Avokati Idajet Beqiri është shprehur se është Partia Demokratike që po krijon problematika me qëllim zvarritjen e procesit të integrimit të vendit në BE.
Komentet Beqiri i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, ku tha se BE reagon kur shikon që PD ka ngritur një strukturë kriminale që sulmon institucionet e vendit.
Ai akuzoi gjithashtu se PD ka krijuar një ‘Hamas’ të vetin, përmes të cilit prodhon armë dhe sulmon efektivët e policisë gjatë protestave.
“A ka probleme mes institucioneve të ndryshme edhe të BE-së me shtetin shqiptar, patjetër, domosdo, sepse ata kur shikojnë që Shqipëria digjet, Shqipërisë i hidhen molotovë, Shqipërisë i ngrihet një organizatë kriminale, një Hamas, prodhon armë dhe i vërsulet policëve, atëherë thonë ‘diçka ka aty brenda’. Dhe në këto rrethana janë të detyruar të bëjnë deklarata. Dhe deklaratat janë ‘kujdes, shteti ligjor është shtet ligjor, pushteti gjyqësor është i pavarur, Ekzekutivi është i pavarur, Legjislativi është i pavarur. Këto janë orientime që i japin ata, por kjo nuk do të thotë se i dhanë të drejtë Saliut pse nuk i hiqet imuniteti Belindës", tha mes të tjerash Beqiri.
Beqiri foli gjithashtu edhe për garën që pritet të hapet në PD për zgjedhjen e lidershipit të ri, teksa tha se Salianji i trembet futjes në garë, pasi sipas avokatit, Sali Berisha është një vrasës. Avokati tha se Berisha zhduku Sokol Olldashin pas garës në PD me Lulzim Bashën, duke theksuar se Salianji e njeh mirë ish-kryeministrin.
Salianji në rast se do ishte në garë me Bashën, jam i bindur se ai nuk fitonte dot me Bashën, por ja vlente dhe ai duhet të futej në garë. Por duke e ditur se kush është Sali Berisha, që ai të vret, se faktikisht ai vrau. Edhe kur ishte gara e Bashës me Olldashin, e zhduku Olldashin ai. Kështu që nuk është aq budalla Salianji. Unë mendoj se ai di si ta ruajë kokën e vet”, tha mes të tjerash Beqiri.
Kujtojmë se në protestat e fundit të Partisë Demokratike, ka pasur akte të shumta dhune, përfshi sulmet me gurë dhe sende të forta ndaj efektivëve dhe hedhjen e bombave molotov.
Avokati Idajet Beqiri ka hedhur akuza të rënda ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij, për masakrën e ndodhur pas shpërthimit të fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec.
Komentet Beqiri i bëri gjatë fjalës së tij në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, ku tha se Berisha në atë periudhë, në cilësinë e kryeministrit, kishte furnizuar me armë Hamasin dhe Iranin, në dëm të Izraelit dhe kjo sipas avokatit, ishte edhe një nga arsyet pse Sali Berisha u shpall non grata nga SHBA.
Ai vijoi më tej me akuzat duke thënë se Berisha dhe familja e tij i dogjën për së gjalli njerëzit në Gërdec, duke ndërtuar një fabrikë për çmontimin e municioneve në një zonë të banuar.
Po ashtu avokati Beqiri hodhi akuza të rënda ndaj Shkëlzen Berishës për vrasjen e Kosta Trebickës. Sipas Beqirit, Trebicka u vra me levë pas koke dhe ngjarja u inskenua si të ishte aksident.
“Gërdeci një nga krimet më të rënda shtetërore që kanë ndodhur. Masarka më e madhe kriminale që pushteti i Berishës për të grabitur popullin dhe për të bërë trafik armësh... Sepse u bë trafik armësh, Shkëlzeni dhe Lulzim Basha ishin përfshirë në trafik. I kanë dhënë goxha armë Hamasit. Edhe nëse SHBA-të e shpallën non grata Berishën, një ndër pikat kryesore me trafikun e armëve që bënë me Iranin dhe gjithë këto të tjerat kundër Izraelit.
Kjo ishte një ndër pikat dhe pastaj që e finalizuan me fabrikën e vdekjes që bënë këtu. Morën Çernobilin dhe e prunë këtu ku është Aeroporti i Rinasit, ku është kryeqyteti i Shqipërisë, ku është porti më i rëndësishëm i Shqipërisë. Me rregull ndërkombëtar, këto fabrika ngrihen o në tunele siç ishte Poliçani që ishte i destinuar për këtë punë, mund të ngrihet një fabrikë e tillë, ose minimumni duhet të jenë 80 km larg qoftë edhe një shtëpie të vetme.
Ata të babëzitur, djali i tij organizoi këtë biznes vrastar. I dogjën të gjallë shqiptarët si kemi parë. Nuk janë 26, por 27 të vrarë, sepse edhe Kosta Trebickën e vranë me levë në kokë. E hipën në makinë dhe rrokullisën makinën. Inkurajoj SPAK që të hetojë këtë çështje. Ke mbi 300 invalidë nga shpërthimi në Gërdec sot. Ata duan drejtësi, por SPAK është i kapur keq”, tha mes të tjerash Beqiri.
Kujtojmë se pas shpërthimit të fabrikës së municioneve në 15 mars të vitit 2008 në Gërdec, 26 persona mbetën të vdekur dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Komente











