Sali Berisha dështon në rrethimin e parë të Partisë Demokratike. Varetë, shkallët, levat, çekiçët, trapanët dhe mjetet e tjera të 'arsenalit të pushtimit' e ndihmuan Ish-Kryeministrin të merrte vetëm katin e parë të godinës, ndërkohë që Lulzim Basha qëndronte i paprekur në 'fronin' kaq të lakmuar të 'Kështjellës' blu në katin e dytë.

Dhuna nisi më herët seç ishte parashikuar. Viktima e parë e militantëve të Berishës ishte anëtari i Kryesisë së PD, Roland Bejko, të cilin turma e inatosur e rrethoi dhe jo pak e shtynë, teksa njëri tentoi ta godiste me çadër.

Të 'armatosur' me mllef protestuesit nuk pritën orën 12:00, kur ishte parashikuar nisja e protestës, por nisën mësymjen një orë përpara, duke shqyer derën kryesore dhe thyer xhama. Ata morën katin e parë të godinës, ndërkohë që kanë tentuar herë pas herë të shkonin edhe në katin e dytë. Lart edhe kreu i PD kishte marrë masat. Lulzim Basha i rrethuar nga drejtues të forcës së tij politike, e kishte rrethuar veten edhe më mbështetës, të aftë për ta mbrojtur edhe nga sulmi fizik.

Situata u tensionua edhe më shumë kur 3 persona u ngjitën në katin e dytë me shkallë, por hasën në kundërpërgjigjen e menjëhershme të njerëzve të Lulzim Bashës. Kjo krijoi një përplasje me grushte e shkelma. 2 prej sulmuesve ranë nga shkallët, njëri mbeti i lënduar në kokë. Fatmirësisht askush nuk pati dëmtime serioze për jetën.

I menjëhershëm ishte reagimi i ambasadës amerikane, e cila ia kujtoi qartë Sali Berishës se do të mbajë përgjegjësi për dhunën që nxit. 'Nxitimi' i mbështetësve të tij por edhe mesazhi i SHBA-ve e detyruan ish-Kryeministrin që ta linte më shpejt shtëpinë e tij private dhe të nisej drejt asaj që ai i thotë 'shtëpia e demokratëve'.

Berisha tha se dhunë nuk ka, dera u hap vetë dhe se ai s'ka ç'ti bëjë të gjithëve atyre që sipas tij ishin mbledhur me mijëra dhe do të çlironin shtëpinë e tyre.  Apelit të amerikanëve më pas iu shtua edhe ai i delegacionit të Bashkimit Evropian, OSBE-së, ambasadës britanike apo asaj italiane në vendin tonë. 

Teksa dhuna po intensifikohej dhe rreziku edhe për jetën po shtohej, Lulzim Basha ka kërkuar ndihmën e policisë 2 orë pasi nisi sulmi i parë. Uniformat blu i janë përgjigjur menjëherë duke marrë në kontroll situatën. Policia ka hedhur gaz lotsjellës dhe ka shpërndarë protestuesit. Fillimisht Berisha me një maskë antigaz u 'strehua' në zyrat e FRPD, pastaj ndoqi edhe ai militantët e tij të shpërndarë brigjeve të Lanës. Pas disa sorollatjeve dhe një tjetër tentative të dështuar për të shkuar sërish në PD, Berisha u dorëzua.  Ai njoftoi tërheqjen nga rrethimi i parë edhe pse tha se në të dytin do të kthehet edhe më i fuqishëm.

Sonte 'shtëpia e demokratëve' nuk është shtëpi as e demokratëve të Bashës e as e atyre të Berishës. Ajo tashmë është vendngjarje, një skenë krimi, objekt i policisë dhe prokurorisë për të mbledhur provat dhe për të hetuar përgjegjësit e krijimit të kësaj situatë të rëndë për demokracinë dhe imazhin e vendit.  

 

Video e plotë e protestës së Berishës

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:41
Berisha: Rruga që kemi për të bërë s'është e lehtë, kërkon sakrificë! Ju garantoj një rrugë të suksesshme e fitimtare

 

Në deklaratën e tj të fundit në protestën e dhunshme që thirri sot, Sali Berisha i kërkoi militantëve të tij sakrifica ' në rrugën që kemi për të bërë'. Ai tha se protestat nuk do të ndalen dhe se qëllimi është rikthimi i PD në pushtet me votën e lirë.

"Sot gjithçka doli e qartë si në dritën e diellit. Kjo betejë tregon për të gjithë se rruga që kemi për të bërë nuk është e lehë, ajo kalon përmes sakrificave, një vendosmërie, pro ju garantoj që është një rrugë e suksesshme dhe fitimtare. Sot ne dëshmuam se jemi opozita e vërtetë e këtij kombi. Ky është një revolucion i pandalshëm, ndalet vetëm me përmbysjen e narkoshtetit, synon rikthimin në pushtet nëpërmjet votës së lirë të PD. Në 3 muaj kohë, ne rikthyem votën e lirë në zemrat tona, në PD. Tani mendojnë se mund ta mbajë të mbyllur në bunker Edi Rama, Lulzim Bashën, kurrë! Le të shpërndahemi për t'u rikthyer në betejën tjetër edhe më të fuqishme se kjo", tha Berisha.

Ora 14:24
Berisha shpërndan protestuesit: Do të vazhdojmë deri sa ta çlirojmë shtëpinë tonë

 

Sali Berisha i ka dhënë fund protestës duke paralajmëruar tentativa edhe më të fuqishme në të ardhmen për të marrë godinën.

"Përpjekjet për të çliruar shtëpinë e lirisë do të vazhdojë deri në arritjen e qëllimit. Sot do të shpërndahemi, do të kujdesemi për të arrestuarit dhe të plagosurit. Do të njoftojmë shumë shpejt betejë tjetër, e cila nuk ndalet kurrë. Kjo betejë dëshmon edhe një herë se sa jetike është përpjekja jonë për ta bërë Shqipërinë me demokraci të vërtetë. Ta mbyllim sot këtu për ta vazhduar në forma edhe më të fuqishme se sot", tha Berisha.

Ora 14:22
I pranishëm në protestën e dhunshme të Berishës, shoqërohet Stresi: Nuk kam gjuajtur një gurë, s'keni të drejtë

Postimi i Stresit

Rreperi i njohur Stresi është shoqëruar nga policia, pasi ishte i pranishëm në protestën e dhunshme të Sali Berishës. Me një story në Instagram, Stresi thotë se ai nuk ka bërë asgjë dhe se shoqërimi i tij nuk është i drejtë.

"Nëse kam gjuajtur një gurë, keni të drejtë të veproni, por jo kot. Unë duhet të shoqërohem gjithmonë pa bërë gjë??", shkruan ai.

 

Ora 13:55
Protestuesit e Berishës përplasen sërish me policinë, hidhet gaz lotsjellës

 

Teksa ishin duke u zhvendosur sërish drejt Partisë Demokratike Protestuesit e Berishës janë përplasen sërish me policinë, e cila ka hedhur gaz lotsjellës.

Ora 13:44
Berisha: Kjo që ndodhi sot është vetëm faqja e parë e historisë! Nuk ndalemi

Sali Berisha ka premtuar që kjo që ndodhi sot është vetëm faqja e parë e historisë së protestës.

"Unë garantoj shqiptarët se jemi dhe do të mbetemi të pamposhtur në vlerat. Nuk kishte asnjë rrezik për deputetët.  Kjo që patë sot është vetëm faqja e parë e protestës, e historisë. Ata që mendojnë se do të mbajnë pengje për të shtypur vullnetin e qytetarëve gabojnë rëndë.

Sot bota pa fytyrën e vërtetë të Lul pengut që sot u mbrojt me të gjithë egërsinë e narkobanditëve të Edi Ramës. Shoqëria shqiptare meriton votën e lirë dhe një qeveri të dalë nga vota e lirë. Shoqëria shqiptare do të cclirohet nga narko-shteti", tha Berisha.

Ora 13:41
Pas ndërhyrjes së Policisë, Berisha dhe militantët e tij largohen nga selia e PD, zhvendosen para kryeministrisë

1641645507_KR.jpg

Policia e Shtetit mundi të largojë militantët e Berishës nga selia e PD-së. Të udhëhequr nga Sali Berisha ata janë zhvendosur para kryeministrisë.

Ora 13:36
Godina e PD, skenë krimi! Policia largon mediat dhe i vendos shiritin e verdhë

 

Pas ka shpërndarë protestuesit dhe ka marrë në kontroll situatën, policia e ka rrethuar godinën e Partisë Demokratike me shirit të verdhë 'skenë krimi'.

 

Ora 13:27
Pas ikjes nga selia, protestuesit e Berishës në Lanë! Policia fillon t'i shpërndajë

 

 

Policia po shpërndan protestuesit e Berishës edhe nga Lana ku ishin vendosur pasi ikën nga gazi lotsjellës që u hodh në Selinë e PD.

Ora 13:23
Berisha del nga zyrat e FRPD, largohet nga selia blu, i bashkohet protestuesve jashtë

1641644110_BERISHA.jpg

Sali Berisha ka dalë nga zyrat e FRPD ku qëndroi ndërkohë që situata ishte e tensionuar. Ai është larguar nga ambiente e selisë së PD, ndërsa i është bashkuar protestuesve në Bulevardin Zhan D'Ark.

Ora 13:19
Policia merr kontrollin e selisë së PD, njerëzit e Bashës mbikëqyrin situatën nga tarraca

 

Selia e Partisë Demokratike është marrë nën kontroll nga Policia e Shtetit ndërohë që protestuesit janë shpërndarë, njerëzit e Lulzim Bashës janë pozicionuar mbi tarracën e selisë duke vëzhguar situatën.

Ora 13:18
Policia i shpërndau me gaz lotsjellës, militantët e Berishës shtrihen në Lanë

Pas ndëryrjes së Policisë në selinë e Partisë Demokratike duke shpërndarë protestuesit me gazlotsjellës, militantët e Berishës kanë gjetur ‘strehë’ në lumin e Lanës.

Ora 13:09
Policia futet në katin e parë të selisë së PD-së, shoqërohet një person! Ambulanca merr një të grua pasi ndjehet keq

Forcat e Policisë ndodhen tashëm në katin e parë të selisë së PD-së, për të shmangur dhunën në protestën e thirrur nga Sali Berisha, ndërsa është shoqëruar një person. Ndërkohë një grua, e pranishme në protestë është marrë nga ambulanca pasi është ndjerë keq.

Ora 12:37
FOTO/ I dështojnë levat dhe shkopinjtë, militantët e PD marrin varenë për të shpartalluar derën e blinduar në selinë e PD

 

Pasi e goditën për minuta të tërë me leva e shkopinj, militantët e Berishës kanë marrë vare për të shkallmuar derën e blinduar e për t'u futur në selinë e PD.

Ora 12:24
Po futej në katin e dytë të PD, lëndohet një militant: Më dhunuoi policia e Lulzim Bashës! Berisha thirrje kreut të PD: Hiq dorë nga dhuna

 

Një person ka mbetur i plagosur në Partinë Demokratike. Ai është goditur nga brenda godinës me sende të forta teksa po futej në katin e dytë. Ai ka qenë duke tentuar të futet në katin e dytë të godinës me disa të tjerë. 

Nga brenda godinës i kanë shtyrë dhe njëri prej tyre është lënduar. Ai është afruar pranë Berishës dhe i ka thënë që e ka rrahur policia e Lulzim Bashës. Ish-Kryeministri tha se i bën thirrje Bashës që të tërhiqet nga dhuna. 

Ora 12:24
Dhuna në protestë, PD: Berisha i njëjtë me Ramën e 21 janarit! I braktisur nga demokratët, mblodhi më pak se 800 mercenarë

Paria Demokratike ka reaguar nëpërmjet një deklarate në lidhje me dhunën në protestën e thirrur nga Sali Berisha. Në reagim, Berisha krahasohet me 'Ramën e 21 janarit', ndërsa thuhet se ai po tento të marrë me dhunë selinë e PD me një grusht njerëzish.

Sipas PD, Berisha është braktisur nga demokratët dhe se mundi të mbledhë as 800 mercenarë.

