'Berisha thotë se vaksina të vdes', Rama: E pafalshme që Basha nuk flet! Nëse doni që vaksinimi të ndërpritet votoni ata! PD i përgjigjet: Ti s'ke frikë nga COVID por nga shqiptarët

I ashpër ishte Kryeministri Rama me deklaratat e ish-Kryeministrit Berisha për vaksinat anti COVID, i cili ka nisur një fushatë denigrimi për vaksinat duke përhapur panik. Rama tha se është e pafalshme që Basha nuk reagon për këto deklarata.

"Sali Berisha ka nisur një fushatë dhe thotë që vaksina është e dëmshme dhe të vdes. Sikur të dilte ndonjëri nga skuadra jonë dhe të thoshte diçka sado të dyshimtë për këtë betejë, për këtë armë që është e vetmja që ka njerëzimi sot në dorë për të mundur armikun e padukshëm dhe unë të mos thosha asgjë? Të bëja sikur s'ka ndodhur asgjë?

Nëse doni të ndërpritet vaksinimi votoni ata. Sali thotë që vaksina të vdes.  Ai fut ankth dhe pasiguri në shpirtin e njerëzve.  Ne po bëjmë vaksinimin masiv dhe kjo është bërë me shumë ngulm dhe këmbëngulje. Ata nuk ia kanë idenë se çfarë do të thotë t'i shërbesh njerëzve", tha Rama në një takim në Rrogozhinë. 

Ai nuk la pa përmendur edhe sjelljen skandaloze sipas Ramës të PD në këtë periudhë fushate. Sipas tij shkelja e masave antiCOVID nga opozita është tregues se ata janë antishteti, rrumpalla, paaftësia.

"Unë uroj me gjithë shpirt që asnjëri prej tyre të mos shkojë në spital e jo më të ndërrojë jetë. Por ashtu siç po veprohet është një mesazh shumë i qartë për çdo shqiptar, mesazhi është që ata janë antishteti, rrumpalla, paaftësia dhe dëmi që gjithmonë i rri mbi kokë këtij vendi", tha ndër të tjera Rama.

Pas kritikave të Ramës Partia Demokratike ka reaguar përmes një mesazhi në Twitter.  PD-ja thekson se Rama nuk ka frikë për koronavirusin, por nga shqiptarët që duan ndryshimin pas 8 vitesh.

Ish-kryeministri Sali Berisha në statuse të ndryshme në facebook ka kërkuar ditët e fundit që të ndërpritet injektimi i vaksinës kineze te mbi 60 vjeçarët.  Ai flet për vdekje dhe akuzon Ramën. Ndërkohë që nuk jep absolutisht asnjë burim shkencor për të mbështetur deklaratat e tij.

Shqipëria është sot në ditën e pestë të nisjes së procesit të vaksinimit masiv. Në përfundim të ditës së katërt në të gjithë vendin, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu duke bërë bilancin njoftoi se fillimi i fushatës së vaksinimit 138. 846 vaksinime anti-COVID janë bërë në të gjithë Shqipërinë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:23
Vaksinimi/ Përparim Spahiu: Propaganda e Ramës e turpshme, asnjë qeveri në botë s'kërkon mandat se ka vaksinuar njerëzit

Kryetari i LSI-së në Tiranë, Përparim Spahiu, e ka konsideruar "propagandë" procesin e vaksinimit në vend, ndërsa akuzon qeverinë se po e përdor për fushatën elektorale.

Me një shënim në Facebook, Spahiu thotë se asnjë qeveri në botë nuk mburret dhe nuk kërkon mandat qeverisës se ka vaksinuar njerëzit.

"Shumë vite më parë, kur isha i mitur jam vaksinuar si të gjithë shqiptarët e tjerë.

As Partia e Punës nuk më ka thënë që e kisha jetën prej saj e as prindërit e mi nuk ndjenë nevojën për të falenderuar Partinë që na bënte vaksinat.

Propaganda që po ndodh sot me teorinë “vaksina të mundësuara nga Partia Socialiste” nuk ka ndodhur as në diktaturë.

