Ai ka treguar se a ishte kardiolog i diktatorit Enver Hoxha, gjatë udhëheqjes së sistemit komunist. Berisha ka bërë të ditur se kush i kishte kërkuar ta mjekonte personalisht ai dhe nëse kishte pranuar kërkesa të tilla.
Në emisionin ‘Komiteti’, që transmetohet në RTV Dukagjini, Berisha ka shpjeguar se çfarë e shtyu atë të hynte në politikë dhe cilat ishin qëllimet e tij në fillim të viteve të ’90-ta, pas rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri.
Në një cikël intervistash që janë botuar kohët e fundit, njëra prej tyre dhënë Fahri Balliut thoshte se gjatë viteve të komunizmit ju njiheshit në Tiranë si “kosovari”?
Unë njihesha ashtu siç isha.Tropoja deri në Drin etnografisht është malësi e Gjakovës, sikundër dhe Hasi. Pra Drini është kufiri që ndan Kosovën nga pjesa tjetër. Përveç kësaj unë i përkas një familjeje, si shumica e familjeve të Tropojës, tmerrësisht të lidhur me fatin e Kosovës në të gjitha kohërat. Kisha lidhje të pafundme familjare por lidhje në të gjitha zhvillimet, edhe para 870, por nga viti 870 e këtej ata kishin marrë pjesë në mënyrën më aktive në ato organizimet popullore që bëheshin. Në familjen time, në tërësi ishin nacionalist, edhe miqtë e tyre në Kosovë ishin nacionalistë por kanë mbështetur fuqimisht Lëvizjen Clirimtare për shkak të punëve. Pas Konferencës së Bujanit, në të cilën u vendos që pas lufte Kosova të ketë të drejtën e referendumit, atëherë familja ime ka qënë një bazë shumë e rëndësishme e Luftës Clirimtare, duke besuar se Bujani do ti japë një zgjidhje përfundimtare problemit të Kosovës. Në familjen time burrat nuk qanin kurrë në vdekje, por zbeheshin dhe djerësinin por asnjëherë nuk përloteshin. Kurse, kur vinte puna për Kosovën, ata, ose në këngën e tyre ose në raste të tjera ata përloteshin dhe kishin një brengë absolute, sepse Kosova u shit. Në atë kohë nuk u besoja.. Ata e njihnin më mirë se unë historinë dhe e vërteta është se Kosova ishte shitur. Dokumentat më vonë e faktojnë këtë. Kosova u shit nga Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha. Fadil Hoxha ka firmosur Bujanin. Ka tendenca që ta lehtësojnë këtë. Në vitin 45 Fadil Hoxha bëri konferencën e Prizrenit në të cilën abrogoi Bujanin. Jugosllavët u përpoqën që të vepronin mbi baza institucionale, ndaj mblodhën dhe bënë në Prizren konferencën dhe abroguan aktin e Bujanit. Enver Hoxha e kishte abroguar me kohë. Pra nuk mund të ketë dyshim që Kosova u tradhëtua.
Cfarë keni mësuar në Kosovë zoti Berisha. A është mësu për Kosovën sepse retorika nacionaliste filloi në Shqipëri me Enver Hoxhën në 81-shin mirëpo më herët qysh është trajtu Kosova, ndoshta gjatë viteve 60 ose 50?
SALI BERISHA: Kosova është trajtuar më herët si një problem i cili mund të sillte fatkeqësi dhe duheshe larguar prej tij, si një problem që duhet injoruar por si një problem që nuk duhej të shndërrohej në një mollë sherri me Jugosllavinë. Edhe në vitet 81, ka qënë insistimi i lëvizjes në Kosovë, sepse fillimisht Tirana zyrtare absolutisht nuk e ka përkrahur. Ka qënë kundër nismës “Kosova Republikë”. Më vonë ka dërguar njerëz dhe kanë shpjeguar se nuk kemi të ardhme tjetër dhe kanë përkrahur nismën “Kosova Republikë”, por Kosova ishte një rrezik potencial për pushtetin e Hoxhës, në rrafshin e të drejtave të njeriut ishte pakrahasimisht më mirë se sa Shqipëria, kishte pushtimin kombëtar dhe kjo ishte ana më e zezë por në të drejtat e njëriut, në lirinë e besimit, në lirinë elëvizjes por dhe në lirinë e mendimit ishte shumë më mirë. Nëse lexoje në atë kohë Zërin e Popullit dhe Rilindjen e Kosovës unë ju them se do gjeje dy botë krejtësisht të ndryshme.
Ju personalisht zoti Berisha a keni patur problem për të ardhur në Tiranë, pra një djalë që vjen nga fshati i Veriut, a ka pasur diskriminim mbi baza rajonale?
Veriu ka qënë thellësisht i diskriminuar nga Enver Hoxha. Unë them se në atë kohë, nga i gjithë Hasi unë di vetëm tre vetë të shkolluar në Tiranë. Nga Tropoja mund të ishin pak më shumë, megjithëse Tropoja kishte qënë një bastion i fuqishëm i Luftës Clirimtare, ishte vendndodhja e partizanëve të Kosovës. Kështuqë Veriu ishte thellësisht i diskriminuar në çdo aspekt.
Gjatë asaj kohe, pra vitet 50-60-70 ju personalisht a keni qënë i bindur ose pastrimi i trurit ka qënë aq i madh? Ju a e keni ditur që ka qënë gabim Shqipëria?
Unë kam patur një moment kur u pushtua Cekia, gjatë të cilës mu krijua bindja se mund të sulmonte rusi, dhe në gjithë arkitekturën time politike rusi ishte armiku më i egër dhe më i rrezikshëm i shqiptarëve sepse mbështeste serbin. Në këtë kontekst e kam pritur me kënaqësi shumë të madhe prishten me Bashkimin Sovjetik, prishjen me Rusinë, në një farë mënyre dhe de-rusifikimin. Një mori djemsh pa shkollë shumica e tyre, vërshuan drejt Rusisë për tu shkolluar në shkolla të mesme e të larta dhe atje sikur zbuluan Amerikën, dhe ktheheshin me një shqipe të rusizuar që më tmerronte kur shihja këto ndikime.
Ju s’keni qënë në Rusi?
Jo s’kam qënë. Më doli bursa por ma anulluan, ma morën.
A keni qënë jashtë shteti diku në atë kohë?
Jo s’kam qënë.
Hera parë kur ka qënë që keni dalë jashtë shteti?
Në vitin 77. Por në atë kohë mbi bazën e notave më doli bursa për jashtë shteti
Ku keni qënë për herë të parë jashtë shteti?
Kam qënë në Milano në një kongres ndërkombëtar.
Dalja e parë jashtë shteti a të befasoi?
Unë atje shkova për të referuar në një kongres. Materialet e atij kongresi janë botuar ndaj në një farë mënyre aty shkova me një dinjitet studiuesi.
Po kur shkuat aty si e përjetuat? A e kishit ditur që gjendja në Shqipëri ka qënë shumë e keqe?
Padiskutim e kemi ditur. Dhe terrori i jashtëzakonshëm ka patur efektin e vet. Unë isha mjek dhe unë shihja efektet katastrofale të urisë kronike. Në Shqipëri popullata rurale, jo e qyteteve, dhe veçanërisht e zonave nga Dukagjini në Frashër, ka përjetuar uri kronike, siç ndodh sot në Kore të Veriut, sëmundjen e pelagrës dhe vdekje të parakohëshme. Vdekjet nga uria kanë qënë të zakonshme.
Gjatë asaj kohe ju keni qënë njëri prej kardiologëve më të shquar në Shqipëri. Ju keni qënë dhe mjek i Hysni Kapos?
Po kam qënë.
Enver Hoxhën e keni trajtuar ndonjëherë?
Kurrë, nuk e kam trajtuar kurrë. E kanë trajtuar shokët e mijë me të cilët kam punuar.
A e ke takuar ndonjëherë?
Jo nuk e kam takuar. Kanë qënë shokët e mijë që janë kujdesur për të, me të cilët punoja në klinikë me ta. Ai kishte kriteret e veta për ata që përzgjidhte por natyrisht, nëse unë nuk kam qënë tek diktatori Hoxha, nuk kam qënë se nuk më ka kërkuar të jem. Kjo është e vërteta. Sikundër dua të them se nuk kam qënë mjek personal i kërkujt.
S’keni qënë mjek personal as i Hysni Kapos?
Jo mjek personal s’kam qënë kurrë. S’jam shkëputur asnjë ditë nga Fakulteti i Mjekësisë dhe nga Spitali. Kam qënë gjatë periudhës që ka patur infarkt miokardi, më është propozuar që unë të qëndroj mjek personal. E kam refuzuar dhe s’kam patur asnjë pasojë personale. U kam shpjeguar që unë kam këtë formim dhe se pasioni im është kërkimi shkencor dhe s’kam patur asnjë pasojë.
A keni patur në atë kohë dikë që keni biseduar hapur për gjëndjen e rëndë në Shqipëri.
Gjatë asaj periudhe ne kemi qënë një grup mjekësh dhe kemi diskutuar gjithçka me njëri tjetrin. Cili ishte në atë kohë sekreti absolut i Shqipërisë? Sekreti absolut ishte shëndeti Enver Hoxhës. Dhe unë dija gjithçka për shëndetin e tij nga miqtë e mi, të cilët flisnin me mua…
Nuk besoj se keni pas folur me entuziazëm..
Edhe me entuziazëm, me nodnjërin prej tyre edhe për vdekjen kemi folur me entuziazëm.
Pra keni guxuar të flisni hapur.
Patjetër. Kemi qënë tre a katër, jo një. Në mjekët ka patur një proces shumë të egër në Durrës, i cili ka qënë një mjek i shquar, Koço Moisiu, në tërësi në Tiranë nuk ka patur procese politke, çka do të thotë se jo se mjekët nuk flisnin, por kishte një tolerancë sepse goditja ishte problematike.