"Për të ardhur keq ku përfundoi Sali Berisha, i njëjtë me Edi Ramën e 21 Janarit! Me një grusht njerëzish kërkon të marrë me dhunë Partinë Demokratike për ta kthyer në një bunker, ku të strehojë veten dhe familjen kundër interesit të demokratëve dhe të shqiptarëve! Ka një lajm të mirë në këtë fatkeqësi për Sali Berishën: Ai është i braktisur nga demokratët. Janë më pak se 800 mercenarë në oborrin e PD, që ushtrojnë dhunë në këtë përpjekje të turpshme kundër demokratëve. Aktet e dhunës së sotme kundër Partisë Demokratike shënojnë izolimin final të Sali Berishës dhe largimin me turp nga skena politike", thuhet në reagim.

Ora 12:23
Hidhet gaz lotsjellës në katin e parë të selisë së PD

 

Gaz lotsjellës i është hedhur militantëve të Sali Berishës në katin e parë të selisë së PD-së. Gazi është hedhur nga disa vrima të hapura në dyert e blinduara, të cilat militantët e Berishës tentuan t'i hapin me dhunë.

Ora 12:19
Mbështetësit e Berishës shqyejnë derën nga futen deputetët demokrat

1641640843_1641640524dyert.jpg

Mbështetësit e Berishës që po protestojnë përpara selisë së PD-së kanë arritur të shqyejnë derën nga e cila futen deputetët, por janë përballur me një derë të blinduar të cilën po përpiqen ta hapin.

Ora 12:18
Plan i mirëorganizuar për të pushtuar PD, Berisha: Dera u hap vetë! Jemi më të vendosur se kurrë

1641640689_Screenshot1.jpg

Sali Berisha ka ardhur me plan të mirëorganizuar për të pushtuar PD. Berisha duke qeshur tha se dera u hap vetë si 'hapu Suzam'.

"Referendarë të lirisë që janë sot më të vendosur se kurrë. Dyert e shtëpisë nuk mbyllën kurrë. Lulzim pengu apo Bash Brava i ka zaptuar këto zyra", tha Berisha.

Ora 12:12
Video/ Report TV sjellë pamjet me dron, militantët e Berishës rrethojnë selinë e PD

Rport Tv sjellë pamje me dron nga selia e PD, duke treguar qartësisht atë që po ndodh në protestën e dhunshme të thirrur nga Sali Berisha . Sikurse mund të shihet edhe nga pamjet, militantët e Berishës kanë rrethuar thuajse të gjithë godinën, ndërsa një pjesë e tyre janë edhe në Bulevardin 'Zhan D'Ark'. Ata kanë thyer dyert e selisë së PD, duke u futur në kati e parë të godinës.

Ora 12:11
Basha është në mbledhje? Berisha: Është i rrethuar nga gardistët e Ramës, i pajisur me kundragaz

1641638052_berisha.jpg

Për Sali Berishën Lulzim Basha nuk po zhvillon mbledhje lart. Sipas tij Basha është i rrethuar nga gardisët e Ramës me kundragaz.

Ora 12:04
Me trapan e çekiç, militantët e Berishës mundohen të hapin derën e blinduar për t'u ngjitur në katin e dytë të selis së PD

 

Militantët e Berishës po tentojnë të hapin me trapan e çekiç derën e blinduar që të çon në katin e dytë të selisë së  PD. Pasi kanë shqyer dyert e tjera, ata synojnë të futen në të gjitha ambientet e selisë.

Ora 12:02
Basha zhvillon mbledhje në seli, mbështetësit e Berishës marrin shkallë për tu ngjitur në katin e dytë

 

Militantët e Berishës me shkallë në duar për tu ngjitur në katin e dytë sepse ka një derë të blinduar që u pengon hyrjen.

Ora 11:57
'Pushtimi i PD', Albana Vokshi: Basha të largohet i qetë, demokratët po futen në shtëpinë e tyre

 

Për mbështësen e Sali Berisha  Albana Vokshi demokratët që kanë hyrë në PD janë duke hyrë në shtëpinë e tyre dhe Lulzim Basha duhet të largohet.

"Po futen në shtëpinë e tyre, Lulzim Basha të dalë dhe t'ia lërë demokratëve. Ky është turpi i Lulzim Bashës", tha Albana Vokshi.