Jemi në mes të një pandemie, asnjë qeveri në botë përveç kësaj tonës nuk mburret dhe nuk kërkon mandat qeverisës se ka vaksinuar njerëzit.

Kjo, sepse vaksinimi është detyrë funksionale e shtetit ndaj qytetarit, jo nder i madh e i pashëmbullt që e ofroka Partia.

KM bën mirë ta ndërpresë këtë fushatë të turpshme që tall inteligjencën e shqiptarëve.

Por, nëse nuk e ndërpret, do të marrë vesh më 25 prill se jetën shqiptarit nuk ja jep Partia, por prindërit dhe Zoti", shkruan Spahiu.

Ky reagim i tij vjen pas kritikave të ashpra të kryeministrit Edi Rama ndaj fushatës së opozitës, ku tha se "nëse doni që vaksinimi të ndërpritet votoni ata".

 

Ora 13:40
PD i përgjigjet Ramës: S’ke frikë nga koronavirusi, por nga shqiptarët që duan ndryshimin

Pas kritikave të ashpra të Kryeministrit Rama sa i takon fushatës elektorale të Lulzim Bashës, Partia Demokratike ka reaguar përmes një mesazhi në Tëitter.

 PD-ja thekson se Rama nuk ka frikë për koronavirusin, por nga shqiptarët që duan ndryshimin pas 8 vitesh.

"Rama nuk ka frikë për koronavirusin. Ai ka frikë nga qytetarët shqiptarë që duan ndryshimin pas 8 vitesh dështime të tij. Është koha që Shqipëria të fitojë dhe Rama të humbasë", thuhet në reagimin e PD.

Rama nga Rrogozhina sot tha se shkelja e masave antiCOVID nga Basha gjatë fushatës është tregues se ata janë antishteti, rrumpalla, paaftësia.

Ora 12:37
'Të shtoftë jetën zoti', Rama inspekton procesin e vaksinimit në Rrogozhinë! Manastirliu: Në E-Albania janë regjistruar 15 mijë kërkesa për vaksinim

Kryeministri Ed Rama ka inspektuar procesin e vaksinimit në Rrogozhinë, ku ka parë nga afër vaksinimin e të moshuarve që prisnin në radhë për të marrë dozën e vaksinës antiCOVID. Gjatë ditës së sotme pritet që në Rrogozhinë të bëhen mbi 200 vaksina  të moshave +70 vjeç dhe + 80 vjeç.

Rrogozhina ka përfunduar procesin e vaksinimit të stafit mjekësor dhe arsimtarëve dhe aktualisht vijnë me të moshuarit.

Vetë të moshuarit kanë shprehur vlerësimin e tyre për Ramën, duke e falenderuar për përkujdesjen që po i bën popullit ndërsa i urojnë edhe "të shtoftë jetën zoti'.

Ndërkohë që Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se në e-Albania janë regjistruar 15 mijë kërkesa .

Ora 11:58
Vaksinimi, Rama zbulon SMS-në e Albin Kurtit: Më kërkoi vaksina për mësuesit! I thashë patjetër

Kryeministri Edi Rama zbuloi sot një kërkesë të Kryeministrit të Kosovës Kurti për çështjen e vaksinimit.

Nga Rrogozhina, Rama tha se Kurti i ka kërkuar që Shqipëria të vijojë të ndihmojë Kosovën me vaksinimin e mësuesve.

“Më çoi një mesazh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke më falënderuar, e duke më kërkuar që, meqë ata morën vaksina për mjekët, do dëshironte që ne të ndihmonim për mësuesit. Po, i thashë, patjetër, ne do t’i japim ato që duhen e mundet të vaksinohen edhe mësuesit e Kosovës. E si bëhen këto, me llafe e dëngla, duke fjetur gjumë”, tha Rama.

K.T.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • dulja: 02/04/2021 05:05

    Berisha kancer i SHqiperise me i keqe nga kovi 19 bashke me opoziten ,po do e marrin pergjigjen me 25 prrlle duroni dhe pake

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia