Kjo procedurë, sipas Kryeministrit merr një rëndësi të veçantë, duke lehtësuar së tepërmi lëvizjen e qytetarëve me leje drejtimi të huaja, brenda vendit dhe duke shmangur kështu shumë procedura burokratike. Gjithashtu, Kryeministri kërkoi gjetjen e formave sa më të përshtatshme dhe lehtësuese për qytetarët, në pagesën e taksës për makinën dhe në kontrollin e makinës.
“Duhet të ndalem në një moment në një çështje që duhet të marrë zgjidhje për sa i përket lejeve te drejtimit. Emigrantët që vijnë nga Greqia, por edhe nga vende të tjera kërkojnë që leja e drejtimit te jetë e barasvlershme me tonën, pra të mos nxjerrin leje tjetër dhe unë mendoj se ata kanë një kërkesë shumë të drejtë, pra nuk shkon që ne heqim vizat dhe të mbajmë lejet. Pra është e domosdoshme që të bëjmë ndërhyrje qoftë ligjore, qoftë me VKM dhe të gjithë këtyre qytetarëve tu njihet me të njëjtën vlerë leja e drejtimit që kanë marrë në Greqi, Itali dhe kudo që jetojnë. Pra është e shumë rëndësishme që të procedojmë sa më shpejt”, u shpreh Berisha.
Ndërkohë që Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një sërë vendimesh, ku përfshihen legalizimi i 1247 objekteve informale dhe shpërblimin e pronarëve që preken nga ndërtimet informale, rritja e kuotës së anëtarësimit të Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe përcaktimi i autoritetit kontraktues për dhëniesn me koncesion të tre hidrocentraleve: “Vëndresh”, “Bigas dhe Veleshnje”, “Priska 1, 2”.
“U miratua vendimi për kalimin e 1247 parcelave ndërtimore në pronësi të poseduesve të objekteve informale. Vendimi përfshin legalizimin e objekteve informale të ngritura në troje, si dhe shtesa (anësore) informale në ndërtime me leje.
U miratua vendimi për shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Ky vendim përcakton shpërblimin e pronarëve të ligjshëm, trojet e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale, të kualifikuara për legalizim në qarqet Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan, Berat dhe Tiranë, me sipërfaqe prej 8687 m2 truall, me vlerë të përgjithshme 103 796 372 lekë. Vlera e shpërblimit të pronarëve të ligjshëm është përcaktuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
U miratuan edhe disa ndryshime në një numër vendimesh të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kalimit të pronësisë të disa parcelave ndërtimore në favor të poseduesve të objekteve informale”. Ky vendim saktëson të dhënat e përfituesve të së drejtës të kalimit të pronësisë për parcelën ndërtimore.
U miratuan disa ndryshime në disa vendime nr.204, datë 19.2.2009; nr.616, datë 11.6.2009; nr.389, datë 19.5.2010 dhe nr.900, datë 6.12.2011, “Për shpërblimin e pronave mbi sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”. Ky vendim saktëson të dhënat e pronarëve, të cilëve iu është miratuar shpërblimi mbi sipërfaqet takuese pronë private që preken nga ndërtimet informale”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave.
Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)