Ora 11:50
Mbështetësit thyejnë edhe dyert e zyrave të FRPD, futen brenda: Basha të iki nga ka ardhur

Militantët e Sali Berishës kanë thyer ehe dyert e zyrave të Forumit Rinor të PD, duke arritur të futen brenda.

"Lulzim Basha të iki nga ka ardhur, shtëpia e demokratëve është e jona", thotë njëri prej protestuesve.

Ora 11:40
Militantët e Berishës brenda selisë së PD, thyejnë çfarë u del përpara, hapin me dhunë një tjetër derë në godinë! Thyejnë e bllokojnë duke i lyer me sprite kamerat e sigurisë

Pasi u futën me dhunë në kati e parë të selisë së PD, duke shqyer derën kryesore, militantët e Berishës nuk ndalen duke thyer çfarë gjejnë përpara në godinë. Ata kanë mundur të hapin me dhunë një tjetër derë në katin e parë të godinës. Po ashtu ata kanë thyer e kanë bllokuar duke i lyer me sprite edhe kamerat e sigurisë të vendosura në murin e jashtëm të selisë.

1641639571_a2.jpeg

Ora 11:37
Militantët e tij shqyejnë derën e selisë së PD, Berisha shkon para kohe në protestë: Kanë hyrë në shtëpinë e tyre, s'ka njeri të drejtë ta mbylli

Ndonëse protesta ishte planifikuar të niste në orën 12:00, militantët e Sali Berishës nuk kanë pritur këtë të fundit, por kanë shqyer derën e selisë duke u futur. Për Berishën ata janë futur në shtëpinë e tyre.

"Sot do e shndërrojnë bunkerin e Bashës në shtëpinë e lirisë, të ruajnë gjakftohtësinë të vetëpërmbahen për arritjen e qëllimeve tona. Basha është i shkarkuar. Unë kërkoj vetëpërmbajtje. Nëse ndërhyn policia, ndërhyn Edi Rama. Në shtëpinë e tyre kanë hyrë. Nuk ka të drejtë njeri të mbyllë derën e shtëpisë", tha ai.

Ora 11:37
Militantët e tij dhunuan Roland Bejkon, Berisha justifikohet: Nuk e kam parë skenën

Në një akt të rëndë, militantët e Sali Berishës sulmuan sot Roland Bejkon, duke e goditur atë nga pas, ndërsa nuk e lejuan të futej në selinë e PD. Megjithatë Berisha justifikohet se nuk ka parë skenën.

"Nuk e kam parë skenën por ne jemi lëvizje paqësore, jemi lëvizje paqësore", tha ai.

Ora 11:35
Protesta e thirrur nga Berisha, vendosen tela me gjemba në murin lidhës mes parlamentit dhe PD

 

Për shkak të protestës së thirrur nga Sali Berisha, Report Tv sjell pamje ku duket se muri lidhës i parlamentit dhe Partisë Demokratike është rrethuar me tela me gjemba. Kjo për të shmangur kapërcimin e protestuesve nga ana Kuvendit për t’u futur në selinë blu.

Ora 11:32
Militantantët 'pushtojnë' PD-në, thyejnë xhamat: O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do

 

" O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do". Me këto thirrje militantët e Berishës kanë pushtuar Partinjë Demokratike dhe po thyejnë xhamat.

Ora 11:28
Militantët e Berishës shqyejnë derën Kryesore të Selisë blu (VIDEO)

 

Militantët e Berishës shqyejnë derën Kryesore të Selisë blu dhe futen në katin e parë të godinës.

Ora 11:11
Sulmi ndaj Roland Bejkos, Baze: U bë me urdhër të Berishës, për të bërë shembull ata që e kanë sulmuar

1641636759_1641635310Screenshot2.jpg

Gazetari Mero Baze ka komentuar përplasjen e mbështetësve të Berishës me sekretarin për pushtetin vendor të PD-së, Roland Bejkon.

“Sulmi ndaj Roland Bejkos, student i Dhjetorit dhe anëtarë i Kryesisë së PD është sulm në emër të Sali Berishës. Ai do të bëjë shembull dhune këdo që e ka sulmuar publikisht. I pandehuri i parë i këtij sulmi duhet të jetë Sali Berisha. Të tjerët është lehët të gjenden”, shkruan Baze.

