky vjen nga perëdia.
Ahmetaj:  Ti që flet për kapitalizmin je i zi, ti vetëm ke grabituar, unë kam dal vetëm kam punuar vetëm, ti me ke luftuar padrejtësisht, historia ka folur për mua, për ty do të flasë më vonë.
Berisha:Do të jesh në bankinë po të la Edi Rama se dhe aty ke rreziqe. Ke probleme me kryetarin tënd. Mos më ke frikë mua, ke probleme me kryetarin tënd. Mr. Hermes ke 15 mln euro grabitje të Telekomit. Ja si u zbehe ti për një moment. Për 21 janarin, shaminë në fytyrë e di vetë kujt iu hodh. Pyete pak Mimin çdo të thotë kur hidhet facoleta në fytyrë, ajo e di mirë (qesh). Sado të bërtasësh ti 15 mln euro që i ke marrë Telekomit nuk i shpëton dot.
Ruçi kërkon fjalën
Topalli: Se kena ndryshu hala rregulloren
Berisha: Të flasë, i propozoj ta marrin dhe Skënder Tufën me vete.

BERISHA: LENDOHENI NESE PREKET KARRIGIA E RAMES

Ora 12:50 Kryeministri Berisha akuzoi opozitën se çdo veprim që bëhet për të zbutur tarifat qytetarëve e konvertojnë në votë dhe e kundërshtojnë. “Nuk është kjo rruga. Edhe kur u jipet sektorit privat thoni se e falën, kur i jipet sektorit publik thoni se e ropën. Ju duhet të jeni të parët që ta përshëndesni këtë akt, si më i miri në qytetarët e Tiranës. Ju lëndoheni nëse preket karrigia e Ramës”.

BRAÇE: PRANOJENI KRIZEN ENERGJITIKE NGA PAAFTESIA JUAJ
Ora 12:30 Menjëherë pas përgjigjes së ekspertit mori fjalën deputeti Braçe dhe përsëri që pyetjet ishin drejtpërdrejt për ministrin, por ai mungon dhe sipas tij detyrohet eksperti të përgjigjet.

Braçe: Unë e kuptoj dhe pozitën e specialistit në sale. Pyetjet kanë direkt të bëjnë me ministrin, ai duhet të na bindë se kush është vlerësueshmëria e çështjes në fjalë. Ky nuk ka asnjë shembull tjetër që prona publike të kaloj nga një vend tek tjetri por kësaj rradhe me pagesë.
Shoqëria “Lana Bregasi sha” nuk më rezulton me humbje se ka 3 muaj dhe nuk ka dorëzuar akoma bilancin, ndërkohë që ujësjellës-kanalizime nuk është shoqëri me fitim.
Ujësjellës-kanalizime në bilancin e fundit thotë se ka72.25 për qind humbje në rrjetin e ujit dhe se faturohet 60 për qind e asaj që mbetet. Më gjeni një kompani që del me fitim në këto kushte?
Ky nuk është privatizim, është thjesht kalimi i i aksioneve nga METE tek ndërmarrja e ujësjellësit sh.a. Nuk kemi të bëjmë me privatizim, por me një aksion të injektimit të parave në buxhetin e shtetit që është në kushte të rënies së të ardhurave dhe ka rënë më poshtë se limit ii lejuar.
Në fillim u tha se duhen 5 milionë euro të ndërtosh një hidorcentral të ri, më pas u bë 8.1 milionë euro, pastaj 13, 14, në fund bie dakort në tavolinë për 15 milionë euro. Buxheti i shtetit ka nevojë për para, kjo është një skemë e qartë e financimit të buxhetit të shtetit. Po mundohet me çdo kusht që të mbajë të larta shpenzimet se jemi para nje viti elektoral.
Sot borxhi është mbi 60 për qind, është niveli zyrtar jo ai që është realisht. Qeveria nuk merr dot borxh dhe shpik këto. Në fillim detyroi KESH-in, pastaj “Lana Bregasin, pastaj Bankën e Shqipërisë. Kjo skemë do ta mbysë totalisht ekonominë e këtij vendi, siç e mbytën në ‘96 dhe ‘97,
Rreth 250 është rritur çmimi i ujit, pasi është shtuar dhe çmimi i largimit të ujërave edhepse derdhen në Lanë. Edhe për këtë duhet të paguajnë qytetarët e Tiranës, pasi projektin nuk doni ta zbatoni.
Ju nuk po e shihni krizën në sy, pasi kjo është thjesht produkt i paaftësisë tuaj. Edhe privatizimi i OSSH është një piramidë më vetë. Kjo është një krizë energjitike dhe ju nuk duhet të përballeni me krizën. Nga buxheti i shtetit nxorrët 50 milion euro për të garantuar koorporatën energjitike se nuk doni të përballeni me krizën. Shqipëria ka shumë pasuri energjitike dhe nga kjo pasuri shqiptarët duhet të përfitojnë jo të paguajnë më shumë.

EKSPERTI: KALIMI I AKSIONEVE, NE SHERBIM TE QYTETAREVE
Ora 12:00 Lidhur me pyetjet që bëri deputeti Braçe u përgjigj eksperti për këtë çështje. Ai sqaroi se shoqëria “Lana Bregasi sha” rezulton me humbje, kurse ujësjellës-kanalizime me fitim dhe raste të tjera të ngjashme me këtë privatizim nuk ka.

Eksperti: Në praktikën e transferimit të aksioneve ka plot raste, raste 100 për qind trasferime aksionesh si rasti në fjalë nuk ka.
Lidhur me përgjigjen mendoj se lidhet dhe koncepti i privatizimit. Në këtë rast kemi një marrëdhënie juridike mbi bazën e dispozitës së Kodit Civil. Në bazë të ligjit bëhet transferimi i aksioneve, në asnjë dispozitë të legjislacionin shqiptar, neni 121 në Republikën e Shqipërisë është plotësisht e rregullt dhe ligjore. Është bërë në bazë të një programi që ka qeveria, për të unifikuar 2 objektet në fjalë. Pra, burimi ujor është i përbashkët, KESH-i do i marr ujë “Lana Bregasit”, nga ana tjetër “Lana Bregasi” do i marrë energji KESH-it. Duke i unifikuar të dyja objektet shërbimi rritet më mirë dhe kostoja e faturave të energjisë dhe ujit do të ulen në shërbim të qytetarit. Ky është arsyetimi i qeverisë. Nuk kemi të bëjmë me konceptin potencial të privatizimit, por kemi të bëjmë me kalimin e aksioneve nga një shoqëri në tjetrën. Besoj se transaksioni quhet i përfunduar kur të miratohet nga parlamenti.
Gjatë negocimeve midis palëve, janë 16 aksionerë, përveç Bashkisë së Tiranës janë dhe minibashkitë, duke u bazuar dhe tek vlera u ra dakort që ujësjellës-kanalizimi të shfrytëzojë në të ardhmen dhe të rrisë energjinë elektrike për të ndërtuar objekte të reja. Një e drejtë e tillë fuqizon këtë kompani, prandaj çmimi u rrit në 15 milion.

RUÇI: QEVERIA PO PRISH RREGULLAT PARLAMENTARE
Ora 11:50 Pas sqarimit të Topallit reagon kryetari i grupit të PS-së Ruçi, i cili thotë se kërkesa e Braçes është brenda rregullores dhe se seanca parlamentare duhej të pezullohej në momentin që ministri Haxhinasto mungon në Kuvend.

“Nuk është qeveria që duhet të bëjë mbledhje që të prishë rregullat parlamentare. Ju duhet të ndërprisni seancën deri në ardhjen e ministrit. Kjo e bën shumë të domosdoshme faktin që specialistët morën kohë. Pyetjet e Braçes nuk janë individuale, janë pyetje që duam të gjithë pjesëmarrësit përgjigje”, tha Ruçi.

TOPALLI JUSTIFIKON MUNGESEN E MINISTRIT, KA MBLEDHJE QEVERIE
Ora 11:35 Jozefina Topalli sqaron se sot ka mbledhje qeverie dhe nuk duhet të ishte bërë seanca parlamentare nëse nesër nuk do të kishte festë dhe ditë pushimi. Grupi i ekspertëve kërkon kohë që t’u përgjigjet pyetjeve të opozitës në lidhje me projekt/ligjin që po diskutohet në Kuvend.

HAXHINASTO MUNGON, BRAÇE: KJO ESHTE SKANDALOZE
Ora 11:30 Braçe akuzon Ministrin e Ekonomisë se ka 3 herë rresht që mungon kur diskutohen për çështjet ekonomike dhe kjo është skandaloze. Braçe thotë se anashkalimi i Kuvendit në këtë mënyrë nuk ka ndodhur asnjëherë.

Në lidhje me projekt/ligjin për ratifikimin e kontratës për blerjen e aksioneve të shoqërisë "Hec Lana Bregas", deputeti i PS-së Erion Braçe ka bërë 5 pyetje ekspertëve.

