Nuk do të ketë asnjë çudi nëse Berisha ja del në sipërmarrjen e tij të marrë PD. Një dorë militantësh të cilët janë gjithmonë besnikë nuk është çudi ti kesh dhe me këta të vendosësh fatet e një partie. Kur mendon që ende ka simpatizantë të Zogut dhe Enver Hoxhës, nuk ka pse mos të ndodhë me Berishën i cili është ende gjallë.
Por rikthimi i Berishës në krye të PD prish një stimul i cili është në ADN-në e çdo partie që synon shtrirje kombëtare dhe mundesi karriere: Pamundësinë të konkurosh për kryetar të saj.
Pakkush dyshonte se PD ishte parti e Berishës. Kjo u vendos që në kohën e mocionistëve. Kush erdhi pas tyre dhe u përpoq, nuk kishte potencialin ta sfidonte. Mandej, diku me forcën e votës, të personalitetit dhe jo rrallë të dhunës, Sali Berisha u konstatua si kryetar i PD-së. E megjithatë partia e ruajti shtrirjen dhe përfshirjen kombëtare. Njerëzit mendonin se me tërheqjen e tij, partia do krijonte mundësinë e garimit dhe frymëmarrje. Kjo shpresë u topit në 2013-ën kur Berisha pilotoi në krye Bashën. E megjithatë mendohej se me kalimin e viteve Berisha do tërhiqej ose Basha do fitonte terren në PD dhe të vriste atin e tij politik duke hapur mundësinë e karrierës. Rishtas nuk ndodhi. Basha afroi rreth vetes njerëz që i rrinin mirë atij vetë por jo ata lloj bashkëpunëtorësh ku secili prej tyre ka një lidership të lindur dhe të gjithë së bashku bëjnë masën kritike për të fituar. Ishin teknicienë, burokratë, të njohur personalë të Bashës, por asnjeri prej tyre me gen politikani.
Kjo solli që në një përplasje ballore Berisha ti shpartallonte.
Sot jemi në një situatë kur ndjekësit e Bashës kanë shpresën në një vendim gjykate ndërsa Berisha e ka marrë partinë në bazë. Vetëm se kjo është një fitore si e Piros.
Tani askush nuk ka dyshim se PD është parti familjare. Ajo është parti e Berishës dhe pas tij do ti mbesë familjes së tij. Është një lloj LSI-je blu ku të gjithë janë punonjës së familjes Berisha. Dhe si e tillë asnjëherë nuk do të vijë në pushtet sa të jetë gjallë Berisha. Një parti ku konkurenca do të jetë se kush është ushtari apo oficeri më besnik. Duke shkuar kështu drejt atrofizimit.
Berisha vërtet mori PD-në por në fakt ajo është një karkasë pa shpirt. Në përbërje të saj janë të gjithë ish-politikanë që nuk kanë çfarë thonë më, që nuk kanë ide dhe që nostalgjia për pushtetin i mban të bashkuar, në një anije që fut ujë nga të gjitha anët e cila nuk ka timon dhe kapiteni i saj tashmë as e ka idenë në cilat dete lundron dhe asnjë port nuk e pranon. E gjitha kjo deri në momentin kur të gjithë do ta kuptojnë se zgjidhja më e mënçur është që të hidhen nga anija dhe secili për hesap të vet të notojë për të dalë në breg ku askush nuk i pret por të paktën nuk do mbyten bashkë me dikë që është i mbytur por nuk e di.