Ora 11:11
Militantët e Berishës sulmuan Roland Bejkon, reagon PD: E papranueshme, kjo është fytyra e Sali Berishës që frymëzon dhunë

Partia Demokratike ka reaguar pasi militantët e Sali Berishës sulmuan Roland Bejkon. Nëpërmjet një reagimi, PD e konsideron sulmin të papranueshëm, teksa thuhet se kjo është fytyra e vërtetët e Berishës që frymëzon dhunë.

"Dhuna e mercenarëve të Sali Berishës ndaj anëtarit të Kryesisë qendrore të PD Roland Bejko, është fytyra e Sali Berishës, që frymëzon dhunë, ushtron dhunë dhe pengon një sekretar të PD të vijë në seli në një mbledhje pune. E papranueshme që dhunohet një demokrat i orëve të para, një demokrat i ndershëm me kontribute 30 vjeçare në këtë parti. Roland Bejko u dhunua sot vetëm se mendon ndryshe nga Sali Berisha, vetëm se nuk i shërben interesit të Sali Berishës, vetëm se ka vendosur ti shërbejë interesit të demokratëve dhe PD", thuhet në reagim.

Ora 11:10
Protesta e Berishës, FNSH në gatishmëri edhe para Ministrisë së Brendshme dhe parlamentit

Policia e Shtetit ka marrë masa paraprake sa i përket protestës së thirrur nga Sali Berisha, ndërsa Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë vendosur në gatishmëri edhe përpara Ministrisë së Brendshme dhe Parlamentit.

Ora 11:09
Nis me dhunë protesta e Berishës, reagon Alibeaj: Sali Berisha do gjak, vetë është fshehur

1639571074_ALIBEAJ.jpg

Pas dhunimit të Roland Bejkos, Sekretar për Pushtetin Vendor nga mbështetësit e Sali Berishës, ka ardhur edhe reagimi i parë nga PD.

Nënkryetari Enkelejd Alibeaj shprehet se Berisha do gjak ndërsa vetë është fshehur.

"Sali Berisha do dhunë dhe gjak. Nxit demokratët të përplasen me njëri-tjetrin dhe vete është fshehur. Turp! Kjo është fytyra e vërtetë e Sali Berishës. Të dhunojë këdo që nuk mendon si ai", shkruan ai në Twitter.

Ora 10:48
VIDEO /'Jashtë, spiun', militantët e Berishës ofendojë dhe përplasen me Bejkon, largohet nga selia: Produkt i Berishës, më goditën njerëz që i kam mbajtur me bukë

Mbështetësi e Berishës e kanë pritur me ofendime Ronald Bejkon, duke e mos e lejuar të futet në selinë blu. Ata i bërtasin 'jashtë spiun', ndërsa Bejko është larguar duke dalë edhe nga rrethimi i oborrit të selisë.

Për mediat ai tha se është goditur nga pas nga persona që i ka mbajtur me bukë, ndërsa akuzoi Sali Berishën si fajtorë të situatës së krijuar. Sipas Bejkos, këto veprime ndaj tij janë bërë vetëm nga Enver Hoxha gjatë protestës ku ai ka qenë i pranishëm në Gjirokastër në 1991.

"Në shkurt të 1991 ishim duke organizuar protestën kundër Enver Hoxhës, aty na ka ardhur turma e Enveristëve na ka shkelu me këmbë. Ne luftuam për demokraci dhe shikoni si manifestohet sot nga këta. Sot marrim këta shembuj, ky është produkt i Sali Berishës dhe paaftësi e elitës së PD që e kanë lënë partinë në këtë pikë. Erdha për t'u futur në seli dhe u ndesha me këtë reagim. I them Berishës të mbajë njerëzit në kontroll sepse këtë që më bënë mua këta sot, na e ka bërë vetëm Enver Hoxha në 1991 në Gjirokastër. Këtë e bëjnë sot këta që unë kam ftuar 30 vite për demokraci. Nuk kanë faj këta, faj ka ai që i ka sjellë këtu që të vriten demokratët. Të arrijnë sot njerëz që i kë dhënë bukë të të qëllojnë nga mbrapa. Kjo është bërë vetëm për interes të Berishës. Unë e kam mbështetur Berishën nga ‘97 në 2013, ka një moment që boll është boll.", tha Bejko.