1. Shoqëria “Lana Bregasi sha” është një shoqëri me fitim apo me humbje?
2. Shoqëria “ujësjellës-kanalizime sha” është shoqëri me humbje apo me fitim? Cili është rezultati financiar i saj?
3. A ka një rast tjetër të dytë ku bëhet transferimi i aksioneve, nga pushteti qendror tek pushteti vendor me pagesë dhe a quhet ky quhet privatizim?
4. I gjithë transaksioni është bërë valid apo jo, ka kaluar shoqëria “Lana Bregasi sha” tek ujësjellës-kanalizime?
5. I ka në llogari të saj “ujësjellës-kanalizime sha” 15 milion euro. Në rast se nuk i ka, ku janë gjetur këto para? Nëse janë marrë borxh, me çfarë interesi janë marrë?

DEBATI PER LEVAN - VLORE
Ora 11:00 Kuvendi diskuton pr/ligji për ratifikimin e marrëveshjes së ndryshuar me Banken Europiane të Investimeve për financimin shtesë të rrugës Levan-Vlorë. Opozita thotë se ndërtimi i autostradës u vonua 4 vjet për tu ndërtuar dhe po ndërtohet me 4 fishin e kostos fier- Lushnje. Nga ana e tij ministri Olldashi thotë se kjo rrugë po ndërtohet me koston më të ulët dhe me cilësinë më të lartë.
Nënrkyetari i grupit PS Erjon Braçe bëri përgjegjës ish ministrin e Transporteve Lulzim Basha për faturat e prapambetura dhe shtimin e vlerës së kredisë.

“Për këtë rrugë ne po paguajmë faturat e prapambetura.. E gjithë praktika ligjore e ndërtimit dhe tenderimit nuk është bërë gjatë kohës që keni qenë ju Sokol Olldashi, ministër i Transportit janë përgjegjësi e Lulzim Bashës, ish ministër i Transporteve.”- tha Braçe.
Sipsa Braçes rruga është shembur për shkak të makinave të tonazhit të lartë që kalojnë atje dhe që nuk kërkojnë riveshje pjesore të asfaltit.

Nga ana e tij Olldashi e cilësoi autostradën Levan- Vlorë si një nga autostradat që janë punuar me kosto më të ulët në rajon dhe ndër cilësitë më të mira.

Ministri i Transporteve Sokol Olldashi kompania “Alpin” e cila ndërton autostradën nuk është kompani serbe, por austriake. “Me sa di unë bashkëshortja e pronarit është sllovene, kroate apo serbe, por ne në dokumentet e tenderit nuk kërkojmë dot se nga është gruaja. Sot kjo kompani është tërësish spanjolle”

BRAÇE: BASHKËPUNIMI EKONOMIK ME SERBINË, I VJETËR NUK NISI DJE

Duke e lidhur me vizitën e djeshme të ministrit të jashtëm serb Ivan Mrkiç, për fillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar Braçe nënvizoi se mes qeverisë shqiptare dhe Serbisë marëveshjet kanë qenë të vjetra dhe ajo e djeshmja nuk ka qenë fillimi.

“Bashkëpunimi ekonomik me Serbinë është i vjetër. Fillimi i bashkëpunimit me kompanitë serbe është i hershëm që dhe përfshin paketat e tre rrugëve, brenda tyre edhe Levan-Vlorë. Qeveria po përmbush interesat e kompanisë serbe në sektorin e energjisë. Kanë dalë 500 mln euro nga fondi i qeverisë për blerjen e energjisë serbe. Dy kompani serbe kanë marrë monopolin mbi çdo lloj tregtimi të municioneve të ushtrisë shqiptare. Po dhe në fushën e dixhitalizimit të shkollave, i gjithë projekti është realizuar nga një kompani serbe."

VOTIMET SOT NE PARLAMENT

Prezenca: 116

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr.3 të kontratës financiare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Banks Evropiane të Investimeve (BEI) për financimin e projektit të rrugës Levan-Vlorë:

• 116 vota pro 1 kundër 0 abstenim

Projektligj “Për ratifikimin e kontratës për blerje aksionesh të shoqërisë “Hec Lanabregas.sha Tiranë, lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “Ujësjellës-Kanalizime.sha Tiranë

• 70 vota pro 48 kundër 0 abstenim

Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9918, datë 19.05.2008 “Për komunikimet elektronike në republikën e Shqipërisë”

• 105 vota pro 0 kundër 0 abstenim

Redaksia Online

(eç/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë