Berisha: Rama nxjerr Finon si
Frashëri, Velinë si Dervish Hima

Berisha: Rama nxjerr Finon si<br />Frashëri, Velinë si Dervish Hima
TIRANE – “A e dini se cilët janë “rilindasit” e Edi Ramës?, ka thënë Kryeministri Berisha sot në mbledhjen e Qeverisë, duke ironizuar kreun e Partisë Socialiste dhe programin e kësaj partie “Rilindje”.

“Ai na paraqet “rilindasit” e tij”, tha Berisha, “na prezanton Anastas Angjelin në vend të Papa Kristo Negovanit!

Gramoz Ruçin, në vend të kujt, e dini? Gramozin në vend të Koto Hoxhit!  Bashkim Finon, “Cacin”, e ka në vend të Abdyl Frashërit.

Po Erjon Velinë, në vend të kujt e ka, e dini? Në vend të Dervish Himës”!


BERISHA PER TAKSAT: GËNJESHTËR, INFERMIERI PAGUAN 5 HERË MË PAK SE KRYEMINISTRI

Kryeministri i bëri komentet e mësipërme gjatë mbledhjes së Qeverisë, pasi kundërshtoi idenë e taksës progresive, që ka në program Partia Socialiste. Duke iu referuar kreut socialist, Edi Rama, ai tha: “Le të thotë sa të dojë se nuk është nipi i Spiro Kolekës, por me taksën progresive vërtetoi se është biri i tij direkt. E di se është shpikje e Marksit, por në Shqipëri atë e zbatoi Koleka. E ky me çfarë e mbron taksën progresive? Me një mashtrim të shumëfishtë, duke u thënë qytetarëve se infermieri paguan taksa sa Kryeministri!

Infermieri paguan taksa 5 herë më pak; nëse rroga e kryeministrit është 5 herë më e madhe, zotëria që ka në kokë vetëm statistën e Barjabës, u thotë qytetarëve se si ka mundësi që infermieri të paguajë taksa sa Kryeministri. Një gënjeshtër me bisht! Ky 10% është 5 herë më i madh për Kryeministrin.

Kjo është e vërteta!”, tha Berisha, “se ky mendon t’i nanurisë njerëzit, t’i mashtrojë. Këtu ka tre elementë: E para, që borxhi llogaritet nga banka dhe ajo e shpall përqindjen vetem si përqindje të GDP-së; e dyta, u thotë taksën e Kolekës dhe së treti, se infermieri paguan taksën sa Kryeministri, ndërkohë që ai paguan 5 herë më pak. Kjo është taksa propocionale.

Ne jemi dhe do jemi kundër taksës progresive që është taksa e urrejtjes klasore”, përfundoi Kryeministri, “taksa që shkatërron me qindra mijëra vende pune e që çdo studim e thotë se është taksa që nxit më shumë evazionin fiskal.

HARITO :  TAKSA E SHESHTE RRENOI BIZNESIN E VOGEL, 285 MLN USD HUMBJE

Pak kohë pas deklaratave të Kryeministrit për taksat, ka reaguar Partia Socialiste.

Milena Harito, anëtare e grupit të punës për Programin, tha se "i gjori Kryeministër, më kot përpiqet të justifikojë taksën e sheshtë; realiteti është i qartë për çdo shqiptar. Jo vetëm që sot një infermier paguan më shumë taksa se Kryeministri doktor, por edhe çdo polic paguan më shumë se Ministri i Brendshëm. Edhe çdo mësues paguan më shumë se Ministri i Arsimit. Zoti Kryeministër nuk e kupton se 10% i rrogës së mësuesit, policit apo infermierit është jetik për të çuar muajin deri në fund, kurse 10% i rrogës së Sali Berishës, ndoshta as që i hyn në sy Kryeministrit tonë.

Por le t'i themi gjërat siç janë në të vërtetë", tha Harito. "Taksa e sheshtë ka shtuar papunësinë. Jo vetëm që sot janë mbi 1 milion shqiptarë të papunë, por vetë statistikat zyrtare të zotit Berisha thonë se në 4 vitet e fundit shqiptarët kanë humbur 52 mijë vende pune.

Taksa e sheshtë ka shtuar korrupsionin dhe informalitetin. Mjafton t’i referohemi raportit të Transparencës Ndërkombëtare për të kuptuar se sot Shqipëria është e zhytur më keq se kurrë në korrupsion.

Taksa e sheshtë ka ulur fuqinë blerëse të familjeve shqiptare. Sot çdo familje në Shqipëri blen shumë më pak se përpara 4 vjetësh, ndërkohë që listat e borxheve në dyqanet e lagjeve llogariten 200 milionë dollarë.

Taksa e sheshtë ka larguar nga vendi thuajse të gjithë investitorët e huaj dhe vetëm krahasuar me vitin e fundit, falë taksës së sheshtë, korporatat e mëdha kanë humbur 280 milionë dollarë.

Taksa e sheshtë ka rrënuar biznesin e vogël, i cili krahasuar me një vit më parë rezulton të ketë humbur 285 milionë dollarë. Kjo është gjendja e ekonomisë shqiptare.

Kryeministri", përfundoi Harito, "fatkeqësisht, këto nocione nuk i kupton, pasi ora i ka ngelur tek koha e komunizmit, kur shërbente si Sekretar i Partisë së Punës dhe doktor i Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës. Aq prapa i ka ngelur ora, sa nuk kupton dot as faktin që çdo vend i zhvilluar aplikon taksimin e ndershëm, jo të sheshtin që ka rrënuar ekonominë".

Redaksia Online
(ar.sh/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

'Daily Express': Shqipëria, vendi i vogël evropian më i bukur se Greqia dhe Kroacia

'Daily Express': Shqipëria, vendi i vogël evropian më i bukur se Greqia dhe Kroacia