 

Ora 10:44
Spartak Braho tha se do vritet një deputet, Alibeajn e merr në mbrojtje Garda! Grida e 'armatosur' me 3 roje

1641633984_BX.jpeg

Spartak Braho tronditi me një deklaratë dje kur tha se një deputet do të vritet në protestën e Berishës për të marrë PD-në. Braho përmendi inicialet E.A, që sipas tij duhej të bënte kujdes për jetën e tij pasi ka informacione që do të tentohej të eliminohej.

Kjo ka bërë që Garda e Republikës ta marrë në mbrojtje deputetin Enkelejd Alibajn, duke i dhënë 2 shoqërues për ta mbrojtur.

Ndërkohë që në hyrje të Selisë blu është parë edhe deputetja Grida Duma e cila është parë me 3 shoqërues në automjetin e saj.

Ora 10:29
Protesta e Berishës, vendosen bokse të mëdha në tarracën e selisë së PD, për çfarë do të shërbejnë?

 

Teksa kanë mbetur edhe pak orë nga nisja e protestës së Sali Berishës, në tarracën e selisë së PD janë vendosur disa bokse. Bokset mund të jenë vendosur për t'u bërë thirrje protestuesve që të shmangin veprimet e dhunshme në rast agravimi të situatës.

Ora 10:28
Edhe RENEA në gatishmëri pranë PD-së (VIDEO)

Situata në Partinë Demokratike duket e tensionuar. Përveç forcave të rendit dhe FNSH, janë parë rreth selisë blu edhe automjete të forcave RENEA. 

Ora 10:18
Basha në seli, batuta me gazetarët: Vallen e Osman Takës do e kërcejmë më vonë

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka shkuar në selinë e PD që prej orës 08:30 të mëngjesit të sotëm, ku po zhvillon një mbledhje me drejtuesit e degëve për zbatimin e vendimeve të marra nga Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit. Teksa futej në seli, Basha nuk i kurseu batutat me gazetarët, teksa tha "vallen e Osman Takës do e kërcejmë më vonë", referuar protestës së Berishës.

“Mirëmëngjesi, qenke zgjuar herët shumë. Bravo të qoftë. Ndryshe nga vallja e Osman Takës. Do e kërcejmë më vone atë, pa merak”, tha Basha.

Ora 10:10
Çfarë do të ndodhë në PD? Dhjetëra forca policie në gatishmëri, 'rrethojnë' selinë blu! FNSH në lëvizje në zonë

 

Policia është në gatishmëri për gjithçka që mund të ndodhë sot në Partinë Demokratike. Me dhjetëra forca policie kanë 'rrethuar' ambientet rreth selisë blu. 3 furgonë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë qarkullojnë në zonën rreth godinës së PD

Policia do të monitorojë të gjithë protestën e ditës së sotme. Ndërhyrja do të bëhet vetëm në raste të nevojshme dhe do të qëndrohet në gatishmëri. Përmes kamerave të sigurisë do të identifikohen element të rrezikshëm që mund të bëjnë trazira.

 

Ora 09:31
Numër i vakët protestuesish në mënyrë të organizuar, shumica drejt Tiranës me makina private

 

 

Anëtarët e Komisionit të Rithemelimit e mbështetësit e Berishës kanë organizuar militantët nga gjithë vendi për t'ju bashkuar protestës para selisë së PD. Por edhe pse po organizohet nga mbështetësit e PD, në dukje protestuesit e Berishës nuk po vijnë të organizuar, por, siç mëson Report TV, transporti po kryhet me automjete private.

Sipas organizatorëve të protestës  nga Durrësi pritet të nisen sipas tyre rreth 1200-1500 militantë të Berishës. Sakaq burimet pranë policisë bëjnë me dije se nuk ka masa të shtuara në Durrës, por do të jenë postoblloqet e zakonshme pranë mbikalimit të Shkozetit dhe në autostradë, të cilat ushtrojnë kontrolle tek automjetet përgjithësisht luksoze, me targa të huaja, apo tek ato të cilat duken të dyshimta.