Kur ka qënë momenti kur e kenii kuptuar se regjimi po bie, a ka ndonjë ditë të veçantë?
Absolutisht nuk ka asnjë ditë. Unë, për t’ju kundërvënë regjimit më është dashur të marrë vendime, më janë dashur vite. Jo se unë nuk mund të vendosja personalisht të përballesha me gjithë pasojat por unë kisha falmilje. Në familjen time për disa rrethana të veçanta ishim gjashtë vetë. Dhe që të mbaheshim vetëm me rrogën e bashkëshortes e kishim shumë të vështirë të bijetonim. Momentet më të përshtatshme të para që mu krijuan, strikt ekonomike, të përballueshme për ata që unë lija mbrapa, unë kam vendosur të dalë kundër, të fillojë në mënyrë shumë të venbdosur kundërshtitë, por natyrisht si intelektual të jem sa më racional. Nuk më impresiononte në mënyrë absolute asnjë gjë, e vetmja gjë ishte që duhet të ecja sa më i vendosur dhe sa më efiçent. Pra ka qënë viti 88 me disa gjëra fare të parëndësishme, por vigjilenca e regjimit ishte e madhe.
Në vitin 90 Gllaznosti i Gorbaçovit bëri efekt dhe në Shqipëri. Shqipëria ishte vendi i monizmit ekstrem, mund të krahasohej me Korenë e Veriut, madje dhe më keq në disa aspekte. Nëse Koreja e Veriut kishte një farë marrëdhenie me Japoninë dhe investimet e diasporës koreane, në Shqipëri ishin të ndaluara me kishtetutë investimet e huaja dhe nr i personave që hynin në një vit në Shqipëri ishin disa mijëra. Pra Shqipëria ishte vendi më i zioluar, i monizmit më ekstrem. Për të kuptuar se cili ishte monizmi në Shqipëri do të marrim hapjen dhe jo kohën e tij. Ramiz Alia filloi të hapej le të themi, dhe çfarë bëri? Ju tha fshatarëve një një plenium në vitin 88, të drejtën për të patur një kec dhe një qingj dhe kecin ta rriste dhe tjetrin t’ia kthente kooperativës. Erdhi në Tropojë në vizitë, do shkonte në Kasaj ku besohet se e kishte origjinën. Pasi e pregatitën takimin, i thotë Sigurimi se janë futur diversantë për ta eleminuar dhe e anulloi takimin dhe shkoi në Lekbibaj, në anë të kundërt. Në Lekbibaj, një familje shumë e mirë atje ku shkoi, i zoti i shtëpisë i thotë pasi drekuan: “shoku Ramiz, ne këtu jemi zonë shumë e ftohtë dhe tradita jonë është derri. Kur hanim mishin e bardhë të derrit, dhjamin, ne hapnim gjoksin se nuk ndjenim të ftohtin”. Ramizi i kthehet dhe i thotë: “po njëri kërkon një derr, njëri një berr dhe kthehemi ku kemi qënë”. Pra, diskursi im i parë si kundërshtues ka qënë diskutimi për lopën. Në mbledhjen e bashkimeve profesionale ku diskutohej qingji dhe keci, bëhet mbledhja dhe unë ngrihem dhe them se kjo nuk zgjidh gjë, por duhet lopa, sepse shumica e shqiptarëve nuk marrin minimumin proteinik, që është një sasi e caktuar proteinash të cilat trupi nëse nuk i konsumon atëherë i merr nga vetja dhe shkon duke u plakur progresivisht. Ndaj dhe thashë se vetëm duke u kthyer lopën mund të bëjmë që shqiptarët të marrin minimumin proteinik dhe të shmangim urinë dhe vdekjen e parakohëshme. Paraqita për këtë dhe disa eksperimente të Hobkins. Dy miq të mi ngrihen dhe thonë jemi dakort me Sali Berishën. Në fund ngrihet një tjetër dhe thotë nuk jam dakort se po të bëjmë këtë do kthehemi aty ku kemi qënë, pra citoi fjalën e Ramiz Alisë në Lekbibaj. Këto janë të pabesueshme por kjo ishte Shqipëria. Unë nuk kam menduar për asnjë moment se do shof një ditë të lirë. Jam nisur si intelektual të dal nga konformizmi im.
Do të futeshe në politikë sikur të mos ekzistonte komunizmi? A do të merreshë vetëm me mjekësi?
Absolutisht po, kurrë nuk do merresha me gjë tketër veçse me mjekësi. Kisha punuar shumë, kisha punime origjinale të publikuara në revistat më prestigjioze të botës dhe sot janë gur themeli të palëvizshme, janë punime origjinale që janë normë që përdoren në të gjithë botën. Unë isha shumë i apasionuar, me një ekip djemsh të shkëlqyer, të aftë dhe arrinim të botonim në revistën më prestigjioze të kohës. Kështuqë unë vetë nuk kisha asnjë ambicie politike, ambiciet e mia ishin tërësisht shkencore, por neveria ime për veten ishte gjithnjë e më e madhe sepse unë konformohesha dhe doja të dilja nga konformizmi. Konformizmi intelektual, jo i indoktrinuar, është një nga shtyllat më kryesore të mbajtjes së diktaturave. Nëse intelektualët nuk do konformoheshin unë mendoj se diktaturat nuk do mund të kishin jetë të gjatë. Intelektuali konformuar rrezaton në mjedis. Cfarë do thoshte infermjerja ime psh në një kohë kur e shihte që unë konformohesha! Plus ishin të tjerë që i shkruanin dhe i thurrnin lavde. Pra beteja ime ishte betejë për dinjitetin njerëzor. Unë u kundërvura sepse doja të gjeja dinjitetin tim.
A ka qënë Kadare konformist?
Të gjithë kanë qënë konformist.
A keni vërejtur ndonjë dozë disidence te Kadare?
Në diktaturë kishte dy gjëra: jashtë konformizmit vendin e kishe në burg ose në internim. Kadare është një gjeni dhe në këtë aspekt, nëse kishte një horizont virtual të ndryshëm nga ai, ishte Kadare. Sepse Kadare, pavarësisht nga konformizmi i tij, në të vërtetë ai me veprën e tij përbënte një dallim shumë të qartë nga letërsia e realizmit socialist, edhe pse edhe ai vet kishte vepra të realizmit soc. Po të më pyesësh nëse e kam konsideruar Kadarenë mbështetës të regjimit, unë të them jo. Për mua dhe për shumë të tjerë si ne, ai ka qënë një njëri në përpjekje të madhe për të dalë nga realizmi socialist dhe për të mundur me shpreh mendimin e tij duke marrë histori, duke bërë udhëtime të gjata në hstori dhe për ti paraqitur më aktuale. Duke thënë këto, patjetër që në veprën e tij ka patur konformizëm të padiskutueshëm dhe në qëndimet e tij, sikundër qëndrimet e mia dhe të çdo intelektuali, në atë diktaturë nën konformizëm ka patur deformime. Sepse ne nuk kishim disidencë, nuk kishim shtypin klandestin. Po marrim “Dimrin e vetmisë së madhe”. Cfarë ishte? Ishte rroftë mbreti poshtë oborri. Për ne ku mbreti dhe oborri ishin gjithë fuqia, të paktën “poshtë oborri” ishte shumë mirë. Plus pastaj me “Pallatin e ëndrrave”… Unë e kam njohur Ismailin. Nuk kam dyshuar ndonjëherë se Ismaili është njëri i bindur i regjimit. Jo. Unë kam menduar se Ismaili ka qënë konformist dhe ka qënë i konformuar në një shkallë të caktuar, si botoheshin veprat Ismailit për 6 – 7 vjet nuk i kanë botuar asgjë. Bënë një plenium pas vrasjes së Mehmet Shehut me të cilin pregatitën arrestimin e tij, dhe nuk e arrestuan dot sepse qe ndërhyrja kategorike e Miterrand dhe e qeverisë franceze, e cila i çoi një mesazh tronditës Enver Hoxhës se nëse do e arrestoni do ketë pasoja të rënda. Tre javë rresht, para ambasadësh shqiptare në Paris, pati protestë të intelektualëve francezë me librat e Ismailit në dorë. Kështuqë po pregatitej arrestimi i tij nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia. U bë pleniumi i Lidhjes së Shkrimtarëve ku e damkosën, duke i thënë se mos kujto ti se nuk e dimë ne që “Pallati i Endrrave” nuk është Komiteti Qëndror i Partisë. Donin ta godisnin por nuk e goditën dhe i detyrohemi shumë Francës për këtë. Po ta godisnin, Ismaili e thotë diku, se shkrimtari është mbret në letra, kjo është trimëria e shkrimtarit. Nëse Ismaili burgosej, edhe mund të vazhdonte të shkruante por edhe mund të mos shkruante asnjë fjalë. Në këtë kontekst unë mendoj se nëse realizmi socialist ishte virus shkatërrimtar i identitetit kombëtar, Ismaili ja doli të shkëpusë një pjesë të krijimtarisë së tij nga realizmi socialist. Me realizmin socialist synohej të atakohej identiteti kulturor, identiteti i shqiptarit. Unë kam një admirim të jashtëzakonshëm për Ali Podrimën dhe disa nga krijuesit e tjerë të Kosovës, të cilët me platformë u shkëputën nga realizmi soc. Ata e kishin m ëtë lehtë duhet të jemi realist për këtë, kurse Shqipëria ishte i vetmi vend ndofta, që pas 1956 zhdanovizmi mbeti në fuqi deri ditën e fundit. Në Shqipëri realizmi socialist dhe parimet e Zhdanovit ishin parime të drejtuesve të saj.
Në prill të vitit 92 kur e more pushtetin, cili ka qënë prioriteti nr 1 i juaji?
