Berisha si fantazmë e ‘97 e dilema e përgjegjësisë penale 

Tre vjet pas shembjes nga pushteti, pasuar me një lot dhe dorëheqje teatrale nga froni i PD, Sali Berisha, u rrek dje të rikthente fantazmën e ’97, me anë të një deklarate të shestuar dhe të mirëmenduar hollësisht. Pas tre vjet kërcënimesh, vreri dhe sëkëlldisje, Sali Berisha befas rrëshqiti dje në ujërat e zeza të sundimit të parë, sundim ky i shënjuar nga një sagë prapësish, nga zhdukje, rrëmbime, syrgjynosje, reprezalje, shkatërrim të gjithanshëm, thyerje embargosh, përplasje me Perëndimin, dhunim zgjedhjesh etj. Është një rikthim tek precedenti i ’97. Asokohe, Sali Berisha u bëri thirrje mbështetësve të tij të armatoseshin, për të luftuar kundër rebelëve të Jugut.

19 vjet më vonë, Berisha fton armatën e militantëve të rrëmbejnë armët kundër qeverisë. Jehona e thirrjes për kryengritje të armatosur, si reminishencë e ’97, në harkun kohor prej disa orësh, tejkaloi kufijtë kombëtarë, deri përtej Atlantikut. Për herë të parë, pas makijazhit të tij politik në 8 vitet e një pushteti të plotfuqishëm, Berisha, shpërtheu dje edhe ndaj një gazetareje, duke e quajtur zëdhënëse dhe falangë të krimit, tregues ky i një mundimi të madh. Ndërkaq, vendin e reagimeve, polemikeve dhe ironive therëse në rrjetet sociale, e zuri me shpejtësi një dilemë dhe paradoks juridik, që lidhet me përgjegjësinë penale të ish-kryeministrit. U lakua menjëherë neni 222 i Kodit Penal, i cili parashikon 5 deri në 10 vjet burg, për thirrjet për armatosje të popullatës.

Si kundërvënie ndaj nenit 222, në vëmendje u soll neni 73, pika 1 i Kushtetutës, i cili e zhvesh deputetin nga përgjegjësia deklaratave të artikuluara në Kuvend. Kushtetuta prevalon mbi çdo ligj dhe akt tjetër, por ka një paradoks, pasi Rregullorja e Kuvendit parashikon masa ndëshkimore ndaj deputetit, pikërisht për shkak të deklaratave fyese apo të papërgjegjshme. Kjo rregullore ka vepruar mbi deputetët pavarësisht imunitetit që u jep neni 73 i Kushtetutës. Gjithsesi, nëse lexojmë me vëmendje vendin e artikulimit të deklaratës dhe sjelljen jashtë parlamentit të Berishës, ky i fundit, duket qartë se ka qenë thellësisht i vetëdijshëm për pasojat penale.

Jashtë parlamentit, Berisha tha se, nuk i hiqte asnjë presje deklaratës për armatosje të popullit, por u tregua i kujdesshëm, duke mos përsëritur sintagmën “merrni armët”, e cila mund ta veshte me përgjegjësi penale. Kur thirrjet në adresë të prokurorisë u përshkallëzuan, Berisha e zbuti më tej deklaratën, teksa foli për armatosjen, si një proces i rregulluar me ligj. Kjo tërheqje dhe kujdes rrëzon edhe tezën, sipas të cilës, ish-kryeministri po humbet ekuilibrin mendor, është ezaurur mendërisht etj. Radikalizimi i Berishës nuk është i rastësishëm. Thirrja për rrëmbim armësh vjen pas nënshkrimit të pakti me FBI për ndëshkimin e korrupsionit elitar si dhe pas vullnetit për ish-truprojës së tij për të dëshmuar për të gjitha krimet e tmerrshme.

Apeli për rrëmbimin e armëve vjen gjithashtu në një kohë kur po afron ora e miratimit të reformës në drejtësi, kur mandatet e Nishanit dhe Llallës po shkojnë drejt fundit. Ka një perceptim të fortë publik, sipas të cilit, Sali Berisha dhe familjarët e tij do të jetë një nga objektet e drejtësisë së re. Në këtë kuadër, tërbimi i Sali Berishës, mund të lexohet si shenjë e pafuqisë së tij, por edhe si paralajmërim i një humbje tjetër të Partisë Demokratike, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Si përfundim, asnjë alibi, asnjë makth i brendshëm, tezë apo skenar, nuk e justifikon mungesën e nisjes së një procesi hetimor, për deklaratën më të rrezikshme, që mund të jetë artikuluar ndonjëherë në historinë parlamentit pluralist shqiptar.

Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati