Ish-kryeministri u ndal tek përfitimet që vijnë për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke u shprehur se rriten investimet nga BE, për të cilat vendi ynë ka nevojë sipas tij.
“Statusi është një nivel nga ku nis rruga për integrim. Shtohen shanset për zhvillim ekonomik. Punonjësit e administratës bënë një punë serioze. Padyshim mirënjohje edhe për qytetarët shqiptarë. Mirënjohje të madhe edhe vendeve anëtare. Fakti se Shqipërisë iu dhunue statusi nga forcat e djathta, nuk është e vërtetë.
Nëse do ishin forcat e djathta që do përcaktonin këtë, Shqipëria ndoshta nuk merrte ndonjëherë statusin e vendit kandidat. Sado që forcat e djathta janë një realitet i pamohueshëm, në asnjë vend nuk kërcënojnë BE dhe perspektivën evropiane të vendeve të tjera. Teza e Edi Ramës për forcat e djathta që penguan ishte thjesht një gjethe fiku që ai deshte t’i vendoste vetes së tij, se në listën e politikanëve europianë nuk gjen një të vetëm që të kenë bllokuar statusin e vendit të tyre, përveç Edi Ramës.
Ky vendim i vonuar nuk ka asnjë lidhje me ndjenja të veçanta ndaj shqiptarëve, të cilat unë i pari do t’i denoncoja nëse do ishin. Ky vendim u vonua 2-3 vjet për shkak të qëndrimit të Edi Ramës.
Pasi cilësoi procesin si një pilulë anti-depresive, Rama në daljen e tij mediatike shfrytëzoi statusin për revansh primitiv ndaj drejtësisë. Paraqiti drejtësinë shqiptare si bajloinin e zi, si demonin që u ka zënë rrugën shqiptareve drejt integrimit. Ai foli për gjykatës që kanë lidhje me krimin, dua të them që nuk shpifi, ata janë dhe duhen të dënohen. Por dua të them që bajlozët e zi janë politikanë pranë Ramës, janë lidhjet me trafikun të qeveritarëve aktualë.
Nuk ka gabim më fatal që mund të bëjë një qytetar sa mund të mos vleresoje pasaojet e tmerrshme të qeveritarëve të tij me krimin.” -tha Berisha.
“Statusi është larg të qenit një pilulë antidepresive, qoftë edhe për ata që vuajnë nga depresioni, kjo është arritje e madhe. Pilulat antidepresive nuk janë zgjidhje, zgjidhje është kurimi i kontrolluar dhe i vazhduar i tij. Duhet t’i nënshtrohet një trajtimi rigoroz psikiatrik”, tha Berisha.
Berisha mbron Çiljetën: Rama e ka fiksim
Por edhe gjatë këtij takimi nuk ka mbetur pa u përmendur Çiljeta, dhe Berisha e ka marrë sërish në mbrojtje duke u shprehur se duke u shprehur se Kryeministri Rama e ka fiksim artisten e shquar.
Berisha: Rama, i lidhur me bandat kriminale
Berisha tha se kreu i qeverisë bllokoi statusin me 3 ligjet, ndërsa e akuzoi si të lidhur me bandat kriminale.
“Rama bllokoi statusin me 3 ligje. Kreu i ekzekutivit është i lidhur me bandat kriminale. Si funksionon aleanca? Pas çdo udhëtimi Rama i thotë bashkëkryetarit tjetër me kërkuan arrestimin tënd, po unë nuk do të arrestoj. Ndërsa perëndimorëve u thotë se unë do merrja armët kimike për të shpëtuar nga Ilir Meta. Dhe ata thonë çfarë është ky. Ne paraqitemi si kombi më joserioz në këtë mënyrë.
