Gazmir Spahija, ish drejtor i Tatimeve në fund të qeverisjes Berisha dhe administrator i televizionit të tij “Syri Tv” është shpërblyer me një tjetër detyrë nga Rithemelimi. Ai është caktuar një nga 4 koordinatorët e Rithemelimit, që do të merren me organizimin e demokratëve, veçanërisht për protestat pranë shtëpisë së ish kryeministrit.

Detyra administratorit të televizionit të familjes Berisha i është caktuar në mbledhjen e Kryesisë të “Rithemelimit”, që me Berishën të izoluar në arrest shtëpie, e drejtoi Flamur Noka.

Po ashtu, 3 koordinatorët e tjerë që janë caktuar janë të besuarit e fundit që I kanë mbetur Berishës, Klevis Balliu, Aurel Bylykbashi dhe Arben Qirjako.

Këto emra do të merren me organizimin e strukturave, veçanërisht për protestat që “Rithemelimi” mban në mbështetje të Berishës kundër drejtësisë.

Edhe pse kishin deklaruar se përcaktimi i koordinatorëve do të bëhej për t’i hapur rrugë riorganizimit e për të përfshirë edhe grupimin e Bardhit, 4 emrat e koordinatorëve janë vetëm nga radhët e mbështetësve të Sali Berishës.

Tani Syri tv mund të konsiderohet edhe formalisht organi zyrtar i Rithemelimit, fraksion politik i Partisë Demokratike dhe nuk mund të pretendojë asnjë strandard pavarësie profesionale që një media (pavarësisht linjës së vet editoriale) duhet të garantojë. Te Syri nuk bëhet më gazetari apo informacion, por vetëm propagandë dhe kushdo frekuenton ato studio (qoftë edhe si i ftuar) duhet të jetë i vetëdijshëm që kontribuon në një operacion propagande në këtë rast të udhëhequr nga familja Berisha.