Në Fier, deputeti Luan Baçi ka organizuar militantët e Berishës, por bie në sy numri i vogël i tyre. Para nisjes, Baçi tha se nuk do të hyhet me dhunë në selinë e PD.

"Jemi këtu sot. Është grupi i dytë që po niset drejt Tiranës. Janë një mase e madhe e degës Fier dhe degëve të tjera. Ka pjesëmarrje shumë të madhe. Do i ftoja anëtarët e PD, dega Fier, Roksovec, Lushnje, Divjake të ecin drejt Tiranës pa u frikësuar nga fjalët për dhunë apo veprime që dëmtojmë qytetarët. Protesta është masive, festive ku do të jemi për të zbatuar vendimin e 11 Dhjetorit për shkarkimin e Bashës”, u shpreh Baçi.

Nga Qarku i Gjirokastrës janë nisur 250 demokratë për të marrë pjesë në protestë, po ashtu në udhëtime private të organizuara nga vetë militantët.

Nga Kruja bëhet me dije nga mbështetësit e Berishës se janë nisur drejt Tiranës 500 persona.

Në Vlorë, kryetari i PD Vlorë, Genc Deromemaj thotë se në drejtim të kryeqytetit janë nisur rreth 1000 demokratë. Pjesa më e madhe e tyre janë nisur me automjete private dhe në organizime individuale ndërsa katër njësitë administrative të Vlorës janë bashkuar duke vënë në dispozicion të demokratëve një autobusë dhe dy furgona për tu nisur në drejtim të Tiranës. Çdokujt prej tyre i është kërkuar të kenë me vete kartën e anëtarësisë. Ndërkohë që nga Korça pretendohet se janë nisur rreth 1000 demokratë, ndërsa transporti u mundësua me mjete private. Atyre iu është kërkuar të kenë edhe kartën e anëtarësisë me vete.

Ora 09:26
VIDEO/ Skenar i Bashës për të penguar protestën e Berishës? Oborri para selisë së PD mbushet me makina

Pak orë para nisjes së protestës së Sali Berishës, oborri para selisë së PD është mbushur me makina. Nuk dihet nëse ky është një skenar i kyedemokratit Lulzim Basha për të penguar protestën e Berishës, i cili ka thirrur mbështetësit e tij që të mblidhen para selisë së PD në orën 12:00. Ndërkohë Basha ndodhet në seli, ku po zhvillon një mbledhje me Kolegjin e Kryetarëve të PD.

Ora 08:31
Pak para protestës së Berishës, Basha mbledhje në seli me Kolegjin e Kryetarëve e më pas me Kryesinë për zbatimin e vendimeve të Kuvendit të 18 dhjetorit

Një orë para protestës së thirrur nga Sali Berisha, Lulzim Basha do të mbledhë në selinë e PD Kolegjin e Kryetarëve, ku do të diskutohet mbi zbatimin e vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit. Pas takimit me Kolegjin e Kryetarëve, Basha do të mbledhë edhe Kryesinë për të miratuar programin e diskutuar nga Kolegji. 

Kujtojmë se në Kuvendin Kombëtar të 18 dhjetorit u rrëzuan vendimet e dala nga Kuvendi i 11 dhjetorit i Berishës, përfshirë edhe shkarkimin e Bashës, ndërsa u miratua edhe ndalimi i çdo personi të shpallur 'non grata' në PD që të jetë pjesë e pozicioneve drejtuese në parti.

“Të nderuar Kryetarë,

Të shtunën, datë 8 Janar, ora 11:00 do të zhvillohet mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve të PD për diskutimin mbi kalendarin dhe masat për organizimin e partisë në zbatim të vendimit të Kuvendit Kombetar të datës 18 Dhjetor “Për miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike”. Në mbledhje merr pjese edhe Sekretariati i Partisë. Programi i diskutuar dhe miratuar nga Kolegji i Kryetarëve, do ti nënshtrohet më pas miratimit nga Kryesia e Partisë, e cila do të mblidhet po atë ditë", thuhet në mesazhin e dërguar nga Gazment Bardhi.