Në 22 mars ndjenjat e mia kanë qënë mikse, natyrisht kam patur një entuziazëm të jashtëzakonshëm sepse ja dolëm të përmbysim diktaturën por ja dolëm, në kuptimin e vërtetë të fjalës, në një tokë të shkrumbuar. Shqipëria atë vit kishte 80% papunësi, me dekret të Ramiz Alisë. Ramiz Alia për të krijuar tokën e djegur bëri një dekret ku paguheshin me 80% të rrogës të gjithë punëtorët e Shqipërisë, s’kishte njëri në privat këtu, pra e ghithë industria ishte e falimentuar, toka ishte e djegur, dhe ata pa punuar merrnin 80%-shin. Rezerva valutore e Shqipërisë zhbriti në 4 milionë dollarë ditën që unë jam bërë president i republikës. Së dyti, kishte një mungesë të paimagjinueshme të mallrave në treg. Zgjebja dhe morri bënte kërdinë në mbarë vendin. Së treti; një ekip erdhi në timon por ishte një ekip me një vit eksperiencë politike, drejtimi shtetëror, grup teknokrat. Kishte një anë pozitive, kjo ishte elita apo grupi i parë në historinë e shqiptarëve që buronte direkt nga toka shqiptare. Këta njerëz nuk ishin përfaqsues të asnjë vedi tjetër përveçse të kombit të vet. Kjo ishte arsyeja kryesore që, që ditën e parë të themelimit në Qytetin Studenti, unë kam shpallur se “yllin ynë polar është çështja kombëtare”. Në 22 dhjetor 1990 në fjalën time kur u bë mitingu, kam dalë me tezën “ylli ynë polar është çështja kombëtare”. Kjo buronte nga shpirti. çcështja kombëtare, atyre që ishin sunduar 45 vjet nuk kishte qënë kurrë axhendë e tyre sepse programin politik të tyre, mbledhjen e themelimit të partisë së tyre e kishte bërë Popoviç. Popoviç pasi e themeloi partinë qëndroi vet në timon të paktën për mbi një vit e gjysëm. Kështuqë nuk ekzistonte çështja kombëtare përpara në një program.
Pjesë e indoktrinimit ka qënë edhe një fobi ose le të themi një frymë jo e përshtatshme kosovare. Ramiz Alia në 12 shkurt në 1990 në takimin me intelektualët më thotë “unë dhe ti Sali jemi nga pak kosovarë”. I them po ti mban Stalinin këtu, ka armik më të madh kombi se Stalini. Kështuqë kishte një ndrojtje ose rezerva të mëdha nga implikimet, nga pasqyrimi sepse aty njerëzit pavarësisht se në pushtim i luteshin Zotit, lëviznin dhe shkonin me pushime kudo përveçse në Shqipëri se si linte Enver Hoxha por jo se i pengonte Tito.
Në 1992 a ka patur formacione të ushtrisë së Kosovës që janë ushtruar këtu?
Po ka pas
A keni pas njohuri, kanë qënë me leje?
Pa diskutim që kanë qënë me leje. U konvertuan si refugjatë por të gjithë ata kanë qënë të menaxhuar nga udhëheqja e qeevrisë së Kosovës, zoti Bujar Bukoshi. Edhe në atë kohë ata më flisnin për ministrin e mbrojtjes, kishin dhe një shef shërbimi por me sa di unë ishin të tjerë që merreshin direkt por të gjitha këto ishin të organizuara dhe mbështetura nga qeveria e Kosovës, kryesisht nga Bukoshi, ministria e mbrojtjes dhe sherbimi informativ.
Qarkullojnë foto të asaj kohe ku shihet dhe Adem Jashari. A e keni takuar?
Në grup e kam takuar. Personalisht nga të gjithë ata unë kam takuar veças Sali Cekun, i cili ka qënë drejtues i LDK në mërgim në Zvicër dhe ka vazhduar në mënyrë të pandërprerë veprimet. E kam pritur në zyrë, është ndihmuar brenda mundësive që kanë ekzistuar por dhe ai vet blinte armë në Zvicër dhe ai ka futur armë vazhdimisht, është ndihmuar nga një kushuri i afërt i imi dhe ky bashkë me Saliun kanë lehtësuar transportin e armëve në Kosovë. Në dijeninë time ndërmerrte veprime guerrile. E kishte shumë problem kolonizimin e Kosovës.
A keni patur njohuri që flitej në atë kohë se është arrestuar zoti Thaçi në Tiranë?
Absolutisht asnjë njohuri. Arrestimet mund të kenë ndodhur për shkelje ligji por njëri që të ketë ndenjur në burg për veprime për Kosovën nuk ka. Me armë është kapur Zahiri, është kapur në Has apo Kukës.
Me Thaçin s’keni diskutuar për këtë çështje, s'të ka pyetur ndonjëherë?
Jo s’më ka pyetur asnjëherë. Por unë nuk do çuditem nëse ka ndodhur, dmth si moment i shkeljes së ligjit. Por nga ana tjetër çfarë ka qënëe zyrtarizuar ka qënë e zyrtarizuar. Ka ndodhur me Zahirin dhe kur është marrë vesh që bënte të njëjtën veprimtari që bënte Sali Ceku ai është liruar.
