Berisha Ramës: Le të heqim
imunitetet, çdo variant është Ok

Berisha Ramës: Le të heqim <br />imunitetet, çdo variant është Ok
TIRANE – Kryeministri Berisha ftoi sot liderin e Partisë Socialiste, Edi Rama, që së bashku t’i kërkojnë Parlamentit që t’i japë përparësi çështjes së heqjes së imuniteteve për zyrtarët e lartë dhe për këtë mazhoranca u shpreh e gatshme të pranonte çdo variant të opozitës.

Përmes një komunikate për shtyp të lexuar nga zëdhënësja Silvi Bardha në selinë blu, Berisha ftoi Ramën “që krahas punës së komisioneve për reformën zgjedhore dhe atë të rregullores së Parlamentit, le t’ju kërkojmë anëtarëve të byrosë parlamentare të vendosin me përparësi në rendin e ditës heqjen e imuniteteve për zyrtarët tanë”.

Sipas PD, “ky do të ishte mesazhi më i shkëlqyer që forcat tona politike do t’ju dërgonin zgjedhësve të tyre dhe mbarë qytetarëve shqiptarë dhe miqve e partnerëve tanë kudo që janë, që presin me të drejtë dhe padurim këtë vendim tejet, tejet të rëndësishëm për të ardhmen e tyre europiane”.

Zëdhënësja e PD theksoi se forca e saj politike “është e vendosur të pranojë në Parlament cilindo variant që të zgjedhë opozita për heqjen e imuniteteve, pra heqjen e imuniteteve me ndryshimet ligjore dhe kushtetuese që ajo preferon”.

Me propozim të kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, respektivisht Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi, Parlamenti vendosi sot të zgjasë deri më 10 korrik afatin e reformës zgjedhore. PD e përshëndeti këtë hap dhe theksoi se ajo vlerëson “punën serioze të bërë deri sot nga palët në reformën zgjedhore dhe ka bindjen e plotë se, në rast se ekziston vullneti politik, kjo reformë mund të përfundojë brenda afatit të kërkuar”.

PD nënvizoi se “në frymën e kompromisit ajo ka miratuar me dhjetëra propozime të paraqitura në Komision nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste për adresimin e rekomandimeve të ODHIR-it dhe është e vendosur në këtë frymë të kontribuojë në zgjidhjen e problemeve të mbetura për shqyrtim”. Për këtë, PD “uron që edhe pala tjetër t’a realizojë, sepse konsensus do të thotë lëshim dhe jo bllokim, dhe se nuk do të përdorë afatin shtesë, për bllokim shtesë”.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Tensione tek bashkia, përplasje me policinë, autobotet hedhin ujë

Tensione tek bashkia, përplasje me policinë, autobotet hedhin ujë