Sali Berisha është duke shtrënguar dhëmbët, jo aq nga Edi Rama, se sa nga Lulzim Basha dhe Ilir Meta. Të dy  “pasardhësit” e tij,  që mund ta rikthejnë në pushtet, kanë 24 orë që tallen me të, duke u marrë me marrëveshjen e detit të 2009, të cilën e kanë votuar të tre, por që dy prej tyre tani e mohojnë dhe e quajnë tradhti.

I vetmi që e ka mbrojtur vazhdimisht këtë marrëveshje është Sali Berisha. Ai edhe kur e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese, vazhdoi ta mbrojë dhe i ka bërë thirrje Qeverisë “Rama” ta riaktivizojë, pasi është “marrëveshje e drejtë”.

Berisha ka shkuar dhe më tej, duke deklaruar se ajo u hodh poshtë nga ndikimi i një vendi anëtar të NATO-s, jo fqinj me ne, duke lënë të nënkuptojë Turqinë, por dhe SHBA.

Pas daljes së kabllogrameve në Wikileaks, u pa qartë që dhe SHBA  e kishte ndjekur me shqetësim situatën.

Tani pas 11 vitesh, halli i Berishës nuk është Greqia, që ka njohur vendimin e Gjykatës dhe do të rihapen negociatat, apo Edi Rama që do negociojë, por Lulzim Basha dhe Ilir Meta, që e trajtojnë atë që kanë bërë bashkë me Berishën, si një kopil që i duhet lënë në prehër Berishës, e jo atyre.

Ata të dy kanë 24 orë që njëri mbron vendimin e Gjykatës Kushtetuese, inicuar nga Edi Rama, që hodhi poshtë marrëveshjen, tjetri, që ka firmosur marrëveshjen me Bakojanis, motrën e Micotaqisit të sotëm, e quan marrëveshjen tradhti dhe kërkon transparencë.

Të dy po e trajtojnë Berishën si përgjegjës për marrëveshjen e parë, me shpresë mos kapin ndonjë votë nga marrëveshja e dytë. Dhe për këtë nuk kanë lënë debil pa aktivizuar të shkruajë broçkulla, përfshi dhe ata që i  paguan Shkëlzeni në borderot e televizionit të vet, vetëm e vetëm që të duken sikur nuk janë ata që votuan një herë marrëveshjen e Berishës.

Duhet të jetë shumë e dhimbshme të shikosh fëmijët e tu biologjik dhe politikë, se si të flakin si mish për qentë, vetëm që të vazhdojnë më tej rrugën drejt pushtetit.

Për ata që nuk e mbajnë mend historinë dhe e dëgjojnë sot për herë të pare, duket sikur më 2009 Berisha ka shitur detin, por Meta, Basha dhe Shkëlzeni s’kanë ditur gjë. Ky i fundit dhe mund të mos ta ketë ditur, se shiste fishekë në atë kohë, por këta të dy të tjerët e kanë votuar vetë.

Ai po hesht, jo se ka frikë të mbrojë marrëveshjen që ka firmosur, se aq burrëri e ka pasur dhe e ka mbrojtur edhe më vonë, por nuk do të bjerë në sy që po e e trajtojnë si “kokë turku” në këtë histori.

Dhe duhet të jetë, ose një i dëshpëruar i madh, ose një plak pervers, që t’i lejojë me vetëdije ta pështyjnë për atë që ka bërë, me shpresë se ashtu i ndihmon të ecin drejt pushtetit.

Është e vetmja mënyrë t’i ndihmojë të duken ndryshe nga ai, duke pranuar të nxijë vetveten, që ata të duken më të bardhë.