Rasti Remzi Hoxhës, a keni patur njohuri, a e keni njohur atë?
Remzi Hoxhën nuk e kam njohur kurrë në jetën time. Kam dëgjuar për herë të parë emrin e tij nga Adem Demaçi. Kam qënë president i republikës dhe Adem Demaçi më ka ardhur në zyrë dhe më ka thënë se ka ndodhur kjo e kjo dhe nuk po gjendet. I kam thënë se absolutisht unë do jap porositë më të prera dhe kam thirrur prokurorin e Përgjithshëm, kam thirrur ministrin e brendshëm, kam thirrur shefin e shërbimit dhe kam lënë porositë më të prera për gjetjen e tij, për zbulimin rastit. Ky ka qënë qëndrimi im i prerë. Nuk e kanë gjetur.Nuke di në atë kohë a ishte zhdukur, a e kishin zhdukur, pra nuk e dija fatin e tij por me porosi të Adem Demaçit ose me kërkesë të tij jam marrë në mënyrë intensive me problemin e tij. Familjarët e tij, me sa di unë janë takuar me kështilltarë të mi, s’janë takuar kurrë me mua, dhe ne kemi bërë çdo përpjekje. Mbrapa kam kuptuar që aty është një aferë. Për të zhdukurin duhet kërkuar çdo gjë, por qëndrimet e familjarëve implikojnë një aferë shumë të pisët. Familjarët paraqesin si pretekst zhdukjeje se Remzi Hoxha paska denoncuar një takim që kam bërë unë me Sllobodanin dhe Gligorovin në Shën Naum. Kjo është gjëja më qesharake në botë. Ata që hynë në këto, tregojnë se janë pjesë e vorbullit të shërbimeve. Unë s’jam takuar kurrë me të. Millosheviç, jam nga tre personat në Ballkan dhe më gjërë që më ka shpallur non grata ndonëse nuk kisha kërkuar kurrë takim. Se kam takuar kurrë.
A ka pas përpjekje me ju taku?
Jo ai kishte armiqësi…Po të jetë puna për betejën, në atë kohë, në rrafshin diplomatik beteja zhvillohej midis Beogradit dhe Tiranës dhe Tirana e fitoi betejën në mënyrën më spektakolare. Ne kaluam rezolutën në vitin 94 me 137 vota pro në OKB për Kosovën për vëtëvendosje.
Pra kthehemi të çështja, këta dolën me këto teza. Mediat dolën me teza të tjera, që Remzi Hoxha ka marrë pjesë në autobombën e Gligorovit.
Nëse ka marrë pjesë te autobomba atëherë atë e kanë zhdukur njëqind përqind shërbimet. Gligorovi në atë periudhë ka qënë personi më i ruajtur. Ka patur një sistem dhe shuma shumë të mëdha për sigurinë e tij sepse Maqedonia kishte një rol thelbësor në stabilitetin e saj. Nuk di të ketë marrë pjesë, unë nuk kisha asnjë të dhënë.
Të gjitha këto më kanë bërë mua të mendoj se kjo është një aferë e paimagjinueshme trillimesh. Pastaj u tha se ky paska tentuar një atentat ndaj meje. Kurr s’kisha dëgjuar, nuk më ka informuar as shërbimi dhe askush për një gjë të tillë. Një familje që ka humbur një njëri ka një hall, ka një gur varri në zemër, por një familje që këtë problem e nxjerr çdo herë në fushatë elektorale, mendoj se ka probleme shumë serioze vet. Cdo fushatë elektorale rikthehej tema. Një gjë është. Fatos Klosi ka ardhur pas Bashkim Gazidedes, por nuk ka bërë asnjë hetim për Remzi Hoxhën, ka bërë zero hetim. Dhe të gjithë të akuzuarit kanë qënë këtu, të cilët akuzoheshin se mund të jenë të përfshirë. Kjo është historia.
Një temë tjetër është embargoja e naftës me Serbinë.
Unë isha në atë kohë presidenti i vetëm që e kundërshtoja publikisht embragon. Pse? Per shkak të Kosovës, sepse Kosova ishte e vetmja që paguante faturën më të shtrenjtë të embargos. Asgjë s’paguante Beogradi, ishte një gënjeshtër. Anijet në Danub nga Rumania dhe vende të tjera ishin njëra pas tjetrës. Nëse unë do të kisha patur mundësi që nafta të shkonte direkt në Kosovë, unë do kisha organizuar fluksin më të madh të naftës drejt Kosovës. Kjo ishte e pamundur sepse doganën dhe kufirin e kontrollonte Serbia. 96% e naftës futej nga Danubi dhe vende të tjera në Serbi. Një përqindje e vogël shkonte nga Shkodra, nga Shqipëria. Ne në atë kohë nuk kishim mjete motorrike të forta për të kontrolluar në atë kohë liqenin, dhe kontrabandistët kishin prodhuar mjete që i fusnin nën ujë dhe i kalonin. Megjithatë ne i kapëm ata dhe i ndaluam. Kishte një kompani “Shqiponja” e lidhur me PD, sapo doli problemi unë i kërkova të shkrihej. Nuk është se e bënte kompania por kontrabandistët u thonin policëve se jemi të “Shqiponjës”. Dhe unë thirra shefin, Mitro Cela a s’mbaj mënd kush ishte dhe i them që kompaninë do ta shkrish se po përdoret në këtë mënyrë. Ky është një folklor i neveritshëm se gjoja Shqipëri ka furnizuar makineritë. Përkundrazi, Kosova e oërsoi më keq se çdo kush tjetër. Toka mbeti djerrë dhe fermerët e Kosovës nuk punonin dot tokën për shkak të çmimit të litrit të naftës.
