Pas disa fondesh të akorduar më parë me qëllim rikonstruksionin, ky i fundit është rreth 27 milionë lekë, duke e çuar kështu shumën totale që kryeministri Berisha ka akorduar deri tani për vilën nr 4 në 127.4 milion lekë.
Nëpërmjet vendimit që mban datën 1 korrik 2013, Berisha i ka akorduar Nishanit një fond prej 27 milionë lekësh për mobilimin e plotë të vilës së tij.
Vendimi me nr 499: “Për një shtesë fondi në buxhetin vitit 2013 miratuar për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare për mobilimin e vilës nr.4 Tiranë” është botuar menjëherë në Fletoren Zyrtare, ç’ka do të thotë se ka hyrë në fuqi menjëherë.
Sipas vendimit paratë për mobilimin e vilës do të jepen nga fondi i kontigjencës parashikuar në buxhetin e vitit 2013 dhe Ministria e Financave dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare angazhohen për zbatimin e këtij vendimi.
Ky është fondi i tretë që akordohet për këtë ndërtesë pasi shuma e parë e cila shërbeu për rikonstruksionin e plotë të vilës nr 4 mbante shumën prej 51.6 milionë lekësh me pas ajo u vijua më një shtesë tjetër fondi prej 48.8 milionë lekësh .
VENDIMI
“Në mbështetje të nenti 100 të Kushtetutës të neneve 5 e 45 të ligjit 9936 “për Menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, dhe të ligjit nr 119/2012 “Për buxhetin e vitit 2013” të ndryshuar me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave.
Vendosi
1 -Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare në buxhetin e miratuar për vitin 2013 t’i shtohet fondi prej 27 570 126 (Njëzet e shtatë milionë e pesëqind e shtatëdhjetë mijë e njëqind e njëzet e gjashtë) lekësh për mobilin e plotë të vilës nr.4 Tiranë.
2- Ky fond të përballohet nga fondi i kontigjencës, parashikuar në buxhetin e vitit 2013.
3- Ngarkohen: Ministria e Financave dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi
4- Ky vendim hyn në fuqi menjërherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
APELI I RAMES: MOS MERR VENDIME
Pas humbjes së 23 qershorit kryeministri i ri, Edi Rama që do të marrë detyrën në shtator disa herë ka përcjellë apelin drejtuar kryeministrit në detyrë Sali Berisha, të jetë këto dy muaj si "kujdestar" duke mos marrë vendime dhe të mos shpenzojë më paratë e shqiptarëve pasi votat e 1 milionë shqiptarëve kanë rrëzuar projektin e tij duke përkrahur të majtën.
"Ndaloni shpenzimet e mëtejshme të parave të popullit shqiptar përmes vendimesh që nuk kanë asnjë legjitimet moral e politik. Mos merrni më as vendime që rëndojnë në kurriz të vendit e njerëzve. Shfrytëzoni këto dy muaj për të kaluar në opozitë si humbës normal dhe jo për të qeverisur si fitues imagjinar."- tha dje Rama në mbledhjen e djeshme të Grupit parlamentar të PS-së, ndërsa për Nishanin theksoi se shpresonte në bashkëpunimin e tij jo si noter i një pale që ka humbur zgjedhjet.
VILA NR 4
Ndërtesa e quajtur “Vila nr. 4”, e ndërtuar rreth viteve 1960, ndodhet brenda territorit të Pallatit të Brigadave, në afërsi të Liqenit Artificial dhe ka një sipërfaqe prej rreth 520 metrash katrorë. Aktualisht, ndërtesa është duke iu nënshtruar një rikonstruksioni të plotë, i cili do ta shndërrojë atë në një rezidencë bashkëkohore presidenciale. Vila është 520 metra katrore, ku me gjithë ambientet e pishinave dhe tarracave shkon rreth 900 metra katrorë në të gjithë hapësirën e saj. Banoret e fundit që kanë jetuar në këtë ndërtesë, ka qene familja e presidentit Moisiu, ndërkohë që Presidenti pasues Bamir Topi, preferoi të qëndronte në rezidencen e tij personale.
(Foto: Faksimile e vendimit te kryeministrit )
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)