Komisioni i Rithemelimit, i drejtuar nga Sali Berisha ka reaguar pas refuzimit që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bëri një ditë më parë përfaqësuesve të tij, duke pranuar vetëm përfaqësuesit e PD zyrtare në mbledhje. Në një reagim zyrtar, Berisha akuzon Kryekomisionerin Ilirjan Celibashi se pranoi me urdhër partiak nga Edi Rama vetëm përfaqësuesit e Lulzim Bashës. Ky veprim, sipas mbështetësve të Berishës, është një akt antiligjor që dëshmon edhe më tej qëndrimin monist kundër pluralizmit politik.

‘Edi Rama dhe Lulzim Brava janë një! Dje, Celibashi i narkopartisë me urdhër të kreut të meduzës Edvin Rama refuzoi përfaqësuesin legjitim të PD në KQZ dhe pranoi përfaqësuesin e Peng Bashës duke shkelur kështu rëndë kushtetuten dhe ligjet e vendit. Me këtë akt antiligjor antikushtetues Edi Rama thellon më tej qëndrimin e tij monist dhe kundër pluralizmit politik. Duke pranuar përfaqësuesin e Peng Bravës në KQZ Edvin Kristaq Koleka dëshmon urrejtjen atërore ndaj pluralizmit të vërtetë politik. Me këtë rast paralajmërojmë Edvin Ramën se për këtë akt të ri armiqësor ndaj PD, pluralizmit politik dhe demokracisë në Shqipëri e pret se bashku me Peng Bravën e tij fundi i një diktatori të urryer të kombit shqiptar dhe  se me asnjë manovër antidemokratike nuk do mund të pengojë fitoren më 6 mars të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj.’- shkruan Komisioni i Rithemelimit.

Berisha dhe grupi i tij kanë paralajmëruar se do të garojnë me kandidatët e tyre në zgjedhjet e 6 marsit, por ende nuk kanë bërë publike mënyrën sesi, kur nuk figurojnë si parti e regjistruar dhe kur gjykata ende nuk ka thënë fjalën e saj. Një ditë më parë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, nuk njohu Ivi Kason si përfaqësues ligjor të PD-së në KQZ.

"Në pikëpamje të ligjit raporti i një partie politike me KQZ-në është një raport i vazhdueshëm, edhe në atë jo zgjedhore. Me gjithë keqardhjen që kam në lidhje me këtë situatë, duhet të pranojmë që jemi në marrëdhënie institucionale. Ai që është përfaqësues ligjor i saj ka konsideruar se cilët do të jenë përfaqësuesit e saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Opinionet dhe mendimet e PD-së në lidhje me aktet janë ato që do të prezantojnë nga Indrit Sefa dhe Marash Logu", tha Celibashi duke ju drejtuar Ivi Kasos.