A jeni penduar për zgjedhjet e vitit 1996?
Jo. Zgjedhjet e vitit 1996 kanë qenë një operacion i kryer nga jashtë kundër Shqipërisë. E kam thënë dhe e them: Ka qenë një diplomat amerikan i quajtur Richard Schifter i cili udhëhoqi Partinë Socialiste nga Athina për të bojkotuar zgjedhjet dy orë para dhe ne e kemi të regjistruar telefonatën e tij, sepse ai ishte në një armiqësi të egër me mua.
Zoti Berisha jeni prej të rrallëve që nuk heziton të lëshohesh edhe në debate deri në konflikte me zyrtarë amerikanë por ndërkohë raportet tuaja me Partinë Republikanë kanë qenë të shkëlqyera…
Jo edhe me një pjesë të Partisë Demokratike. Ai ka ai kur nga administrata se Bushi e kuptoi mirë se çfarë ishte ai, Clintoni e kuptoi me vonesë se çfarë ishte. Ai ishte një person i cili erdhi kur po bëhej procesi i minoritarëve grek dhe meqënëse lobi grek ishte i stërfuqishëm, ai duket mori përsipër se do ta ndërpresë procesin. Unë e njihja atë më parë, kisha pasur një marrëdhënie shumë të njerëzishme me të dhe më vjen në takim direkt. Më thotë kam ardhur për këtë proces, gjyqi ndërkohë vazhdonte. Kjo është një kërkesë staliniste i thash, unë kurrë nuk e shkoj në mend, unë jam president – unë kam të drejtat e mia për falje, por procesin nuk e ndërpres. Ai u mërzit shumë, filloi një betejë kthejë kundër meje. Dhe çfarë bëri? Çdo shqiptar që shkonte e merrte dhe përpiqej ta bënte të fliste kundër meje në zyra. Ky u mor me Partinë Socialiste, ky dha urdhër në Athinë, Gramoz Ruçit: Bojkotoni! Kjo është e regjistruar. Dhe bojkotuan zgjedhjet dy orë para mbylljes së kutive të votimit. Dhuna që u përdor të nesërmen ndaj opozitës, ajo ishte një keqardhje e madhe. Ndodhi në një kohë kur unë nuk mora vesh sepse gjatë asaj periudhe unë kisha një takim me një grup përfaqësuesish të Institutit Republikan dhe ministrat që po diskutonim për strategji. E mora vesh vetëm pasi njerëzit u goditën që ishte gjë shumë e gabuar.
Fred Abrams në një librat e tij lë të kuptohet që njëra prej arsyeje pse kanë eliminuar është për shkak të frikës që kanë pasur përballë Kosovës..
Fred Abrams është një spiun serb i përzënë nga unë në ’93-shin, bashkë me … si dy njerëz që erdhën të punonin për Beogradin në Tiranë. Dhe i them George Sorosit që këta ose i përzë ose po i përzëmë. Sorosi e filloi me këta. Nuk kam qenë kurrë i pezmatuar me Sorosin, se ai po i jepte miliona Partisë Socialiste, por kam qenë sepse ai punonte kundër qendrës së djathtë dhe Partisë Demokratike me të gjitha mjetet, dhe me këtë nuk jam pajtuar asnjëherë. Ai përbën një rrezik të vërtetë për demokracinë. Shumë të vogla i kam mundësitë por unë do bëj përpjekjet më të mëdha që qeveria amerikane të mbajë qëndrim ndaj atij njeriu. Sepse me paratë që ka ai mund të korruptojë cdo politikanë të korruptueshëm, ku të dojë në Ballkan edhe më gjerë, dhe kjo është shumë e papranueshme.
Çfarë i shkaktoi zoti Berisha trazirat në ’97-ën? Me kalimin e kohës, tashmë pas 20 vjetësh i sheh më me gjakftohtësi…
Trazirat ishin një sfond i skemave piramidale të cilat ishin përgjegjësi e imja dhe e qeverisë sime, kjo nuk kishte diskutim. Sepse i toleruam. Por ne i hodhëm në gjyq. Problemi ynë është se ne humbën gjyqin në Apel.
E korruptuan ata gjyqin?