Dje citoi kancelaren, por duke dëgjuar ato çka dje Merkel iu tha gjermanëve dhe shqiptarëve, gjykoj se Rama nuk ka kuptuar asgjë nga ato që ajo tha. Merkel i tha në sy Ramës se për ne problem i madh është siguria ligjore, mirëpo ai nuk e di që armiku numër 1 i sigurisë ligjore është pushteti personal. Ai nuk e di se siguria ligjore ka një seri hallkash, dhe është thelbi i shtetit ligjor, që në përgatitjen e ligjit dhe vendimit, miratimin e tij, qëllimin dhe zbatimin, përputhjen e tij me kushtetutën”, tha Berisha.
Berisha: Aliko është kërcënuar në mbledhjen me Tahirin
Duke u ndalur tek procedimi penal i nisur ndaj kreut të Komunës së Lazaratit, Dasho Aliko, ish-kryeministri Berisha tha se Aliko u kërcënua gjatë takimit me ministrin Brendshëm Saimir Tahiri. Sipas Berishës, në takimin e 17 qershorit në Gjirokastër, “iu kërkua të komunikonte me ata që qëllonin se do t’u lihej shteg dalje. Kjo ishte mënyrë sesi mund rtë implikojë Dasho Aliko në arratinë e kriminelëve”.
“Ku fle lepuri të Dasho Aliko, është se në 17 qershor në një takim zhvilluar në Gjirokastër me Tahirin, Alikos iu kërkua të komunikonte me ata që qëllonin se do t’u lihej shteg dalje. Kjo ishte mënyrë sesi mund të implikohej Dasho Aliko në arratinë e kriminelëve. Por ai nuk mund të implikohej. Gjatë atyre ditëve ka bërë çdo gjë për të qetësuar situatën, ka denoncuar edhe në media. Por që të bëhej ai ndërmjetës midis Tahirit dhe krimineleve, Tahiri zgjodhi njeriu i gabuar.
Këto janë të vërtetat dhe aty Dasho Aliko është kërcënuar se do kesh 1, 2 , 3, 4. dhe ai ua ka kthyer me dinjitet të gjithë ç’meritonte Tahiri në atë mbledhje.
Kjo është e vërteta deri tani se paska kërcënuar Tahirin, dhe akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë. Ky është gjithë thelbi i kësaj. Po bandat ku janë, nga shtegu. Kush u kap përveç atyre që u dorëzuan, asnjë. Se s’ishin në listë asnjë prej tyre”, tha Berisha.
Berisha: Territorialja është reformë politike, po na kthen të Enver Hoxha
Ish-kryeministri Berisha tha se opozita aktuale ka mbështetur vazhdimisht marrjes e statusit të vendit kandidat. Ndërsa duke u ndalur tek reforma administrative-territoriale, tha se është një reformë elektorale, që po kthen në kohën e Enver Hoxhës.
“Ne kemi mbrojtur parimet tona, kemi qenë në mbështetje të vazhduar të statusit. Për ne statusin e meritonim edhe në 2012 edhe në 2013. U jemi mirënjohës që na e dhanë, asnjëherë nuk na e kanë vonuar këtë përveçse për shkaqe thellësisht shqiptare.
Këta po kthehen të Enver Hoxha, dhe kjo është një reformë elektorale, jo territoriale. Ky sa të ketë 38 njësi fiks aq sa kishte Enver Hoxha në kohën e diktaturës rrethe”, tha Berisha.
Fjalët fyese, Berisha: Nuk mohoj ato që kam thënë
I pyetur lidhur me fjalët fyese të përdorura nga Berisha në kohën kur ishte në krye të qeverisë ndaj ish-kryeprokurores Ina Rama dhe ish-presidentit Bamir Topi, ai tha se nuk i mohon ato që ka thënë.
“Nuk e mohoj atë që kam thënë, asaj zonjës (Ina Rama) dhe zotërisë (Bamir Topi). Ai që mohon është i sëmurë psikik. Ai fyeu gazetaren”, tha Berisha.
Redaksia online
(e.s/a.h/shqiptarja.com)