Edhe mundet kjo. Por gjykatësit u ngritën fuqishëm se fajdet janë të lejuara në Kodin Civil. Ne nuk kishim mekanizimin e kontrollit të tregut financiar jo bankar. Zero. Ne nuk kishim njohuritë mbi skemat piramidale. Skemën e parë piramidale në Shqipëri e solli në ’91-shin Ajdin Sejdia dhe pastaj filluan të tjerët. Ne nuk kishim as konceptet e funksionimit të tyre, kështu që ata e fituan gjyqin. Dikush i potencoi ata. Unë kërkoja nga FMN-ja dhe Banka Botërore ndihmë, dhe ata më thanë që e rëndësishme është që të mos implikohen institucionet shtetërore, se kështu le të jenë pasi janë korelare të ekonomive që rriten shpejt, dhe më thanë që i ka edhe Izraeli, etj.
Zoti Berisha edhe kundërshtarët e pranojnë se ju i kuptoni shpejt situatat…A e dinit se diçka nuk ishte në rregull? A kishte të afërm tuaj që kishin vënë lekë në këto skema?
E dija 100 % që nuk ishte në rregull. Të afërm të mi nuk di të kishin vënë. Në bisedë private po të tregoj një rast. Thirra një person për ta mbajtur këshilltar, i thash ti nuk besoj të jesh i përfshirë në këto skema. Jo tha mi çoi gruaja paratë. Ato ishin shumë të përhapura. Ishte një histeri e paimagjinueshme e njerëzve se do të bëheshin të pasur nëpërmjet një mekanizmi që askush nuk e dinte.
A u futën edhe interesat e huaja më tej?
U futën shërbimet e huaja intensive, u futën armë nga jashtë, u liruan nga burgjet njerëz të dënuar 100 vite, dhe erdhën të gatshëm ish-komunistët për të rrëmbyer armë dhe u organizua rebelimi. Kundër kësaj u morën këto masa: E para u përcaktuan zgjedhjet si rrugëzgjidhje, e dyta u hapën depot e armëve. Ata thyen depot në jug në dy vende, ne pastaj hapëm depot në të gjithë vendin. Dy ishin synimet: Krijimi i ekuilibrave dhe mundësia për Kosovën sepse mendonim që ato ti infiltronim sa më shumë në Kosovë.
Po atëherë shteti dështoi..
Pa diskutim, ra shteti për nuk ranë mekanizmat anti-krizë, pasi u bënë zgjedhjet. Unë u them bashkëpunëtorëve të mi: Përderisa socialistët kanë bindur një pjesë të shqiptarëve se qeveria ka marrë paratë e tyre ne duhet të largohemi nga pushteti, të hetohemi dhe nëse faktohet diçka e tillë, Partia Demokratike duhet të shkrihet.
A ishin demokratike zgjedhjet që u zhvilluan?
Jo, ato ishin zgjedhje për të dorëzuar pushtetin. I fitoi Partia Socialiste, ishte marrëveshje politike. Por ama në fushatë, Fatos Nano u tha shqiptarëve se “unë do tu jap çdo qindarkë”. Unë dola dhe u thash shqiptarëve, “një borxh që nuk është marrë nuk njihet kurrë”. Nuk jap asnjë qindarkë. Dhe unë mund t’i jepja po të doja. Sa për dijeni po të mos ishte ky standard moral unë absolutisht një më një i ktheja paratë. Por po ta bëjë do të thotë të merrja taksat e atij që nuk kishte vënë asnjë lekë në piramida dhe t’ia jepja atij që kishte luajtur bixhoz në piramida. Unë njoha përgjegjësinë. Dhe në fund në vitin 2001 shqiptarët votuan mua me shumicë.
Cili është ai veprim për të cilin jeni penduar në këtë periudhë?
Pendimi im është ky: Pasi humbën në Gjykatën e Apelit dhe fituan kompanitë po të kishim pasur njohuritë do të kishim hetuar nëpërmjet parlamentit, sepse nuk kishte kontroll ndaj tyre. Sepse në fund ne krijuam një komision parlamentar me ligj të veçantë dhe nisëm t’i rrëzojmë njëra pas tjetrën. Të ishte bërë në ’94-ën kjo, Shqipëria nuk do të kishte pasur ’97.
Arrestimi i Fatos Nanos a ka qenë i duhur në atë kohë zoti Berisha?
E arrestuan socialistët. Dosja e Fatos Nanos nga faqja e parë deri tek faqja e fundit është e hartuar nga qeveria e Partisë Socialiste. Cilido mund të shkojë ta lexojë. Po, u arrestua në kohën time, mbi bazën e asaj dosje dhe asnjë akuze tjetër. Unë e quaj një gabim arrestimin në avancë. Të vendoste gjykata, por paraburgim nuk duhej të mbahej. Mu duk në atë kohë se ata që u bënë kaq aktiv në këtë proces ishin frikacakë, e bënë nga frika. Nuk ishte një veprim që duhej bërë. Kishin frikë, sepse forcat demokratike erdhën në pushtet në një kohë kur kishin kundër të gjitha institucionet e sistemit të vjetër të cilat çdo ditë bënin gjithçka për përmbysjen e tyre.
(d.b/Shqiptarja.com)